Politikë

Nesër afati i fundit për regjistrimin e diasporës, PD kërkon shtyrjen! Celibashi e PS me një ‘mendje’: Ndihmojmë vetëm të refuzuarit! Zarfi s’dërgohet me Postën Shqiptare

3 Mars, 11:32| Përditesimi: 3 Mars, 17:07

  • Share

TIRANË- Këtë të martë në mesnatë përfundon afati për emigrantët që duan të regjistrohen si zgjedhës nga jashtë. Fluksi ka qenë i lartë, edhe në ditët e fundit.

“Të dielën u shënua rekordi i 16 302 aplikimeve brenda një ditë”, tha Celibashi. 

Teksa interesi nga diaspora ngel i lartë, PD ka kërkuar që afati i regjistrimeve të shtyhet, por PS nuk e ka pranuar, e Celibashi thotë se nuk bën dot gjë pa konsensus.

‘Data 9 mars është një datë që ne nuk shkojmë dot përtej saj sepse është përcaktuar nga ligji. Deri në datën 9 ne mund të flasim dhe të diskutojmë për afate të tjera, pra nuk mund të shkojmë përtej datës 9.  Ka qenë një kërkesë që të shtyhet afati për ditët, për ne s’ka problem, por PS s’ka qenë dakord me këtë ide duke thënë se data 4 është e njohur për të gjithë dhe se është afati i fundit dhe shtyrja për 2 ose 3 ditë nuk do të ndryshonte ndonjë gjë të madhe’, tha ai.

Ilirjan Celibashi kërkon një të mesme të artë, për të mos pritur aplikime të reja pas të 4 marsit, por për të lejuar KQZ-së që deri në 8 mars, të ndihmojë 42 mijë të refuzuar të ribëjnë saktë aplikimin.

“Kemi mundësinë t’i kontaktojmë online dhe t’i udhëzojmë. As kjo nuk bëhet pa konsensus politik”, tha ai. 

Me këtë propozim të Celibashit bie dakord edhe PS, ndërsa Elena Xhina, përfaqësuesja e socialistëve pranë KQZ thotë qartë se afati nuk ka përse të shtyhet për të gjithë emigrantët, por të ndihmojnë vetëm ata që kanë shprehur vullnetin për të votuar, por që kërkesat u janë refuzuar për shkak të mangësive gjatë aplikimit.

"Në përgjigje të interesimit të medias në lidhje me idenë e shtyrjes së afatit të regjistrimit në platformën PER të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, Partia Socialiste ka mbështetur mundësinë e marrjes së kësaj mase vetëm për ata shtetas të cilët aktualisht figurojnë në sistem si aplikantë të refuzuar.

Marrë në konsideratë faktin se këta shtetas i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së KQZ për regjistrim; e kanë shprehur vullnetin e qartë brenda afatit të deklaruar; janë në një numër të konsiderueshëm (42,000); kanë aktualisht një llogari të hapur në sistem dhe u është njohur e drejta e riaplikimit pavarësisht të qënit të refuzuar; shtyrja me disa ditë e afatit mund tu krijojë atyre shansin e fundit për të korrigjuar mangësitë dhe konfirmuar regjistrimin.

Partia Socialiste thekson se kjo masë shtyrjeje nuk ka arsye të zbatohet për aplikantë të tjerë jashtë kësaj kategorie, të cilët nuk e kanë aktualisht një llogari të hapur në sistemin PER.

Falë angazhimit të KQZ-së por dhe forcave politike me fushatën e gjërë të informimit, vlerësojmë se ka qenë koha e mjaftueshme që çdo shtetas i interesuar të bëhej pjesë e procesit brenda datës 4 Mars.

Çdo shtyrje afati për kategorinë e aplikantëve që deri më tani nuk kanë shfaqur interes do të mund të konsiderohej sërish e pamjaftueshme dhe do të rrëzonte vet logjikën e afateve në një proces të tillë. Ndërkohë, dhënia e kohës shtesë për ata aplikantë që janë të refuzuar në sistem, do ti shërbente shterrimit të të gjitha mundësive që vullneti i tyre për tu bërë pjesë e procesit të mos shkonte dëm", thuhet në një reagim të saj për mediat. 

Deri më tani, janë 270 mijë kërkesa nga diaspora, ku janë pranuar 218 mijë dhe janë refuzuar 42 mijë. Zarfi me fletën e votimit do të dërgohet në diasporë, në fillim të prillit. Por për këtë, nuk do të përdoret Posta Shqiptare, por vetëm posta ndërkombëtare, pas dyshimeve të opozitës se operatori shqiptar mund të jetë i ndikuar nga qeveria.

“Do të punojmë me postë ndërkombëtare, vetëm nëse nuk ja dalim me ta, do të konsiderojmë postën shqiptare”, tha ai. 

Gara për postën që do të transportojë votën e diasporës, do të hapet javën e ardhshme dhe KQZ shpreson që qeveria të japë fondin shtesë që është kërkuar, prej 9,3 mln eurosh.

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?