Pas një muaj e gjysmë policia dhe prokuroria e Elbasanit kanë arrestuar në Elbasan, Erion Alibej, si njeriun që ka organizuar dhe financuar dy vrasjet e Regis Runaj dhe Emiljano Ramazanit në muajin Korrik 2020. Erion Alibej, rezulton të jetë vëllai i Endrit Alibej i njohur ndryshe me nofkën “Tarzani” ose “Tino”. Vrasja e Endrit Alibej, ka ndodhur në 29 dhjetor të 2018, kur ai së bashku me Arben Dylgjeri, 56 vjeç kushëririn e tij dhe një turk Erdal Durunay, 51 vjeç janë ekzekutuar në afërsi të Kombinatit Metalurgjik, në Bradashesh ku një makinë ka qëlluar drejt 3 personave.
Dy vjet nga kjo ngjarje e rëndë në pranga tashmë ka rënë vëllai i Endritit,Erion Alibej, si personi organizator dhe financues i vrasjes së Regis Runaj dhe Emiljano Ramazanit. Këto vrasje janë kryer si pasojë e luftës mes dy grupeve kriminale në Elbasan, atij të “Sakatit” dhe “Tarzanit”, ku etja për të dominuar tregtinë e drogës ka prodhuar për gati 5 vite viktima. Personi që ka ndihmuar policinë dhe prokurorinë e Elbasanit quhet Euglen Halili, i cili ka lidhur një kontratë bashkëpunimi dhe ka treguar gjithçka mbi vrasjen e Regis Runaj dhe Emiljano Ramazanin. Ai është penduar për krimin e kryer ndaj shokut të tij Runaj, duke pohuar se viktimën Regis Runaj, e kishte mik dhe vrasjen e ka kryer për llogari të Xhuljano Hoxhës e Erion Alibej. Këta të fundit e kanë paguar me një sasi të konsiderueshme euro dhe mandej, ka qenë Euglen Halili, ai që filluar të planifikojë vrasjen e mikut të tij Regis Runaj. Runaj dhe Halili, mësohet të kenë konsumuar së bashku një sasi kokaine dhe mandej janë nisur në drejtim të varrezave të qytetit. Udhëtimi është kryer me një motor.
Sipas dinamikës së ngjarjes, Euglen Halili, fillimisht e ka qëlluar mikun e tij me thikë, teksa ishin të dy duke lëvizur me motor. Goditja ka ndodhur nga prapa dhe Runaj, nuk ka pasur asnjë mundësi të reagojë dhe kundërvihet për tu vetëmbrojtur. Runaj, është qëlluar pa pushim me thikë teksa drejtonte motorin. Sipas dëshmisë së Halilit, ata të dy janë rrëzuar nga motori dhe sërish Halili, ka vijuar ta qëllojë me thikë, derisa Runaj ka humbur jetën. Në total, Runaj u qëllua 27 herë me thikë nga Euglen Halili. Pas vrasjes ky i fundit, është larguar me motorin që drejtonte viktima, mjet nga i cili u zbardh e gjithë ngjarja. Policia ka mundur të sekuestrojë motorin, gjatë kontrolleve në banesat e personave të dyshuar. Pikërisht në këtë motor, u gjendet gjurmë gjaku të viktimës Regis Runaj dhe një gjurmë gishti të Euglen Halilit. Ky i fundit është shoqëruar në polici dhe është njohur me provat e policisë, të cilat implikonin në vrasje Halilin. I riu ka pranuar të bashkëpunojë dhe të tregojë gjithçka, vetëm që në fund të dënimit të ishte i favorizuar nga drejtësia. Halili ka treguar se organizatori i vrasjes së Runaj është Xhuljano Hoxha dhe financues Erion Alibej dhe se armën e krimit thikë, e kishte hedhur në lumin “Shkumbin”. Sipas tij, vrasja është kryer për qëllime përfitimi, pasi Hoxha i kishte premtuar se në këmbim të një shume financiare, të vriste Regis Runaj. Runaj, u ekzekutua barbarisht duke u lënë i mbytur në gjak në një rrugicë afër varrezave të qytetit të Elbasanit. Halili ka treguar se ai së bashku me Hoxhën dhe Seit Manahasën kanë ekzekutuar dhe mikun e Regis Runaj, Emiljano Ramazanin./Përgatiti Elton Qyno
Lajmi kryesor:
Vrasja e Runajt dhe Ramazanit në Elbasan, zbulohet dhe kapet porositësi! Kush është 34-vjeçari që në 2018 iu ekzekutua vëllai në sy të familjes (EMRI)
B.K.//ReportTv.al