Ekskluzive/ 4 shqiptarët ‘kokat’ e grupit të drogës, SPAK i kishte në vëzhgim! Kokaina vinte edhe nga Brazili! Hetime nëse vilën te ‘Kodra e Diellit 2’ e morën me qira apo e kishin në pronësi

17 Nëntor, 09:45| Përditesimi: 17 Nëntor, 19:25

  • Share

TIRANË- 850 lëkurat e kriposura të gjedhit në të cilat është fshehur kokainë, hetuesit shqiptarë në bashkëpunim me partnerët e huaj, e dinin shumë mirë se ishin ngarkuar në kontejnerë në vende të Amerikës Latine dhe do të vinin në rrugë detare në portin e Durrësit. Plot 48 ton, në dy ngarkesa, njëra në shtator dhe tjetra në nëntor, janë vëzhguar nga SPAK dhe janë lënë të veprojnë të lira deri në itinerarin e fundit, për t’i dhënë goditjen finale grupit të drogës, me 10 arrestime në total.

Për grupin hetimor, 4 nga 7 shqiptarët e arrestuar janë kryesorët e grupit, organizatorë dhe financues të rrjetit kriminal të trafikut të kokainës drejt Shqipërisë, dhe më tej shitjen e saj në tregjet e vendeve europiane.

Rolin kryesor dyshohet ta ketë Geis Fejsullai 42 vjeç. Vila në rezidencën e banimit “Kodra e Diellit 2” në Tiranë, që shërbente si bazë e grupit, dyshohet të jetë e tij, në pronësi apo e marrë me qira, SPAK ende po e heton. Aty, dhe në një tjetër ambient mbështetës të këtij grupi, pranë portit të Durrësit, u gjetën në total 6.1 kg kokainë.

Banesa e shndërruar në laborator ku 3 kimistë të huaj, nga Kolumbia e Venezuela ndanin drogën nga lëkura, dyshohet të jetë në pronësi Endi Sejdini vetëm 25 vjeç, e pozicionuar në pikë strategjike, pranë aeroportit të Rinasit, në fshatin Qerekë.

Klajdi Birçe 30 vjeç dhe Artion Çaushllari, 37 vjeçar një personazh që ka ushtruar edhe funksione publike pasuar nga, po ashtu sipas SPAK janë në mesin e organizatorëve dhe financuesve. Ndërsa 37-vjeçari Aldi Zonja, Ismail Abdurrahmanaj 51 vjeç nga Shkodra dhe Baki Huqi 57 nga Durrës, i dënuar për dy vrasje në ’97 dhe 2013-ën, kishin role dytësore në shërbim të aktivitetit kriminal

Ngarkesat me drogë që vinin fshehur në lëkurat e bagëtive, sipas burimeve nga SPAK, nuk janë nisur vetëm nga vende të Amerikës Latine, si Kolumbia, Venezuela apo Ekuadori, me të cilat bandat shqiptare kanë një marrëdhënie të gjatë trafiku, por edhe nga Republika Domenikane dhe Brazili. Jo më kot kreu i SPAK Altin Dumani dhe prokurori tjetër, Adnan Xholi që po hetojnë grupin, qëndruan 1 javë në Brazil së fundmi, ku deklaruan se do të çmontinin rrjetet e trafikut të drogës. Tranzit dyshohet të jenë përdorur portet italiane për të mbërritur në brigjet shqiptare, megjithatë itinerari i plotë është ende duke u hetuar.

Prokuroria e Posaçme po punon me agjenci partnere të zbatimit të ligjit, për subjekte të tjera që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet, dhe kryesisht shqiptar që kanë luajtur rol domethënës për të siguruar kokainën në Amerikën Latine apo kanë koordinuar veprimet atje. Burime nga SPAK thonë se Aldi Zonja, i arrestuar, gjatë kohës së pandemisë pati një qëndrim të gjatë në Amerikën Latine ku shkoi për vizitë turistike dhe qëndroi izoluar edhe nga bllokimi i fluturimeve.

10 personat e arrestuar dalin për masë në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, të hënën e 18 nëntorit në orën 09:30.

Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 6.1 kg kokainë, 89 kg përzierës të ngurtë, 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës dhe mbi 51 mijë euro. Plot 22 celularë janë në duart e SPAK që përmes hetuesve të BKH-së pritet të zbulojë më shumë mbi komunikimet e këtij rrjeti kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM, ndërsa 3 automjete u sekuestruan bashkë me dokumente të tjera të rëndësishme.

