DURRËS - KF Teuta ka marrë një "fytyrë të re". Largimi i Edmond Hasanbelliut nga posti i presidentit ka bërë që durrsakët të lëvizin dhe të formojnë një staf të ri.
Këtë të hënë frenat e klubit i ka marrë Fatos Troplini, i cili është presidenti i ri. "Me përvojën dhe angazhimin e tij, z. Troplini synon të rikthejë lavdinë e dikurshme të klubit dhe ta udhëheqë drejt një faze të re suksesi", thuhet në njofimin e Teutës.
Enkeleid Dobi rikthehet në Durrës pas 28 vitesh, këtë herë si trajner i ekipit. Me përvojë në Poloni, Dobi do provojë të stërvisë lojtarët që drejtori sportiv Renato Arapi do afrojë në ekip. Në Shqipëri Dobi njihet si ish-trajneri i Kukësit.
Në fjalën e tij, presidenti Troplini tha se e mori ekipin nga pasioni dhe se synon që Teuta të jetë mes pretendentëve.
"E mora ekipin nga pasioni, synojmë që të jemi mes ekipeve pretendentëve dhe të kthejmë tifozët në stadium", tha ai.
Trajneri durrsak Enkeleid Dobi kthehet pas 28 vitesh në qytetin ku nisi futbollin dhe më pas e praktikoi në Poloni. Për të është përgjegjësi që të jetë në krye të "Djemve të Detit".
"Do të bëjmë çfarë të jetë e mundur, jemi në proces dhe shkopin e çudirave nuk e kemi brenda 2 muajve, jemi në të njëjtën linjë dhe drejtim, në teori jemi dakort dhe duhet ta hedhim në praktikë. Është privilegj, është kënaqësi më e madhe se sa mund ta shpreh, pritshmëritë janë të mëdha, na pret një punë e madhe, por kemi marrë një sfidë, nuk e hap dot shampanjën pa marrë rrezikun", tha trajneri.
Njoftimi i klubit:
KF Teuta ka hyrë në një etapë të re zhvillimi, duke prezantuar sot zyrtarisht presidentin dhe stafin e ri administrativ në një konferencë për shtyp të mbajtur në ambientet e stadiumit “Niko Dovana”. Ky riorganizim shënon një hap të rëndësishëm drejt një vizioni të ri për klubin durrsak.
Në qendër të këtij ndryshimi qëndron emërimi i z. Fatos Troplini si President i ri i KF Teutës. Me përvojën dhe angazhimin e tij, z. Troplini synon të rikthejë lavdinë e dikurshme të klubit dhe ta udhëheqë drejt një faze të re suksesi.
Në aspektin sportiv, Enkeleid Dobi është emëruar si strategu i ri i ekipit, duke marrë përgjegjësinë për ndërtimin e një skuadre konkurruese dhe me identitet të qartë. Dobi sjell me vete një eksperiencë të pasur dhe një vizion modern për drejtimin e ekipit.
Po ashtu, një figurë e njohur për të gjithë tifozët durrsakë, Renato Arapi, rikthehet në klub, kësaj here në rolin e Drejtorit Sportiv. Ish-kapiteni dhe lojtari emblemë i Teutës do të kontribuojë me profesionalizëm dhe njohuri të thella për strukturimin dhe zhvillimin e sektorit sportiv.
KF Teuta i uron suksese stafit të ri në detyrat e tyre dhe siguron të gjithë tifozët se do të punohet me përkushtim dhe seriozitet për të rikthyer klubin në majat e futbollit shqiptar aty ku e ka vendin, falë historisë dhe traditës së tij të lavdishme.
Drejtuesit e rinj të KF Teutës
Fatos Troplini, presidenti i ri i KF Teutës tha se e mori drejtimin e ekipit nga pasioni dhe për ta rikthyer në vitet e arta. Ai kërkon që me lojën e mirë dhe rezultatet, tifozët durrsakë të mbushin "Niko Dovanën".
"Çfarë iu bindi të merrnit drejtimin e Teutës? Pasioni për këtë sport. Për ta dërguar përpara, në vitet e arta.
Si do të jetë Teuta e re, çfarë synimesh do të ketë? Teuta do të jetë një ekip pretendent. Synimi ynë është të jemi në fillim të renditjes, me një punë të mirë.
Keni një premtim për tifozërinë durrsake? Mendoj që tifozërinë durrsake ta rikthejmë në stadium si në vitet e arta të ekipit", tha Fatos Troplini, presidenti i KF Teutës.
Enkeleid Dobi foli fjalët e para si trajneri i ri i KF Teutës. 50-vjeçari rikthehet në qytetin e lindjes pas 28 vitesh, këtë herë si trajner, pasi te "Djemtë e Detit" nisi karrierën si futbollist. Me përvojë në Poloni, Dobi në vendin tonë njihet si ish-trajneri i Kukësit për 11 ndeshje.
“Dua të falenderoj presidentin dhe drejtorin për këtë besim, është si të them kthim në shtëpi. Ndjehem i privilegjuar për ta rindërtuar dhe të kthejmë Teutën që presim të gjithë, në vendin që i takon. Do të bëjmë çfarë të jetë e mundur, jemi në proces dhe shkopin e çudirave nuk e kemi brenda 2 muajve, jemi në të njëjtën linjë dhe drejtim, në teori jemi dakort dhe duhet ta hedhim në praktikë.
Teuta që të jetë kompetitive, është i vetmi klub që nuk ka rënë asnjëherë nga kategoria, ka pozicionin e vet në futbollin shqiptar, tifozët të kenë dëshirën që ta shohin ekipin krenar, që do të ketë fitore, humbje, barazime, por do bëjmë të mundurën që të kemi sa më shumë fitore. Kjo është arsyeja që unë jam këtu, për ta rindërtuar nga e para, koha do e tregojë, se sot mund të flasim shumë gjëra të bukura.
Është privilegj, është kënaqësi më e madhe se sa mund ta shpreh, pritshmëritë janë të mëdha, na pret një punë e madhe, por kemi marrë një sfidë, nuk e hap dot shampanjën pa marrë rrezikun.
Kemi shumë punë, dëshira është shumë e madhe. Në një ditë nuk mund të thuash asgjë, duhet të japim kohën e duhur për çdo gjë, them që do jemi kompetitivë, sa do e arrijmë, do e tregojë koha”, deklaroi Dobi.
Komente
