Policia e Shkodrës në vijim të operacionit të koduar ‘Avalon’ ka vënë në pranga 21-vjeçarin Jetmir Mehja, i cili akuzohet për prodhim të kriptomonedhave virtuale.
Për Jetmir Mehjan, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 30 maj ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Në datën 27 maj, në një magazinë në Shkodër u gjetën dhe u sekuestruan, 16 pajisje elektronike që shërbenin për gjenerimin e kriptomonedhave virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Në kuadër të operacionit, ‘Avalon’ u arrestua 43-vjeçari, Elvis Mehja, xhaxhai i 21-vjeçarit.
Po ashtu procedua penalisht në gjendje të lirë punonjësi i OSHEE-së, Fatjon Bengu. Sipas policisë Jetmir Mehja, 21-vjeç, dyshohet se përdorte 16 pajisjet elektronike, të cilat shërbenin për gjenerimin në mënyrë të jashtëligjshme të kriptomonedhave.
Sakaq gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Elvis Mehja, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në vijim të këtij operacioni u procedua në gjendje të lirë edhe shtetasi Fatjon Bengu, 33 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë lexues i aparatit matës, në OSHEE Shkodër, për veprën penale “Shperdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se ky shtetas ka mundësuar furnizimin e pajisjeve që gjenerojnë kriptomonedha virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Komente
