Skenë krimi e quan kryeparlamentarja Elisa Spiropali kaosin dhe skenat e dhunës që opozita riktheu në sallën e Kuvendit, pas dënimit të Ervin Salianjit me 1 vit burg për kallëzim të rremë në dosjen Babale.
Pas djegies së karrigeve dhe skenat e dhunës në Kuvend, ku ndaj saj u hodhën edhe sende të forta, Spiropali kërkon që salla e Kuvendit të merret në këqyrje nga organet ligjzbatuese.
“Karriget tona janë të qytetarëve” tha një deputet i opozitës! Kjo është shumë e vërtetë dhe prandaj ato karrige janë për t’u respektuar duke u ulur mbi to me peshën e besimit të marrë prej qytetarëve. Djegia e tyre dëshmon nivelin më ekstrem të mungesës së respektit për qytetarët, ligjin dhe institucionet e shtetit demokratik", shkruan Spiropali.
Djegia e karrigeve të Kuvendit, sipas Spiropalit tregon mungesën e respektit ndaj qytetarëve, ndërsa thekson se zjarrin mbi parlament e vënë vetëm shkatërruesit e demokracisë.
"Fatkeqësisht zjarrin mbi parlamentet e kanë vënë vetëm përbuzësit dhe shkatërruesit më të mëdhenj të demokracisë në historinë e saj. Edhe më fatkeqësisht zjarrvënia e sotme, dhe aktet ekstreme të dhunës brenda sallës, e kanë kthyer Kuvendin në një skenë krimi, për t'u marrë në këqyrje nga organet ligjzbatuese. Keqardhje e thellë”, shkruan Spiropali.
Lajmi kryesor:
Dënimi i Salianjit, PD kaos në Kuvend! Noka hedh benzinën, Nallbati u vë zjarrin karrigeve në oborr, sende të forta drejt Spiropalit: Duam qeveri teknike! Përjashtohet Noka
SI.E./ReportTv.al