Një këshilltar i Ali Khamenei tha se bazat amerikane që përdoren për sulmin ndaj objekteve bërthamore iraniane do të konsiderohen për t'u goditur. Ali Akbar Velayati, i cituar nga agjencia Irna, deklaroi se “çdo vend në rajon apo në vende të tjera që përdoret nga forcat amerikane për të sulmuar Iranin, do të jetë një synim i drejtë për ushtrinë tonë”.
Ndërkohë, zëvendësministri iranian i Punëve të Jashtme, Majid Takht-Ravanchi, tha se tani “nuk ka kuptim” të vazhdojnë negociatat me SHBA ose Izraelin, ndërsa Irani është nën sulm.
“Nuk duam të bëjmë biseda vetëm për të bërë biseda”, tha ai në një intervistë për televizionin gjerman ARD. Këto deklarata vijnë pas sulmeve amerikane ndaj tre objekteve kryesore bërthamore të Iranit, dhe pas sulmeve izraelite që nisën më 13 qershor me qëllim shkatërrimin e kapaciteteve bërthamore të vendit.
Irani ka kërcënuar se do të përgjigjet ndaj sulmeve amerikane, duke rritur frikën për një përshkallëzim më të madh në rajon.
Në javët para sulmeve izraelite, presidenti amerikan Donald Trump kishte nisur disa raunde negociatash bërthamore me Teheranin. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë ende të gatshme për bisedime pas sulmeve ndaj Iranit; sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se janë dërguar mesazhe “publike dhe private” për të dhënë mundësinë Teheranit të rikthehet në tryezën e bisedimeve.
Lajmi kryesor:
‘Çekani i Mesnatës’, SHBA hedh bomba 14-tonëshe në Iran! Pentagoni: Shkatërruam ambiciet bërthamore! Shpërthime të reja në Teheran, iranianët: Të mbyllet Hormuzi, hakmarrje! (VIDEO)
H.K/ReportTv.al