Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha të mërkurën se nuk ka prova se armët po kontrabandohen nga Serbia në Kishat Ortodokse në Kosovë në autoambulanca, ndryshe nga pretendimet e deputetes së Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.
“Nuk ka asnjë provë as në lidhje me kontrabandën e supozuar të kryer me autoambulanca përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, njoftoi KFOR-i të mërkurën.
KFOR tha se Kearns ka të ngjarë t'i referohej një rasti të vitit 2022 “kur Batalioni Mbretëror Fusilier ishte në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it”.
“Prezenca e supozuar e armëve ilegale u raportua në Shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për konfirmimin e kësaj, nuk ka dalë asnjë provë për atë që është raportuar”, thuhet në komunikatën për media.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të mërkurën se do të takohet me përfaqësues të NATO-s dhe KFOR-it dhe të organeve të sigurisë së Kosovës për këtë çështje.
“Pas takimeve do të mund të themi fjalën përfundimtare. Aktualisht jemi duke mbledhur informacione. Brenda kësaj jave do të merret vesh”, tha Kurti.
Kearns i tha parlamentit britanik të martën se, “për një kohë të gjatë nuk kemi arritur të kritikojmë milicitë e armatosura serbe që veprojnë në veri të Kosovës”.
“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusiliers që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që po kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në Kishat Ortodokse me ambulanca”, tha Kearns.
Lajmi kryesor:
Osmani takon tre policët që u rrëmbyen nga forcat serbe! Ndihmëssekretari i NATO-s në Kosovë: Palët të ulin tensionet
SI.E./ReportTv.al