Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar sërish ditën e sotme në lidhje me intensifikimin e kërcënimeve ndaj gazetarit të Report Tv në Gjirokastër, Piro Nase.
AGSH kërkon reagimin urgjent të autoriteteve dhe të sigurojnë mbrojtjen e gazetarit Piro Nase.
Kujtojmë se ditën e sotme, vajza e mitur e gazetarit Piro Nase është kërcënuar sot nga djali i Dhurim Çenkos, shefi i Krimeve në Përmet i cili u pezullua nga detyra për skandalin seksual në atë qytet pak javë më parë.
Kërcënimet ndaj gazetari Piro Nase nisën pikërisht sepse ishte i pari që denoncoi pezullimin e shefit të Krimeve në Përmet.
Boris Çenko, djali i shefit të Krimeve në Përmet, i nisi kërcënimet një ditë më parë ndaj gazetarit, për të cilat Piro Nase bëri denoncim në polici. I riu Boris Çenko u shoqërua në policia dhe më pas u la i lirë. Ai hetohet në gjendje të lirë. Ndërsa sot ka vijuar kërcënimet ndaj vajzës së gazetarit.
Reagimi i AGSH:
REAGIM PËR THELLIMIN E KËRCËNIMEVE NDAJ GAZETARIT PIRRO NASE
Fatkeqësisht, sulmet ndaj gazetarit të Report Tv, Pirro Nase nuk janë ndalur, pavarësisht denoncimit të kërcënimeve në polici dhe publikimit të të dhënave.
AGSH është njohur sot nga gazetari më kërcënimin e vajzës së tij nga familjarë të një punonjësi policie për të cilin Nase ka raportuar.
Ky është një akt i rëndë për të cilën autorët e dyshuar duhet të mbajnë përgjegjësi.
Ne bëjmë thirrje për veprime të menjëhershme të autoriteteve shtetërore dhe sigurimin e mbrojtjes së gazetarit dhe lejimin e tij të kryejë detyrën pa frikësim dhe pengesa.
AGSH solidarizohet me kolegun Pirro Nase dhe familjen e tij në këto momente.
Gjejmë rastin të apelojmë për gazetari të përgjegjshme dhe etike.
Lajmi kryesor:
Dje u kërcënua nga djali i shefit të Krimeve në Përmet, gazetarit Piro Nase i kërcënojnë edhe vajzën e mitur: Do ju shkoj në satër si familje! Policia nuk vepron
V.GJ /ReportTv.al
