Familjarët duke mbajtur pankarta me fotot e pengjeve
Një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe armëpushimin e mundshëm në luftën midis Hamasit dhe Izraelit dakordësua mes negociatorëve në Paris këtë fundjavë, sipas një zyrtari të njohur me bisedimet.
Bisedimet janë në një fazë të hershme dhe shumë detaje do të duhet të përpunohen nëse Hamasi pranon. Katari i ka paraqitur propozimin liderëve politikë të Hamasit, të cilët do t’ia përcjellin atë udhëheqësve ushtarakë të grupit. Ky proces mund të zgjasë ditë ose edhe më gjatë.
Në kuadrin e propozuar, Hamasi do të lirojë pengje të moshuar, gra dhe fëmijë gjatë periudhës së pauzës prej gjashtë javësh, thanë zyrtarët, të cilët ranë dakord të flisnin në kushte anonimiteti.
Disa zyrtarë izraelitë thonë se numri i pengjeve për lirimin e parë është 30 deri në 35, por ky është një vlerësim dhe negociatorët nuk e dinë numrin aktual. Është e paqartë nëse ushtarët femra do të përfshihen në pengjet e liruara në planin që po diskutohet, raporton CNN.
Hamasi mori peng 240 persona në sulmet terroriste në jug të Izraelit më 7 tetor, të cilat gjithashtu rezultuan në rreth 1200 të vdekur, thanë zyrtarët izraelitë.
Që nëntori, bisedimet për lirimin e pengjeve kishin ngecur. Kushtet u vendosën të dielën në Paris nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Izraelit, Katarit dhe Egjiptit.
Uilliam J. Burns, drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, mori pjesë, si dhe krerët e shërbimit të inteligjencës izraelite, Mossad, dhe agjencisë së sigurisë së brendshme, Shin Bet.
Një zyrtar tha se Burns ishte shumë i dobishëm për t’i bërë përfaqësuesit izraelitë të binin dakord me disa nga sugjerimet. Blinken nuk pranoi të jepte detaje në një konferencë shtypi pasdite, duke thënë se “sa më pak të thuhet, aq më mirë”.
Por ai tha se propozimi tani në tryezë është “një propozim bindës”.
Lajmi kryesor:
Lufta/ Hamasi shqyrton propozimin e armëpushimit: Prioriteti është ndalimi i luftës! Biden: Unë nuk dua një zgjerim të konfliktit në Lindjen e Mesme
S.S/ReportTv.al