Politikë

KAS shqyrtoi Vlorën, PD: Nuk rakordonin fletët e votimit, pavlefshmëri! Bele: Nëse s’ka prova, nuk shkon t'i hapësh kot, ndryshe mbetemi gjithë beharit këtu!

10 Qershor, 12:15| Përditesimi: 10 Qershor, 18:24

  • Share

Partia Demokratike kërkoi në KAS rihapjen e kutive të votimit në qarkun e Vlorës për zgjedhjet e 11 majit, sepse ka parregullsi me fletët e votimit, si dhe të shpallet pavlefshmëria e rezultatit e të përsëriten zgjedhjet.

Opozita u shpreh se ka parregullsi me fletët e votimit në 43 kuti, ku nuk rakordojnë shifrat e fletëve të hedhura në kutitë e votimit, me ato të papërdorura, në shumatore përfundimtare për ato që janë vënë në dispozicion nga KQZ për procesin në qendra.

Por relatori i KAS, Koli Bele, u shpreh se për Vlorën ishte bërë prova me hapjen e disa kutive dhe nuk rezultoi asnjë parregullsi, pasi fletët e papërdorura ishin gjetur të gjitha. Ai shtoi se nuk mund të hapen kutitë kot më kot pa asnjë provë bazike dhe konkrete, sepse ndryshe do kalonin të gjithë beharin me një procedurë të pavlerë. Në fund KAS e rrëzoi me 3 vota të anëtarëve të PS-së kërkesën e PD-ADSHM.

“Edhe kështu hap kutitë kot, nuk shkon. Le të rrimë gjithë beharin me këtë gjë këtu, e të shkojmë deri në fund korrikut me çështjen. Ne i pamë kutitë e Vlorës që hapëm më parë dhe nuk u panë parregullsi”, tha Bele.

Kurse përfaqësuesi i PD, Franc Nuri tha mes të tjerash:

“Ne pretendojmë se ka fletë që mungojnë në kutinë e votimit, Duhet të gjendet nëse mungojnë 5 fletë votimi të papërdorura apo numrat e ndryshëm nga procesverbali në kuti, pse mungojnë ato fletë dhe ku janë, ose si janë gjendur në kuti. Dilnin në një kuti më shumë fletë votimi sesa të përdorurat”.

Përfaqësuesja e PS, Elena Xhina e quajti të pakuptimtë kërkesën e PD-së dhe zvarritje proceduriale pa sens.

“Ky proces nuk ma më kuptim kështu të zvarritet pa objektiva madhorë. Kjo duket si një gur i madh që rrokulliset dhe nuk dihet se çfarë do marri përpara. Nuk shkon ky proces pa një objektiv madhor dhe prova. Për mua është e kot të vazhdojmë kështu, nuk ka sens”, u shpreh ajo.

Administrata e KQZ nënvizoi se pretendimi i PD-së nuk qëndronte për Vlorën, ishin hapur kutitë, verifikuar edhe gjatë procesit ku nuk u gjetën problematika. Ata shtuan se subjekti po ngatërronte objektin e diskutimit, me disa kuti të tjera, që nuk ishin të Vlorës.

KAS më pas i dha kohë KQZ-së që të sillte një përgjigje zyrtare nëse qëndronte pretendimi i PD-së për mungesë fletësh te kutia e votimit apo mosrakordim të tyre në shifra, krahasuar me procesverbalet dhe ato që gjenden brenda kutisë.

U kërkua që të bëhen krahasimi nëse mbledhja e fletëve të përdorura me të papërdorura sillte rezultatin e njëjtë të fletëve të vëna në dispozicion nga KQZ për atë qendër, teksa mbledhja u shty për më pas.

Në rithirrjen e saj, KQZ raportoi shifrat për 43 kutitë e votimit që pretendonte PD-ja, duke lexuar numrin e fletëve të përdorura, të papërdorura dhe inventaqrin total që ishin grumbulluar prej tyre, në raport edhe me numrin e zgjedhësve.

Në fund Nuri tha se janë të paktën 110 fletë votimi që nuk rakordojnë dhe nuk dihet se ku kanë përfunduar, ose mesatarisht 3 fletë për qëndër votimi, duke ia bashkangjitur si provë ankimimit të tij për KAS. KQZ deklaroi se pretendimi i PD nuk qëndronte, pasi nuk mungojnë fletët dhe të njëjtin qëndrim mbajti edhe përfaqësuesja e PS-së. 

KAS pasi dëgjoi përsëri palët,e shtyu mbledhjen për në fund të ditës. Në fund u shpreh me vendimin përfundimtar, ku rrëzoi kërkesën e PD-ADSHM, por edhe të Nismës Shqipëria Bëhet, që gjithashtu kishte ankimuar për këtë qark.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?