‘Integrimi’, Dumani: Institucionet publike s’kallëzojnë rastet! Çuçi: Herët që SPAK të bëjë analizë! Gonzato: Sfidë, ulja e numrit të dosjeve në gjykata

12 Prill, 09:24| Përditesimi: 12 Prill, 18:56

  • Share

TIRANE- Sfida e sistemit gjyqësor në Shqipëri, për ambasadorin e Bashkimit Evropian Silvio Gonzato vazhdon të mbetet reduktimi i dosjeve të mbartura në gjykata.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, mbajtur sot (12 prill 2024) në kryesinë e Kuvendit, Ambasadori Gonzato ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Europian ndaj Reformës në Drejtësi, ndërsa duke qëndruar te domosdoshmëria e efikasitetit të sistemit të drejtësisë i rikujtoi politikën nevojën emergjente për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, çështje që ka mbetur peng i konsensusit politik prej më shumë se 2 vitesh, duke lënë ende në detyrë Erinda Ballancën me mandat të përfunduar.

'Efikasiteti i gjyqësorit vazhdon të mbetet sfida kryesore, pasi çështjet e mbartura në gjykata duhet të ulen. Pavarësia e gjyqësorit është themelore. Ne presim, jo vetëm punë të fortë, por edhe vullnet politik. Nevojë urgjente. që ka parlamenti për të trajtuar emërimin e Avokatit të Popullit, por edhe komisionerit të Anti-Diskriminimit.'- tha Gonzato.

Kreu i prokurorisë së Posaçme Altin Dumani sërish në fjalën e tij adresoi prblematikat me të cilat po haset Prokuroria e Posaçme.

Dumani tha se mbetet shqetësuese numri i dosjeve të mbartura në SPAK, ndërsa kërkoi rritjen e numrit të këshilltarëve ligjor. Nga ana tjetër kreu i prokurorisë së Posaçme kërkoi të caktohet statusi ligjor pas përfundimit të mandatit të prokurorit të SPAK. Po ashtu Dumani nënvizoi sërish rënien e referimeve nga institucionet publike, përveç policisë së Shtetit.

Duke ju referuar rekomandimeve të BE-së, Dumani tha se tre rekomandimet e BE-së janë adresuar dhe po punohet për përgatitjen strategjive për hetimin, pasuror, reduktimin e dosjeve të mbartura dhe një strategji komunikimi.

'Adresimi i ngarkesës së shtuar, shpresojmë të gjejë zgjidhje e dhe me përmbushjen e strategjisë. Problematikë tjetër rënie e referimeve nga institucionet publike, ku ka rënë me 40%, këtu përjashtohet policia e Shtetit. Po vlerësojmë shtimin e numrit të anëtarëve të BKH-së.’- tha Dumani.

Për shqetësimin e Dumanit, deputeti i PS-së Bledi Çuçi tha se është shpejt që një institucion që ka 3 vite të bëjë një analizë statistikore.

'Është shpejt për një institucion që ka tre vite të bëj një analizë statistikore dhe duhet një bazë më e gjerë.'- tha Dumani.

Ndërsa kryetarja e këshillit të integrimit, Jorida Tabaku theksoi rëndësinë e zbatimit të vendimeve të drejtësisë nga politika si e vetmja mënyrë për të mbështetur reformën në drejtësi.

Ora 11:20
Çuçi pyeti Dumanin se ç’bëhet me të shkarkuarit nga vettingu, Alibeaj: Kush nuk kalon vettingun, PS i fal me amnisti

1712312749_enkelejdalibeaj.jpg

Pyetja që kreu i grupit socialist Bledi Çuçi i drejtoi kreut të SPAK Altin Dumani, se cfarë do të ndodhë me prokurorët dhe gjyqtarët që nuk e kaluan vettingun dhe nëse do të hetohen apo jo nga prokuroria e Posacme, për PD është paradoksale.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Enkelejd Alibeaj i ka kujtuar Çuçit amnistinë e votuar nga mazhorana vetëm një javë më parë, që sipas tij amniSton pikërisht gjyqtarët dhe prokurorët e korrupruar, duke lënë të kuptohet se qëndrimi i tyre nuk është koherent.

Kjo ka qënë edhe një nga kërkesat e Bashkimit Europian që gjyqtarë e prokurorë që nuk kalojnë vetingun, duhet ti nështrohen procedimit penal apo pasuror prej SPAK, thekson Alibeaj.

