Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) informon të gjithë tifozët dhe publikun e interesuar se procesi i shortit elektronik për përzgjedhjen e atyre që kanë fituar të drejtën për të blerë bileta për ndeshjen Shqipëri - Serbi (7 qershor në Tiranë), e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, do të vijojë deri më datat 3-4 qershor.
Kjo zgjatje është bërë e domosdoshme për shkak të numrit shumë të lartë të aplikimeve të regjistruara në sistem dhe ngarkesës së platformës, çka e bën të nevojshëm një proces më të kujdesshëm, transparent dhe të drejtë për të gjithë aplikuesit.
Procesi i shpërndarjes së biletave ka nisur dhe një pjesë e aplikuesve që janë përzgjedhur si fitues nga shorti elektronik janë tashmë pajisur me bileta përmes platformës së dedikuar.
FSHF i bën thirrje të gjithë personave që kanë aplikuar për bileta të kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme adresat e tyre të emailit (si në Inbox ashtu edhe në Spam), për të parë nëse kanë marrë njoftim nga kompania T-Ticket, e cila menaxhon procesin zyrtar të shitjes së biletave.
Vetëm ata që do të përzgjidhen përmes shortit elektronik do të marrin një link të personalizuar për blerjen e biletave.
Nëse pas datës 4 qershor nuk merrni një e-mail konfirmimi, kjo do të thotë që nuk jeni përzgjedhur nga shorti elektronik. Nuk do të dërgohet njoftim për ata që nuk janë përzgjedhur.
FSHF thotë se diçka e tillë bëhet për të garantuar se çdo hap i këtij procesi po realizohet me transparencë të plotë dhe barazi për të gjithë aplikuesit.
'ÇUDIA' E FSHF-së ME BILETAT
Ndryshe nga herët e tjera, FSHF për ndeshjen kundër Serbisë si fillim hapi procesin e aplikimit për bileta dhe më pas do kishte "një përzgjedhje rastësore automatike". Kjo mënyrë duket se ka sjellë kaos për biletat dhe Federata e ka shtyrë me dy ditë procesin e shortit elektronik.
Kujtojmë se organi i futbollit konfirmoi se për sfidën kundër Serbisë e cila luhet më 7 qershor në "Arenën Kombëtare", ishin më shumë se 200 mijë kërkesa për bileta, ndërsa stadiumi ka 22 mijë ulëse në total.
Komente