Të arrestuarit
Shtetas shqiptar:
1- Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2- Klajd Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3- Artion Çaushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
4-Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë
5- Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
6- Ismail Abdurrahmani,  51 vjeç, banues në Shkodër
7 - Baki Huqi,  57 vjeç, banues në Durrës
Shtetas të huaj:
1- Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian
2- Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian
3- Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç, shtetas venezuelian

Ora 15:32
Trafiku i kokainës kamuflohej në lëkurët me të cilat do bëheshin xhupa dhe çizme! Ishte magazinuar në Tiranë, interes produkti i fshehur

Moment nga operacioni antidrogë i policisë, te 'Kodra e Diellit 2'

Detaje të reja nga operacioni i SPAK dhe autoriteteve spanjolle, për goditjen e një karteli narkotrafiku të kokainës nga Amerika Latine për në Shqipëri, ku përpunohej me metoda të sofistikuara, para se të hidhej në treg.

Sasia e lëkurave që dyshohet se ishin regjur në kokainë dhe po punohet për ta ekstraktuar me metoda kimike nga ekspertët, që i përkisnin gjedhëve, do të përpunohej më tej nga organizata dhe do përdorej për të prodhuar xhupa dhe çizme lëkure. 

Ajo vlerësohej si lëndë e parë me vlerë të konsiderueshme në treg nëse shitej. Gazetarja e Report TV, Keti Banushi, informon se për momentin kjo sasi lëkurash ku kamuflohej edhe trafiku i kokainës, ishin të vendosura në një magazinë në Tiranë dhe sipas hetuesve interesi ishte tek produkti i fshehur. 

Edhe hyrja e këtyre sasive të lëkurës në vendin tonë bëhej duke e “shitur” si biznes të rregullt të përpunimit industrial të lëkurës për konfeksione të ndryshme. Deri tani ka 48 tonë lëkurë të sekuestruara dhe 10 persona të arrestuar. Hetimet dhe aksioni janë ende aktive dhe priten rezultate dhe të dhëna të tjera me interes.

Ora 13:30
Grupi i trafikut të drogës, SPAK i kishte në vëzhgim! I lejoi të sillnin dy ngarkesat e fundit me kokainë më pas i 'goditi'

Burime për Report Tv thonë se SPAK ka qenë në dijeni të lëvizjeve të grupit dhe i kanë lënë të lirë të veprojnë në 2 ngarkesat e fundit, në shtator dhe në nëntor, për të sjellë ngarkesat me 48 ton lëkurë gjedhi brenda të cilave ka kokainë.

Në koordinim me partnerët e huaj, qëllimi ka qenë të gjurmohen deri në fund lëvizjet e grupit dhe personat e ndërhyrë në të derisa ndërhynë me arrestimet pas mbërritjes së kontejnerit të fundit në nëntor, në rrugë detare.

Ora 12:48
FOTO/ Pjesë e grupit të trafikut të drogës, i riu shkoi në Amerikën Latine si ‘turist’, por u bë trafikant! Jeta e luksit në rrjete sociale! Ja një prej 'kokave'

Aldi Zonja është një prej anëtarëve të grupit të trafikut të drogës që u arrestua pas operacionit të SPAK dy ditë më parë. 37-vjeçari, siç mësoi edhe Report Tv, kishte shkuar në Amerikën Latine me vizë turistike, por gjatë periudhës së pandemisë mbeti i bllokuar atje.

Gjatë kësaj kohe dyshohet se ai ka krijuar edhe lidhjet me trafikantët për të organizuar këtë skemë të mirëfilltë të trafikut të kokainës.

37-vjeçari, i përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme edhe si një prej anëtarëve të këtij grupi, shfaq në rrjetet sociale një jetë luksi. Jakuzi në breg të detit, ski, pjesë e dasmave të shtrenjta, nga ku ka ndarë edhe një foto me Artion Çaushllarin. Edhe ky i fundit ka rënë në pranga dhe është pjesë e kokave kryesore të grupit që drejtonin skemën e trafikut.  

