TIRANE-Arrestohet në Poloni Gentian Bleta, që akuzohet si pjesë e grupit që urdhëroi rrëmbimin që më pas solli edhe vrasjen e Jan Prengës. Gentian Bleta që njihej edhe me emrin Nik Bleta ishte shpallur në kërkim në fillim të këtij viti pas rrëmbimit të Prengës.
Shqiptari nga Dukagjini ka rënë në prangat e policisë në Poloni pak javë më parë, ndërsa pala shqiptare ka nisur kërkesën për ekstradimin e tij në Shqipëri për t'u hetuar dhe gjykuar për akuzat që janë ngritur kundër tij.
Deri tani për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës janë arrestuar Leonard Hajri, Elton Hajri, Olsi Turja, Ardian Doçaj dhe Festim Bixhdili i cili është i dyshuari kryesor që ka marrë dhe zhdukur trupin e pajetë të Jan Prengës.
Ndërsa në kërkim për akuzën e rrëmbimit të personit dhe “trafikut të narkotikëve” kryer në bashkëpunim janë Gentian Finiqi ose Doçaj, Korado Doda ose Gështenja, Altin Hajri, Artan Doçaj dhe Aldo Manjishta. Në datë 30 mars gjykata liroi nga qelia duke ndryshuar masën e sigurisë dhe dërguar në arrest shtëpie Bajram Hajrin 64-vjeç, që është babai i Leonard dhe Altin Hajrit.
Report Tv hodhi dritë mbi këtë ngjarje të rëndë kriminale dhe rolin e Hajrave e Dritan Rexhepit duke sjellë detaje, foto dhe dokumente ekskluzive, që u krye si karrem për t'i ushtruar presion vëllait të tij, Astrit Prengës dhe shokut Gëzim Shullani për të kthyer sasinë e heroinës që kishin marrë në Angli (lexo ketu).
Report Tv solli foto që tregonin mënyrën se si u mor peng 49-vjeçari Jan Prenga, transportimi i tij në bodrumin e kompleksit “Golden” në Shijak, ku duken killerat me kazma dhe lopata si dhe fshirja e njollave të gjakut pas vrasjes, me leckë dyshemeje dhe detergjent kimik (lexo ketu).