Politikë

KAS shqyrton ankimin e PD për Dibrën, Logu përplaset me Rusmalin për pamjet filmike: Të përjashtohet nga çështjet tona, ka konflikt interesi! Mblidhen më 5 qershor (VIDEO)

30 Maj, 13:30| Përditesimi: 30 Maj, 16:53

  • Share

Mbledhja për shqyrtimin e ankimimit të Partisë Demokratike për pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Dibrës, shkoi me debate dhe tension në fundin e saj gjatë ditës së sotme, (30 maj).

Shkak u bë shprehja ‘mos bëni fodullin me institucionin’, e përdorur nga ana e anëtarit të KAS, Ilirjan Rusmali, i cili teksa i kërkonte përfaqësuesit ligjor të PD-së që për një nga qendrat e votimit ku pretendohej parregullsi dhe rinumërim të dorëzoheshin pamje filmike me episode konkrete ku gjendeshin shkeljet, u ndërpre nga ky i fundit.

Duke i kujtuar se “ishte i ri dhe shpesh gabon” për ndërprerjen e fjalës që i bëri, Rusmali e sqaroi Logun se kjo ishte procedurë që kërkohej jo vetëm ndaj PD-së për dorëzim prove, por edhe ndaj KQZ-së.

“A ka mundësi se kërkesa ime ishte shumë e qartë...”, e ndërpreu Logu anëtarin Rusmali, teksa ky i fundit i kërkoi relatorit që të ndërhynte se po i ndërpritej fjala.

Rusmali u shpreh:

“Të flas pak unë pastaj merre ti fjalën. Kjo procedurë është procedurë e institucionit dhe fodullin mos e bëj me institucionin tani se nuk po bën mirë...!”

Kjo shkaktoi irritimin e përfaqësuesit ligjor të PD-së, i cili kërkoi përjashtimin e Rusmalit nga KAS për shkak të konfliktit të interesit dhe shprehjes fyese të përdorur.

“Zoti Lako (relatori i çështjes), unë kërkoj që zoti Rusmali të përjashtohet nga i gjithë procesi i ankimimeve që ka bërë PD në KAS, sepse nuk garanton paanshmëri në këtë proces. Ka edhe konflikt interesi të cilin ne do ta demonstrojmë nga ky moment t’i ndërpritet fjala dhe të mos përfshihet më në këtë procedurë. Këto fjalët fodullëk etj. Etj., këto mbaji për vete. Dhe kërko falje sepse unë nuk të ofendova mesa kam informacion, dhe me mua ti duhet të ruash etikën”, tha Logu.

Relatori i kujtoi përfaqësuesit të PD-së që të respektonte rregullat e institucionit gjatë mbledhjes në lidhje me ndërhyrjet që bënte.

Rusmali rimori fjalën për ta çuar mendimin e tij ligjor deri në fund:

“Procedura e këtij institucioni kërkon këtë që them unë dhe kjo që them unë është detyrim për ty si palë. Nuk është në zgjedhjen tënde. Provat sillen vetëm në këtë mënyrë e kontekst (Logu vijon e ndërpret dhe Rusmali i kërkon relatorit përsëri që të ndërhyjë)....”.

-Zoti Logu mos ndërhyni, lëreni ta mbarojë...!, i tha relatori

Rusmali vijoi fjalën e tij:

“...Unë e them për të ndihmuar dhe kur ndihmohet pala, pala është mirënjohëse. Me sa duket vështirësia duket se ekziston edhe në këtë mënyrë. Por prova duhet të vijë vetëm në këtë formë, sepse nuk vjen dot ndryshe. Tani, i drejtohet kolegëve, do ta formulojë kërkezën për përjashtimin tim, apo do presim...?”.

Relatori i drejtohet Logut nëse ishte moment nervozizmi apo do vijonte të formulonte kërkesën për përjashtimin e Rusmalit.

“Jo, jo, do formulojmë kërkesë dhe do e paraqesim”, u përgjigj ai.

Ndërsa relatori i kërkoi të formulohej me shkrim dhe të ishte gati seancën e ardhshme, Logu u shpreh se do bëhej gati përpara seancës së radhës.