‘Dëgjova kryetarin e grupit të PS, Bledi Çuçi që “i preokupuar” për integrimin e Shqipërisë në BE, pyet drejtuesin e SPAK, Altin Dumani: Çfarë ndodh me prokurorët dhe gjyqtarët që nuk e kaluan vetingun?

Dikush duhet t’ia kujtoj Bledi Çuçit dhe deputetëve të tjerë, aty në Këshillin e Integrimit, se së bashku votuan, 1 javë më parë ligjin e amnistisë, me anë të së cilës, ndër të tjera, amnistojnë edhe gjyqtarët dhe prokurorët! 

(Shënim: ka qenë kërkesë ultimative e kahershme e BE-së se, gjyqtarë e prokurorë që nuk kalojnë vetingun, duhet ti nënshtrohen procedimit penal/pasuror prej SPAK).’- shkruan Alibeaj.

Ora 10:26
Dumani: Ka vendime të formës së prerë për gjyqtarë të GJK dhe GJL! Kemi pasur dhe konfiskim pasurie

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin, kreu i SPAK, Altin Dumani, u pyet nga deputeti socialist Bledi Çuçi në lidhje me veprimet e hetime të ndërmarra për gjyqtarët e shkarkuar nga vettingu. Fjala është për referimet dhe hetimet proaktive ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vettingut. 

Dumani tha se ka vendime fajësie të formës së prerë dhe konfiskime pasurie për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, të shkarkuar nga vettingu. Dumani tha se KPK dhe KPA duhet të referojnë rastet që SPAK t'i ketë në vëmendje.

Çuçi: Unë dua t'i qëndroj besnik raportit që ne kemi. Dëgjova zotin Dumani disa ditë më parë të fliste për shqetësimin e mungesës së referimeve nga institucionet publike. Ky nuk ka qenë një shqetësim në Rpaortin e Progresit. Përkundrazi ka pasur një shqetësim lidhur me garantimin e një historiku solid për hetimet proaktive ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vetingut. Cila është gjendja e referimeve proaktive, hetimeve dhe vendimeve përfundimtare në çështjet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vetingut?

Dumani: Lidhur me pyetjen unë e kam sqaruar dhe më para, duhet të merren në konsideratë kompetenca që ka SPAK në raport me ligjin e vettingut. Kemi në kompetencë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe të GJKKO, kemi proceduar penalisht dhe kemi dërguar për gjykim disa anëtar të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese cilët janë shkarkuar nga procesi i vettingut.

Kemi edhe vendime fajësie të formës së prerë për këtë kategori subjektesh. Kemi dhe hetime pasurore për ato subjekte ku kemi arritur edhe në konfiskimin e pasurive dhe në dy raste të tjera janë në proces konfiskimi edhe pasuri të subjekteve që i kemi hetuar. Është një numër i vogël. Numri më i madh i gjyqtarëve edhe prokurorëve që janë larguar nga vettingut,. I për GJSHP dhe Apelit. Nuk janë në kompetencën tonë lëndore, por vetëm nëse kryejnë veprën penale të korrupsionit. S’jemi indiferentë ndaj vendimmarrjes së KPK-së dhe KPA-së. Kemi pasur raste që duke u nisur edhe nga vendimmarrja e KPK-së dhe KPA, përftojmë indicie që ka vend për procedim penal. E kemi bërë... edhe KPK dhe KPA duhet të referojnë, që ne t’i kemi në vëmendje. Jo vetëm ndjekje penale por kemi pasur edhe konfsikime.

Alfred Balla: Jo të gjithë të larguarit nga vettingu janë kriminelë.

Ora 10:23
'Institucionet s’kallëzojnë krimet', Çuçi i përgjigjet Dumanit: Shpejt që SPAK për 3 vite të bëjë një analizë statistikore

Bledi Çuçi i është përgjigjur kreut të SPAK, Altin Dumani në lidhje me shqetësimin e ngritur nga ky i fundit për institucionet që nuk kallëzojnë krimet. Çuçi tha se është shpejt që një institucion që ka 3 vite të bëjë një analizë statistikore.

‘Është shpejt për një institucion që ka tre vite të bëj një analizë statistikore dhe duhet një bazë më e gjerë. Ky nuk është se ka qenë një shqetësim i drejtpërdrejtë. Ka pasur një shqetësim në raportin analitik të SPAK që lidhet me garantimin solid te hetimeve prokative.’- tha Çuçi.

