Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta foli pas kualifikimit që skuadra e tij arriti kundër Real Madridit. "Topçinjtë" tanimë janë në gjysmëfinalet e Champions League dhe përballë do kenë PSG-në, me anglezët që kërkojnë një vend në finale.
Pas fitores 1-2 në "Bernabeu", Arteta tha se Ancelotti e uroi që të fitonin trofeun, teksa kishte fjalë të rëndësishme edhe për Pep Guardiolën.
“Është një nga netët më të rëndësishme të karrierës time. Po mendoj për gruan time, për fëmijët e mi dhe për familjen time, sepse ata e kishin dëgjuar gjatë gjithë javës se cfarë mund të ndodh në këtë stadium. Dhe jam shumë i lumtur për njerëzit që erdhën për të na parë ne, ka shumë uri në këtë klub. Ancelotti më tha se shpreson që Arsenali të fitojë Champions League. Unë jam këtu falë Pep Guardiolës, e mora në telefon këtë mëngjes, i jam gjithmonë falenderues.
Krenar për ekipin? Po, sigurisht. Jo vetëm sepse jemi në gjysmëfinale për herë të tretë në historinë tonë, por edhe për shkak të mënyrës se si ia dolëm. Jo vetëm për mënyrën se si luajtëm, por edhe për rrethanat, sasinë e dëmtimeve që kishim. Kjo tregon karakterin e këtij ekipi, të këtij klubi dhe është një natë për të qenë shumë krenarë.
Declan Rice? Ai ishte vendimtar në një mënyrë tjetër, mendoj se ishte e jashtëzakonshme. Prania e tij, fuqia që tregoi, sa i kompletuar ishte, me top apo pa top, mendoj se e drejtoi ekipin në shumë momente dhe e kthen lojën në favorin tonë. Mendoj se kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për lojtarë në nivelin e tij që të rriten dhe të kenë një kontribut të madh dhe ai sigurisht që e ka bërë këtë”, tha Arteta mes të tjerave.
Komente