Ndërkohë, nga operacioni i SPAK në pranga ra edhe Baki Huqi, 43 vjeçar. Ai rezulton të jetë arrestuar dhe dënuar më herët për 2 vrasje të kryera, njëra në vitin 1997 dhe tjetra në 2013-ën. Huqi, foton e të cilit ka arritur ta sigurojë në ’97-ën, Huqi ka qenë i dyshuar për vrasjen e Ardian Xhixhabesit dhe plagosjen e vëllait të tij, Përparim Xhixhabesi, në një sallë bingo në qytetin e Durrësit, pas një grindje që ka nisur për një tavolinë.

Ndërkohë, në vitin 2013, Baki Huqi, bashkë me dy persona të tjerë, vranë në fshatin Radë të Durrësit, Festim Lemjas, në një lokal me muzikë, në sherrin e nisur për një balerinë të lokalit. 57 vjeçari nga Xhafzotaj i Durrësit, Huqi rezulton të ishte dënuar edhe para vitit 2013.

Ora 12:15
Report Tv sjell pamjet, kjo është vila në rezidencën ‘Kodra e Diellit 2’ që shërbente si bazë për grupin e trafikut të kokainës (VIDEO)

Report Tv ka siguruar pamjet e vilës në rezidencën e VIP-ave në Kodrën e Diellit 2 që shërbente si bazë për grupin e trafikut të kokainës që u godit nga SPAK.

Report Tv mësoi se kjo vilë ishte marrë me qira nga një prej kokave të grupit, por ende po hetohet nga SPAK.

Ora 12:06
Grupi i trafikut të drogës, burime: Kokaina vinte edhe nga Brazili! Vizita e Dumanit 2 javë më parë te zyrtarët brazilianë: Do çmontojnë bandat shqiptare

 

SPAK po vijon hetimet lidhur me grupin e trafikut të kokainës që u godit dy më patë, që sillte drogë nga Amerika Latine për ta përpunuar në laborator në vendin tonë dhe më pas e trafikonin drejt vendeve të BE. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për Report Tv se droga importohej në vendin tonë nga vende të ndryshme të Amerikës Latine, si Ekuador, Venezuelë apo edhe Kolumbi. Një sasi e drogës. Burimet thonë, se ka ardhur edhe nga Brazili apo Republika Domenikane.

Jo më kot më 5 nëntor një grup i prokurorëve të posaçëm ishte për vizitë në Brazil, përfshirë Altin Dumanin dhe Adnan Xholi që hetojnë grupin e drogës, sepse nga Brazili dyshohet të ketë ardhur një pjesë e kokainës.

Kokaina dyshohet se është futur në vendin tonë përmes Portit të Durrësit, ndërsa grupi hetimor po punon për të verifikuar ku është blerë produkti, ku është ngarkuar në kontejner dhe itinerarin që kanë ndjekur anijet, kalimin tranzit deri në sjelljen e drogës deri në vendin tonë.

Ora 10:20
Pjesë e grupit të trafikut të drogës, i riu shqiptar shkoi si turist në Amerikën Latine, por mbeti i izoluar gjatë pandemisë! Lidhi kontaktet me trafikantët

1731761889_aldizonja.jpg

Report Tv ka mësuar detaje të reja nga grupi i trafikut të kokainës që u godit nga SPAK. Droga vinte nga Amerika Latine duke u fshehur në lëkurën e gjedhit dhe më pas përpunohej në vendin tonë për t’u trafikuar drejt BE.

Një prej anëtarëve të grupit ishte edhe 37-vjeçari Aldi Zonja. Burime bëjnë me dije se 37-vjeçari kishte shkuar me vizë turistike në Amerikanë Latine, por gjatë pandemisë mbeti atje i izoluar.

Gajtë kësaj periudhe, dyshohet se Zonja krijoi lidhjet dhe kontaktet me trafikantë e drogës dhe më pas me bashkëpunëtorë të tjerë ngritën edhe skemën e trafikut të kokainës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 17/11/2024 23:51

    Kur nje shqipo zgjedh vende te A.Latine per turizem,vetem turizem nuk eshte,ose do te ishte i besueshem po te kishte vizituar shume vende te tjera perpara,atehere po,do te ishte me te vertete turist i besueshem.

    Përgjigju
  • Fshati: 17/11/2024 14:25

    Mashallah sa I forte eshte bere SPAK. Vetem Berishes I tutet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?