Ora 10:07
Gogu: Integrimi evropian nuk është më dëshirë, por vendosmëri e palëkundur dhe  progres i prekshëm

 

Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit, Toni Gogu tha në mbledhjen e sotme të këtij këshilli, se Shqipëria ka bërë progres të prekshëm në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

"Tirana është bërë Kryeqyteti Evropian i Balkanit Perëndimor, këtë e tregojnë jo vetëm takimet e njëpasnjëshme në qytetin tonë, këtë e tregojnë dhe e dëshmojnë jo vetëm deklaratat e Presidentes së Komisionit, e Komisionerit të Zgjerimit, e presidentëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, por këtë e dëshmon çdo evropian i thjeshtë që mbërrin në Tiranë dhe që shikon një shoqëri e cila lëviz me shumë intensitet dhe përballet me sfidat europiane njësoj si vendet anëtare", tha Gogu.

Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit vlerësoi gjithashtu edhe dialogun e rigjetur me opozitën, sidomos kur është fjala për procesin e integrimit në BE.

"Nuk duam ta përdorim ne integrimin evropian për ta arritur suksese personale. Ky proces i shërben para së gjithash Shqipërisë", deklaroi Gogu.

Ai përmendi edhe marrëveshjen e arritur para disa ditësh midis Presidencës së Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian për planin e rritjes, i cili është shtegu i vetëm jo vetëm i integrimit rajonal në një treg të vetëm, por është gjithashtu udhërrëfyesi drejt aksesit të zgjeruar të Bashkimit Evropian.

Duke u ndalur te reforma në drejtësi, Gogu theksoi progresin e pakthyeshëm që ka bërë Shqipëria.

"Natyrisht që ky progres po fillon të ndihet jo vetëm në sallat e gjyqeve shqiptare, por gjithashtu në jetën e përditshme të çdo qytetari shqiptar. Jemi të padurueshëm që ta shohim që ai të jetë një realitet edhe më i prekshëm, të jetë një realitet edhe më i qenësishëm, të jetë një realitet edhe më shpresëdhënës dhe më optimist, pa diskutim, por është i pamohueshëm progresi që shoqëria jonë ka bërë me shëmbëllimin e drejtësisë evropiane në mesin tonë", tha Gogu.

Shqipëria ka konfirmuar tashmë që është një partner i besueshëm në rrugën drejt i integrimi rajonal në Bashkimin Evropian tha më tej nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit.

Gogu vlerësoi gjithashtu edhe ekipin negociator të Shqipërisë dhe gjithë punonjësit e institucioneve shtetërore që kanë marrë pjesë në procesin screening.

Ora 10:03
Mblidhet Këshilli Kombëtar i Integrimit, Tabaku: Detyrë zbatimi i vendimeve të drejtësisë

Drejtuesit e institucioneve kryesore janë mbledhur në Këshillin Kombëtar të Integrimit për të analizuar siç duhet detyrimet e tyre në procesin e integrimit.

Kryetarja e këtij këshilli vuri theksin tek mbështetja e institucioneve të reja të drejtësisë me një pavarësi jo vetëm në letra
 

“Drejtësisë së re, të gjithë duam t’ia marrim pronësinë, ndërkohë që detyra jonë mbetet vetëm zbatimi i vendimeve të tyre, Nuk ka dy drejtësi. Nuk ka një drejtësi të mirë për mua kur godet kundërshtarin dhe të keqe kur më godet mua. Ka vetëm një dhe këtë duhet të sigurohemi që të bëjë dhe parlamenti.”  

Procesi i integrimit është i rëndësishëm edhe roli i opozitës është jetik

"Ne duhet të lëvizim nga qasja e “korrupsionit të ndëshkueshëm” në atë “të parandalueshëm”, që do të thotë të rikonceptojmë betejën tonë përmes institucionit të parlamentit duke përfshirë padyshim të gjithë politikën” tha Tabaku ndërsa bëri ftesë për të gjithë ata që nuk kanë akses në qeverisje. “Ne me këtë veprim duam t’ju sigurojmë që dera e KKIE është e hapur dhe ne jemi të gatshëm që kontrollin, monitorimin dhe mbikqyrjen ta kryejmë këtu”

Ora 09:56
‘Integrimi’, Dumani raporton problematikat: Ngarkesë me dosjet e mbartura! Ka rënë numri i referimeve nga institucionet publike! Problem, mungesa e këshilltarëve ligjorë

 

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ne fjalën e tij në Komisionin e Integrimit, ku po diskutohet në lidhje me ecurinë e institucioneve të Drejtësisë, nënvizoi një sërë problematikash me të cilat po haset SPAK.

