A zbatoi standardet dhe Kodin Penal SPAK-u dhe GJKKO në masën shtrënguese “arrest me burg” ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj?
Kush është Nesti Angoni dhe a ka ardhur koha që SPAK të lërë rrugën represive me masat e sigurisë ndaj zyrtarëve. Këto tema u analizuan sot (6 Mars) në emisionin “Frontline” në Report TV të moderatores Marsela Karapanço.
Të ftuar ishin ish-prokurori Ervin Karanxha, ish-deputeti Halit Valteri, avokati Edmond Petraj dhe gazetarët Flogert Muça dhe Anri Bala.
Të pranishmit ranë dakord në një mendim juridik, se GJKKO dhe SPAK mund të kishin aplikuar masë më të butë ndaj kryebashkiakut, pasi arresti me burg ishte represiv, teksa edhe vendimi i Strasburgut për rastin e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi, e konfirmon kritikën ndaj Drejtësisë së re.
Ish-prokurori Karanxha u shpreh se duhet të ishte aplikuar masë tjetër sigurie, kurse zoti Veliaj duhet të bëjë ankesë dhe kallëzim nëse është vënë nën presion apo kërcënuar e fyer nga prokurori.
“Me sa duket Nesti Angoni qenka shumë aktiv si person, qenka njeri afër që e njeh mirë zotin Veliaj. Në lidhje me pretendimet e Veliajt për licencën e noterit dhe të ndërtimit të pallatit, ai mund të bëjë ankesë, t’i dorëzoj. Madje pallati është ndërtuar aty ku ka qenë streha vorfnore ku u xhirua “Lulëkuqet mbi mure”. Pra ai mund t’i drejtohet Gjykatës, ILD, KLP me ankesë. Mbrojtja ligjore është tjetër dhe ajo publike është tjetër. Në lidhje me masën e sigurimit, jo vetëm për Veliajn, SPAK dhe jo vetëm ai, është mjaft represiv. Përmendim edhe rastin e Thoma Gëllçit, e tha Strasburgu, masa ishte shumë represive, ndaj ka ardhur koha të ndryshojë. Në vende të ndryshme aplikohen praktika të ndryshme, ndërkombëtarët në vendet e tyre mbajnë praktika të tjera, këtu sillen si leninistë, ka ardhur koha që SPAK të ndryshojë strategjinë”, tha ai.
Gjithashtu përdori termin ‘bolshevike’ për masat shtrënguese dhe se kjo situatë duhet të ndryshonte.
“Mendoj se ka vend për masë tjetër, arrest me burg është gjithmonë i papërshtatshëm në këto raste, duke qenë kryebashkiak dhe personalitet, masa është pak e tepruar. Të hiqet dorë nga metodat bolshevike, ka dhe masa të tjera, siç është në Perëndim, psh Berluskonin, kryebashkiakun e Parisit apo në vende të tjera. Kemi vendimin e Strasburgut, Shqipëria kritikohet për masat bolshevike që aplikohen. Ka pasur një mesazh në telefon në mes të natës dhe ajo është thjesht e verifikueshme, në vigjilje të vitit të ri”, u shpreh ai.
Edhe ish-deputeti Halit Valteri u shpreh me kritika të forta ndaj SPAK dhe GJKKO, duke thënë se Veliaj u arrestua pa gjyq e prova.
“Jetojmë në Shqipëri dhe do t’i provojmë të gjitha këto stile. Një vendim pa gjyq ndaj Veliajt, por kemi kaluar 45 vite do kalojmë edhe po kaq të tjera. Si mund të arratiset Veliaj kur lëviz çdo javë jashtë Shqipërisë për punë dhe rikthehet sërish në zyrë. Këto fjalë mund t’i ketë shkruar Nesti Angoni. Në media kanë dalë për arratisje, edhe arratisjen dhe burgun media ia dha, çimi me çimat e tjerë. Këta në dorë e kanë, ta shkelin me makinë, ta varin, ta çojnë në SPAK. Jemi si në kushtet e komunizmit, me letra anonime, agjitacion propagandë. Këta kanë shkuar te masa më e fundit, kjo s’mund të jetë për një njeri në krye të detyrës, s’mund të jetë arrest me burg pse do arratiset, kur 3 ditë para ishte kthyer nga jashtë. Mund të kishe marrë masën detyrim paraqitjeje dhe nëse nuk vinte mund të veproje si me Berishën. Ti e vë para gijotinës dhe ti thua pse e sulmon prokurorin Olsi Dado”, tha ai.
Ish-deputeti këmbënguli se bëhet fjalë për standard dhe jo për mbrojtje të Veliajt.
“Unë nuk jam avokat i Veliajt, ne flasim për standardin, jo sulm ndaj SPAK. Ka masa të tjera që mund të aplikoheshin, nuk gjykojmë fajësinë apo pafajësinë e tij se është Gjykata. Veliaj ka rrugë të gjatë me drejtësinë, ne flasim për standardet e përdorura dhe makutëria që të mos i lejosh familjen, kolegët, pra duhet të futemi te gjërat personale. Ndaj ka të drejtë të kërkojë zëvendësimin e prokurorit. Ka pretendime për një violinë, më ke marrë në këtë datë, në atë datë”, tha Valteri.