“Kur të vini në seancën tjetër ju kërkoj që ju të vini bashkë me provën që pretendoni për kutinë e votimit dhe pamjet filmike për qendrën 1093, gjithashtu të keni kohë për t’u njohur edhe me raportin e PEI”, tha relatori.

Në mbyllje të mbledhjes, ai u shpreh se seanca mbyllej dhe shtyhej për në datën 5 qershor, ora 13:00 e pasdites.

Logu reagoi pas mbledhjes edhe me një postim në rrjetin social Facebook, ku nënvizoi konfliktin e interesit të Rusmalit:

“Nuk mund të jesh edhe vartës i Bajram Begajt, edhe anëtar i Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve – organit që supozohet të bëjë drejtësi zgjedhore. E para, sepse nuk e lejon Kodi Zgjedhor dhe e dyta, sepse je në konflikt interesi. Prandaj, paralajmërova sot kërkesën për përjashtim të këtij noteri recidivist të farsave elektorale të Edi Ramës nga shqyrtimi i ankesave zgjedhore të Partisë Demokratike”.

Diskutimet/ PD: Pavlefshmëri, kapëm makinën e biznesmenit me lista dhe para! KQZ: Nuk pati paregullsi

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, KAS, vijoi sot shqyrtimin e ankimimeve të depozituara nga PD-ADSHM për tabelat e rezultateve të certifikuara nga KQZ për zgjedhjet e 11 majit, ku pas Kukësit mori në dorë edhe Dibrën.

Edhe për këtë qark, ku PD mori vetëm 2 mandate ndaj 3 të PS, me një përmbysje historike elektorale për Dibrë, demokratët pretendojnë parregullsi të shumta, duke dorëzuar pothuajse të njëjtën dinamikë provash si në rastet e tjera.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, lexoi pretendimet e tij, mes tyre; Përfshirja e administratës, falja e gjobave, përfshirja në fushatë elektorale, intimidime, presione dhe patronazhistët, raportime për shit-blerje votash dhe ndikim kriminal, orientimi dhe manipulimi i votës së diasporës dhe ndryshim të shifrave të rezultateve në vota. Në risi, PD po dorëzon si prova në KAS edhe shkrime nga media e familjes së Berishës, gjatë fushatës, ditën e votimit dhe pas saj.

"Pati transformim, manipulim dhe deformim masiv të votës së diasporës për këtë qark. Në Dibër u kap para ditës së zgjedhjeve edhe makina e biznesmenit Fiqiri Pali me para, karburant dhe lista zgjedhësish brenda saj. Me këto para do bliheshin edhe votuesit e PD-së. Biznesmeni me firmën e tij kishte fituar edhe tenderë nga qeveria", tha përfaqësuesi i PD-së mes të tjerash.

PD kërkon pavlefshmërinë mbi bazë parregullsish dhe përsëritje të zgjedhjeve në të 12 qarqet.

Përfaqësuesit e KQZ-së deklaruan se "tabelat përmbledhëse janë firmosur edhe nga përfaqësues të PD-së dhe nuk ka pasur parregullsi që ndryshojnë rezultatin përfundimtar apo prova të forta që çojnë në pavlefshmëri dhe përsëritje të tyre".

Drejtoresha Pavlina Doçaj u shpreh ndër të tjera se nuk ka pasur prova të forta që të faktojnë ndryshimin e rezultatit përfundimtar, teksa servireshin nga PD edhe shkrime portalesh e mediash si prova.

Edhe përfaqësuesja ligjore e PS-së, Elena Xhinaj, u shpreh se PD-ADSHM nuk kishte dorëzuar asnjë provë që fakton parregullsinë e zgjedhjeve në Dibër dhe janë vetëm pretendime.

"Nuk provohet se shkeljet kanë ndikuar në rezultat, nuk u sollën as prova bindëse, por pati vetëm pretdendime nga pala ankimuese", tha ajo mes të tjerash.

Aktualisht KAS po zhvillon mbledhjet për qarqet Kukës, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Dibër dhe Korçë, ndërsa në proces ka edhe të tjerat.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?