Politikë

Këshilli Bashkiak i Vlorës nuk fut në rendin e ditës dhënien e 831 ha tokë për park fotovoltaik

21 Korrik, 13:33| Përditesimi: 21 Korrik, 17:51

  • Share

Këshilli Bashkiak i Vlorës u mblodh sot (21 Korrik 2025) në ambientet e Pallatit të Kulturës “Labëria” për të shqyrtuar pikat rendin e ditës me 8 pika. Mbledhja e sotme u shoqërua edhe me debate.

Disa prej pikave të rendit të ditës kaluan me miratim rutinë, por të paktën dy projektvendime të rëndësishme u rrëzuan, ndërsa një i tretë u fut në rend pa njoftim paraprak, duke shkaktuar tension dhe kritika të forta nga këshilltarët e opozitës.

Pika 5, që parashikonte nisjen e procedurës për dhënien me përdorim afatgjatë të kullotave publike në zonën e Shashicës, për një projekt zhvillimi me panele fotovoltaike, nuk arriti të futet në rendin e ditës. Komisioni i Bujqësisë në Këshillin Bashkiak refuzoi ta miratonte, duke pretenduar se Bashkia nuk kishte dokumentacionin e pronësisë së tokës. Por opozita e kundërshtoi me forcë këtë vendim, duke argumentuar se Bashkia është pronare de jure dhe de facto e asaj sipërfaqeje dhe se në të vërtetë pas këtij pengimi "luhej diçka tjetër", një interes i paqartë për të bllokuar projektin. Të njëjtët këshilltarë ngritën dyshime se ndoshta heqja e pikës ishte më shumë politike sesa procedurale.

Pika 6, ndërkaq, që lidhej me dhënien me përdorim të disa prej kabinave të plazhit të vjetër të Vlorës, një sipërmarrjeje zhvillimore nga Tirana, u tërhoq nga rendi i ditës me arsyetimin se drejtoresha e komanduar e Zyrës Juridike të Bashkisë ende nuk ishte njohur plotësisht me materialin. Ky projekt parashikonte riaktivizimin e strukturave të vjetra në vijën bregdetare dhe transformimin e tyre në një qendër të re biznesi dhe argëtimi. Por mungesa e përgatitjes së dokumentacionit ligjor krijoi jo vetëm vakum procedural, por edhe mosbesim te një pjesë e këshilltarëve për seriozitetin e ofertës.

Në mënyrë të befasishme, pak minuta para nisjes së mbledhjes, u shtua një projektvendim tjetër që nuk ishte përfshirë në rendin zyrtar të ditës dhe u komunikua vetëm 10 minuta para nisjes së seancës.

Fjala ishte për një projekt që rikthen në qendër të vëmendjes “kompleksin sportiv të premtuar” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, përfshirë stadiumin, pallatin e sportit, pishinat dhe një kompleks kullash me funksione banimi.

Fondi është tërhequr zyrtarisht nga projekti dhe tashmë një tjetër aktor shtetëror, Korporata Shqiptare e Investimeve, ka shprehur interes për të marrë projektin në dorë.

Këshilltarët e opozitës ngritën shqetësime serioze, duke kujtuar se ndërhyrja në këtë zonë mund të prekë MKZ-në, shtëpi dhe prona të banorëve që ndodhen në proces legalizimi, si dhe të sjellë pasoja sociale.

Ata këshilluan administratën të jetë e kujdesshme për ndikimet që ky projekt mund të ketë në jetën dhe pronën e qytetarëve. Megjithatë, projektvendimi u miratua, pavarësisht mungesës së transparencës dhe kohës për shqyrtim.

V.GJ /I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    9 vite nga reforma në drejtësi, a janë përmbushur pritshmëritë?