Avokati Edmond Petraj theksoi se Veliaj duhet të nxitonte “me shpejtësinë e dritës” për të kallëzuar apo bërë ankesë me prova, pasi është i vonuar.
“Nëse ke probleme me prokurorin dhe ankesa, duhet t’i drejtohesh organeve përkatëse, ILD, KPK etj. Duhet të mos përqendrohet në reagime, por duhet të bëjë kërkesë e mbështetur mbi prova. Nëse e ka bërë, është çështje tjetër, kjo s’e shpëton nga ballafaqimi me dosjen. Nëse e refuzon Dumani kërkesën, t’i drejtohet një institucioni tjetër. Pra nëse i bën kallëzim prokurorit, prokurori largohet menjëherë. Ai duhet të veprojë shpejt. Po të isha avokat i Veliajt do të nxitoja me shpejtësinë e dritës, do nxitoja”, tha juristi.
Kurse gazetari Flogert Muça u shpreh:
“Nëse prokurori të drejtohet ta tregoj unë ty, jam unë këtu etj., a mund të jesh më prokuror. Veliaj po bën edhe mbrojtje publike, edhe juridike”.
Anri Bala hodhi dyshime te Nesti Angoni, duke vënë në dukje se Veliaj është kërcënuar dhe fyer në masën e sigurisë nga prokurori dhe në audio gjendet fjala ‘ndyrsirë’. Jo vetëm kaq, por edhe për prokurorin Dado ngriti dyshime për të kaluarën e tij universitare, teksa shtoi se Dado është i njëjti prokuror i Jorgo Goros dhe i Erion Veliajt.
“Problemi është se si sillen në gjykata me qytetarët, terrorin që përjetohet. Madje edhe te presionet, audio, debatet, fyerjet, shumë mirë mund të dëgjohet edhe fjala ‘ndyrsirë’ që prokurori i thotë Veliajt në masën e sigurisë, mjafton pak teknologji dhe të dëgjohet mirë. Edhe rasti i Nesti Angonit me lind pyetja se çfarë është ky, femër, mashkull apo hermafrodit. Kemi edhe rastin e Strasburgut me kritikat për masat shtrënguese. Olsi Dado ka hetuar edhe rastin e kryebashkiakut Jorgo Goro dhe financierja te Goro është e njëjtë me atë të Ajola Xoxes. Është një Adela Kondakçiu. Olsi Dado duhet të na sqarojë nëse kursin e pas viteve 90-të e ka ndjekur atë kursin në Greqi që pretendon, pasi në atë kohë ka pasur operacione “fshesa”, më janar-mars 1993 kur Dado pretendon se ka mbaruar Filozofi”.
Ish-prokurori i Tiranës, Ervin Karanxha, i ftuar sot në “Frontline” të Report Tv, u shpreh se kryebashkiaku Erion Veliaj duhet të hetohet në gjendje të lirë dhe jo në arrest me burg, për faktin se është zyrtar i lartë që nuk përbën rrezikshmëri arratisjeje dhe se masa është represive jo vetëm për këtë rast, por edhe të tjerë, si ai i ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi, që fitoi gjyqin në Strasburg.
“Kryebashkiaku Erion Veliaj duhet hetohet i lirë, njësoj si kryetari bashkisë së Nju Jorkut, që akuzohet për korrupsion. Masa është represive, nuk ka nevojë për masa bolshevike dhe kjo duhet ndryshuar, e thotë edhe Strasburgu. Mendoj se ka vend për masë tjetër, arrest me burg është gjithmonë i papërshtatshëm në këto raste, duke qenë kryebashkiak dhe personalitet, masa është pak e tepruar. Ka dhe masa të tjera, siç është në Perëndim, psh Berluskonin, kryebashkiaku i Nju Jorkut apo në vende të tjera. Kemi vendimin e Strasburgut, Shqipëria kritikohet për masat bolshevike që aplikohen. Ka pasur një mesazh në telefon në mes të natës dhe ajo është thjesht e verifikueshme, në vigjilje të vitit të ri”, u shpreh ai.
Gjithashtu ai theksoi se kërkohet reformim i drejtësisë, pasi qytetarët nuk po gjejnë të drejtat prej tre dekadash për pronat.
“Unë mendoj se SPAK dhe drejtësisë ka ardhur në kohë për një reformë. Kjo, sepse kemi gjyqe që zgjasin me vite, madje njerëzit i nisin gjyqet 40 vjeç dhe i mbarojnë 70 vjeç. Nuk është e rrugës që një person të drejtën e pronës në gjykatë të mos e marrë pasi të vdesë, se nuk është normale”, tha ish-prokurori.
Komente
