Gjykata e Vlorës ka dënuar me 1.6 vite burgim një avokate, e cila akuzohej për akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”. Dhurata Sulaj (Tafili) e ka parë veten të pandehur në bankën e të akuzuarve për dy akuza, por për njërën atë të korrupsionit, gjykata e shpalli të pafajshme. Avokatja ishte dënuar njëherë për këtë ngjarje, por pas rishqyrtimit dhe rigjykimit të çështjes Sulaj është dënuar sërish. Sipas dosjes së prokurorisë së Vlorës Dhurata Tafili i ka kërkuar shtetasit Ylli Salaj një shumë prej 50.000 lekë, shumë e cila është kërkuar me qëllim që ta ndihmonte në shtyrjen e ekzekutimit dhe të procedonte me një proces tjetër gjyqësor mbi interes të klientit Ylli Salaj. Ky i fundit, i ndodhur para faktit të kryerjes së ekzekutimit të titullit ekzekutiv nga ana e përmbarueses Algerta Fejzulla, ka denoncuar këtë fakt pranë Shërbimeve të Policisë Gjyqësore. Sipas tij kjo shumë të hollash do t’i jepej përmbarueses për të shtyre ekzekutimin dhe duhet që të paguhej nga ana e tij deri në datën 20 shtator 2014, rreth orës 08.00, pra para ditës së lënë për ekzekutim në 23 shtator 2014.
Mbi bazën e këtij kallëzimi nga ana e prokurorisë është regjistruar procedimi penal Nr. 1739 në shtator 2014,në kuadër të të cilit janë kryer një sërë veprimesh hetimore, me qëllim për të verifikuar si thëniet e kallëzuesit, ashtu edhe veprimet e të pandehurës. Salaj ka marrë përsipër edhe për të marrë pjesë në veprimet e përgjimit të organizuara nga shërbimet e policisë gjyqësore.
Në datën 20 shtator 2014, rreth orës 09:40 Ylli Salaj, nën vëzhgimin e shërbimeve të policisë gjyqësore, është takuar me Dhurata Tafili në afërsi të banesës së kësaj të fundit. Nga aktet e përgjimit të kryer, në këtë bisedë Ylli Salaj, i ka thënë të pandehurës se nuk e ka siguruar ende shumën e plotë të lekëve, se priste që ti vinte kunati nga Italia, i cili do ti jepte një shumë prej 250 euro. Nga ana tjetër avokatja Dhurata Tafili i ka thënë kallëzuesit se ajo mezi e ka shtyrë deri atë ditë, se lekët duheshin atë ditë, pasi në të kundërt përmbaruesja do të caktonte datën dhe do të kryente ekzekutimin e vendimit gjyqësor. E pandehura Dhurata Tafili i ka lënë afat kallëzuesit për të sjellë shumën e lekëve deri në orën 12.00 të asaj dite. Në vijim të veprimeve hetimore, është autorizuar kryerja e veprimeve simuluese, duke i dhënë kallëzuesit një shumë prej 50.000 lekë, dhjetë kartëmonedha të prerjes 5.000 lekë, me numrat e serive të përshkruara në proces verbalin e datës 20 shtator 2014, ora 11:30. Në datën 20 shtator 2014 rreth orës 12.30 Ylli Salaj është takuar përsëri me të pandehurën Dhurata Tafili, në afërsi të Gjykatës së Apelit Vlorë, dhe së bashku kanë lëvizur me automjetin me targa AA299BV, që drejtohej nga kjo e fundit. Dy personat e mësipërm kanë lëvizur me automjet deri në afërsi të stadiumit të qytetit, ku ka zbritur Ylli Salaj. Gjatë kohës që ka qenë në automjetin e mësipërm Ylli Salaj,i ka dhënë shumën prej 50.000 lekë, me numrat e serive të përshkruara në proces verbalin përkatës.
Gjithashtu, gjatë kohës që dy shtetasit e mësipërm kanë qenë në të njëjtin automjet e pandehura Dhurata Tafili ka telefonuar shtetasen Algeria Fejzulla ku kanë lënë takim në katin e dytë të pallatit ku ndodhet lokali me emrin "Face".Në bisedën telefonike, me qëllim që ta dëgjonte edhe kallëzuesi, e pandehura Dhurata Tafili i ka thënë Drejtores së Zyrës Përmbarimore Vlorë Algerta Fejzulla se, "…të solla qumështin nga fshati, ku ta bie…"-shprehje kjo që duke marrë në konsideratë të gjitha rrethanat e mësipërme, nënkupton shumën e të hollave. E pandehura Dhurata Tafili përsëri i ka thënë kallëzuesit se do të bënte të mundur që të shtyhej ekzekutimi i vendimit edhe për një periudhë prej një muaj e gjysmë dhe se shumën e të hollave do t’ia jepte përmbarueses gjyqësore. Më pas Dhurata Tafili ka parkuar automjetin dhe ka shkuar në qendrën estetike ku kishte lënë takimin me Algerta Fejzulla, ku është takuar me këtë të fundit. E pandehura ka qëndruar për disa minuta brenda në këtë qendër estetike bashkë me Algerta Fejzulla, më pas e pandehura Dhurata Tafili është larguar. Nga kontrolli personal i ushtruar Algerta Fejzulla i janë gjetur dhe sekuestruar nëntë kartëmonedha të prerjes 5.000 lekë, të cilat duke iu referuar numrave të serisë së kartëmonedhave, janë nga ato që Ylli Salaj i ka dhënë Dhurata Tafili.
Dënohet me 1.6 vite burg avokatja në Vlorë: Të solla qumështin (lekët) nga fshati, ku ta bie?
Dhurata Tafili i ka thënë Drejtores së Zyrës Përmbarimore Vlorë Algerta Fejzulla "…të solla qumështin nga fshati, ku ta bie…"-shprehje kjo që nënkuptonte shumën e të hollave.