TIRANË- Parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv. Ky është reagimi që vjen nga delegacioni i BE në Tiranë, një ditë pas kaosit në Kuvend, ku qeveria dhe programi u votëbesuan në një seancë që zgjati vetëm 25 minuta. Në një reagim për Report Tv, delegacioni i BE shpreh keqardhjen për faktin se publiku u privua nga mundësia për t’u informuar për programin e qeverisë ‘Rama 4’.
"Parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv, ku diskutohen politika dhe paraqiten pikëpamje alternative, duke promovuar kështu një kulturë dialogu. Debati mbi programin e qeverisë së re për katër vitet e ardhshme do të kishte ofruar një mundësi të rëndësishme për të diskutuar pikëpamje dhe qasje të ndryshme ndaj objektivit të anëtarësimit, i cili mbetet një ambicie ndërpartiake. Është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t'u informuar siç duhet dhe plotësisht rreth programit të Qeverisë dhe për të dëgjuar përfaqësuesit e saj të zgjedhur të diskutojnë përmbajtjen e tij, në përputhje me dispozitat e ligjit”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE.
Në reagimin e Bashkimit Europian vendoset theksi edhe te rruga e vendit tonë drejt Europës. BE thekson se Parlamenti ka rol vendimtar për reformat legjislative që lidhen me anëtarësimin. Ndërsa, i bën thirrje të gjithë katorëve politikë që të luajnë rolin e tyre për përmbushjen e kërkesave për anëtarësimin në BE.
“Në kontekstin e anëtarësimit, Parlamenti ka një rol vendimtar për të luajtur në debatin dhe miratimin e reformave legjislative që lidhen me BE-në, duke vlerësuar ndikimet e tyre dhe duke siguruar që ato të bazohen në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent”,
Delegacioni i BE-së në Tiranë do të vazhdojë angazhimin e tij për të forcuar rolin e parlamentit si një institucion që promovon dhe mishëron dialogun e hapur dhe gjithëpërfshirës politik. Ne besojmë se të gjitha partitë politike të Shqipërisë dhe të gjithë sektorët e shoqërisë do të jenë në gjendje dhe të gatshëm të luajnë rolin e tyre në kontributin drejt përparimit të Shqipërisë për përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit në BE", thuhet në reagimin për Report Tv.
Reagimi i BE erdhi pasi PD krijoi kaos në seancën e djeshme në Kuvend dhe nuk lejoi kryeministrin Edi Rama të prezantojë programin qeverisës. PS e kaloi direkt në votim dhe u miratua me 82 vota pro.
Komente