Dumani tha se mbetet shqetësuese numri i dosjeve të mbartura në SPAK, ndërsa kërkoi rritjen e numrit të këshilltarëve ligjor. Nga ana tjetër kreu i prokurorisë së Posaçme kërkoi të caktohet statusi ligjor pas përfundimit të mandatit të prokurorit të SPAK. Po ashtu Dumani nënvizoi sërish rënien e referimeve nga institucionet publike, përveç policisë së shtetit.

Duke ju referuar rekomandimeve të BE-së, Dumani tha se tre rekomandimet e BE-së janë adresuar dhe po punohet për përgatitjen strategjive për hetimin, pasuror, reduktimin e dosjeve të mbartuar dhe një strategji komunikimi.

‘Veprimtaria e SPAK në 2023 ka njohur një rritje cilësore që është vlerësuar edhe nga BE. SPAK gjatë 2023 ka luajtur një rol të rëndësishëm për nxjerrjen r Shqipërisë nga lista gri, një nga arsyet e këtij vendimi ka të bëjë me punën e SPAK, konfiskimin dhe pastrimin e parave. Këtë vit kemi vendosur kontakte të drejtpërdrejta me vende të Amerikës Latine dhe falë edhe vendosjeve të këtyre kontakteve lufta jonë kundër krimit të organizuar ka pësuar një rritje cilësore. Kemi patur bashkëpunim të mirë më homologët rajonalë.

SPAK ka dhënë një rendësi të veçantë luftës kundër pastrimit të produkteve të veprës penale. NË spak është bërë traditë që krahas hetimit penal bëjmë dhe një hetim pasurore me qëllimin e vetëm hetimin e pasurive që dyshohet se kanë orgjinë nga krimi. Falë edhe punë së këtij ketori shpjegohet rritja e numrit të sekuestros. Gjatë 2023 prokuroria ka rritur numrin e çështjeve penale. Sa i takon luftës kundër krimit të organizuar kemi një bashkëpunim të mirë dhe me vendet e BE-së.

Lidhur me rekomandimet e Bashkimit Europian, sipas Screening dhe Progres-Raportit, në adresë të SPAK janë cilësuar 3 rekomandime dhe pas publikimit të raportit, SPAK zhvilloi takim me projektet e asistencës së BE për të diskutuar mundësinë e marrjes së masave dhe përgatitjes së akteve nënligjore të nevojshme.

Një nga rekomandimet, përgatitja e udhëzimit të përgjithshëm mbi hetimin financiar. SPAK ka ngritur një grup pune dhe mund ta konsiderojmë të ezuaruar që në Qershor mendohet që ky udhëzim të zbatohet. Një udhëzim tjetër është për uljen e çështjeve të mbetura.

Shqetësuese për SPAK dosjet e mbartura. SPAK do të përgatisë një strategji të veçantë për këtë aspekt. Një rekomandim tjetër, përgatitja e strategjisë për komunikimin me publikun, po punohet intensivisht në përgatitjen e kësaj strategjie, besoj se brenda këtij vitit kjo strategji do të miratohet.

Mungesa e përcaktimit të statustit ligjor pas përfundimit të mandatit të prokurorit të SPAK. Presim që Kuvendi ti japë zgjidhje kësaj problematike. Po ashtu edhe mungesa e këshilltarëve ligjor. SPAK përfaqësojnë çështje në tre shkallë të gjykimit, e herë pas herë dhe në GJK. Pasja e këshilltarëve ligjor do të ndihmonte shumë.

Adresimi i ngarkesës së shtuar, shpresojmë të gjejë zgjidhje e dhe me përmbushjen e strategjisë. Problematikë tjetër rënie e referimeve nga institucionet publike, ku ka rënë me 40%, këtu përjashtohet policia e Shtetit. Po vlerësojmë shtimin e numrit të anëtarëve të BKH-së.’- tha Dumani.

Ora 09:44
Kryeprokurori Çela: Po hetojmë korrupsionin dhe pastrimin e parave! 7.6 mln euro u sekuestruan në 2023! Po rritet krimi kibernetik

 

TIRANE- Lufta kundër korrupsionit, pastrimi I parave dhe hetimi financiar janë disa nga prioritet për të cilat BE ka vënë theksin dhe prokuroria e Përgjithshme ka përqëndruar punën e saj.

Kryeprokurori Olsian Çela në mbledhjen e sotme në Këshillin Kombëtar të Integrimit bëri dhe një bilanc të punës për vitin 2023.

32 çëshje për korrupsion i janë dërguar SPAK për kompetencë.

“Është për tu theksuar një pjesë e mirë e çështjeve, në të paktën 6 raste vijnë nga metodat speciale të hetimit” vuri në dukje kryeprokurori Çela.

Po kështu vetë ata si institucion i hetimit të përgjithshëm gjatë vitit 2023 kanë hetuar 170 procedime me 123 të pandehur për korrupsion. Nga këta në gjykim kanë shkuar 140 procedime me 120 të pandehur.

“18 cështje për korrupsion u nisën nga vetë prokurorët’ tha Çela.

Një tjetër prioritet ka qenë dhe pastrimi I parave dhe focus I është dhënë dhe hetimit finaciar

‘Në vetëm dy çëshje në një rast u sekuestruan llogaritë bankare të 15 shoqërive me vlerë 5.8 mln euro. Në çështjen e dytë u sekuestruan 1.8 mln euro” tregoi Çela.

Sa i takon krimit kibernetik ka një tendencë në rritje.

Rezulton volum i shtuar.  Nga 255 çështje në 2022 në  312 çështje në 2023.

“Ka tendencë në rritje të ndërveprimit me partnerët ndërkombëtarë. Prokuroria shqiptare ka dërguar 82 kërkesa për ndihmë juridike, çka tregon trend rritës” shtoi Çela.

Një sfidë mbetet realizimi i sistemit të menaxhimit të çështjeve, për të cilën I drejtoi një apel prokurorit të Përgjithshëm: “Presim mbështetje”

Ora 09:30
Këshilli Kombëtar i Integrimit, Gonzato: Zgjidhni me urgjencë Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Diskriminimin! Sfidë ulja e çështjeve të mbartura në gjykata

1712906887_ambasadori.png

Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) po zhvillon një takim për përmbushjen e rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian për vitin 2023, për angazhimet e ndërmarra në kuadër të Udhërrëfyesit për Shtetin e së drejtës.

Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, në fjalën e tij nënvizoi mbështetjen për sundimin e ligjit dhe Reformës në Drejtësi. Gonzato tha se ka disa çështje kyçe që kanë vëmendjen e BE-së dhe se sfidë mbeten çështjet e mbartura në gjykata. Gonzato po ashtu theksoi se është nevojë urgjente zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Diskriminimin.

‘Shqipëria po vendoset në të njëjtën fushë me shtete anëtare të BE-së. ne kemi dhe planin e ri të rritjes së Ballkanit Perëndimor. BE ka qenë një mbështetës i palëkundur dhe i fortë i Reformës në Drejtësi. Vijojmë me monitorimin e kësaj reforme. Ka disa çështje që kërkojnë vëmendjen tonë. Efikasiteti i gjyqësorit vazhdon të mbetet sfida kryesore, pasi çështjet e mbartura në gjykata duhet të ulen. Pavarësia e gjyqësorit është themelore, i cili vijon me një sistem të fortë vetëqeverisës. Ne presim jo vetëm punë të fortë por edhe vullnet politik. Nevojë urgjente që ka parlamenti për të trajtuar emërimin e Avokatit të Popullit, por edhe komisionerit të Anti-Diskriminimit.

Standardet e vettingut duhet të ruhen edhe pasi të ketë përfunduar procesi i vettingut. Ne kemi sjellë dhe do të vijojmë të sjellim asistencën e duhur teknike. Presa nga krerët drejtësisë sesi do ti përmbushin objektivat për procesin e integrimit në BE. Së bashku do ta bëjmë realistet dëshirën e qytetarëve shqiptar për anëtarësimin në BE.’- tha Gonzato.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Linda: 12/04/2024 10:06

    Vonesat e Spakut ne dosjet me serioze e kane cuar jeten ne vend ne ate pik sa mund te themi jemi gati per nje 21 Janar te dyte!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?