KFOR-i: Grupet kriminale prapa protestave të dhunshme në Zveçan! Largohen Autoblindat nga Leposaviçi! Kurti: Hyra në dialog me Serbinë sepse e organizoi BE

9 Qershor 2023, 12:29| Përditesimi: 9 Qershor 2023, 15:53

  • Share

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar ditën e sotme se arsyeja e vetme përse u angazhua në dialogun me Serbinë është sepse organizohej nga Bashkimi Evropian që sipas tij është bashkëpunimi më domosdoshëm për paqen që pas Luftës së Dytë Botërore. 

Nga ana tjetër Leposaviç, autoblindat e policisë së Kosovës, të cilat kanë qenë të vendosura para komunës, janë larguar. Ndërsa gjatë ditës së djeshme janë larguar edhe telat gjembor.

Zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, koloneli Andrea Gallieni, ka thënë se disa grupe kriminale kanë qenë mbrapa protestave të dhunshme, që janë zhvilluar në Zveçan, më 29 maj.

Gallieni ka thënë se grupet e dhunshme janë organizuar për të sulmuar, dhe se i takon Policisë së Kosovës që t’i identifikojë ato.

Atë ditë protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarë të KFOR-it, dhe të plagosur ka pasur prej të dyja anëve.

Në një konferencë për media, Gallieni, i ka komentuar të premten ngjarjet që kanë ndodhur në veri të Kosovës, prej 29 majit.

“Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet hakmarrëse. Sepse, siç e kanë dëshmuar edhe këto ngjarje, gjithçka mund të përshkallëzohet në nivel të madh të dhunës, prandaj është shumë e rëndësishme që të gjitha palët t’i kenë parasysh pasojat dhe rreziqet e veprimeve të tyre”.

Ai ka thënë se të dyja palët duhet të mbajnë përgjegjësi.

"Njëra palë, për marrjen e vendimeve, pa e marrë parasysh shkallën e sigurisë, dhe pala tjetër të reagojë për veprimet e dhunshme që janë parë në mesin e protestuesve".

Serbët lokalë janë duke vazhduar protestat në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, edhe më 9 qershor.

Ata po protestojnë rregullisht për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Gallieni ka vlerësuar se situata në veri është duke u qetësuar, në aspektin e sigurisë.

“Kur këto ngjarje kanë nisur, do të thotë disa ditë para 29 majit, nuk mund të them se ka pasur koordinim, sepse ka qenë veprim i njëanshëm, i marrë prej institucioneve të Kosovës, për t’i dërguar kryetarët nëpër komuna, përmes përdorimit të forcës. Mirëpo, më vonë, ne jemi organizuar që të angazhohemi paraprakisht nëpër këto komuna, dhe më 29 maj kemi qenë atje, si dhe kemi ndërhyrë mes palëve”.- tha Gallieni.

Zyrtari i KFOR-it, ka thënë se prej 5 qershorit, mbi 500 pjesëtarë të NATO-s kanë shkuar në Kosovë, për të përforcuar misionin.

Gallieni ka thënë se forcat janë duke u trajnuar dhe do të angazhohen brenda disa ditësh.

Ai ka thënë se përforcimet do të jenë në Kosovë “aq sa të ketë nevojë”.

Komuniteti ndërkombëtar ka dalë së fundi me tri kërkesa për Qeverinë e Kosovës: shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova mund t’i shpallë zgjedhjet e reja në komunat në veri të Kosovës, nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë./REL

Ora 15:03
Kurti: U futa në dialogun me Serbinë sepse organizohet nga BE-ja

1686261392_albinkurti.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Dubrovnik të Kroacisë ka folur për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, dialog në të cilin kishte thënë se s’përfshihet pa u plotësuar disa kushte. Këtu kishte përmendur kërkimfaljen nga Serbia për krimet e kryera në Kosovë, ndërrimin e Kushtetutës nga Serbia, kthimin e të pagjeturve, pagimin e dëmeve të luftës dhe pa e njohur pavarësinë e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Megjithatë Kurti pas uljes në karrigen e kryeministrit të vendit është përfshirë në procesin e negociatave me Serbinë. Kishte thënë se do ta ketë diku poshtë në listën e prioriteteve, derisa përgjatë këtyre dy viteve i është shndërruar në top-prioritet, sidomos muajve e ditëve të fundit, shkruan Gazeta Express.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se është përfshirë në procesin e bisedimeve me Serbinë sepse lehtësimi i bisedimeve organizohet nga Bashkimi Evropian. Këto deklarime Kurti i ka bërë gjatë një samit në Dubrovnik të Kroacisë.

“Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe të ardhmes që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë Kurti duke shtuar se i është bashkuar dialogut me Serbinë sepse ai “organizohet nga Bashkimi Evropian, që është lehtësues i bisedimeve”, citon Radio Televizioni i Kroacisë, transmeton Gazeta Express.

Një deklaratë e tillë e kryeministrit Albin Kurti vjen në një moment mjaft delikat ku gjendet procesi i negociatave, pas ngjarjeve të fundit në veri dhe pas acaraimit të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ora 14:39
Situata në veri të Kosovës, largohen autoblindat e policisë në Leposaviç

Serbët po vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot në ditën e 15 të protestave në veri të Kosovës. Autoblindat e policisë të cilat kanë qenë të vendosura para objektit të komunës në Leposaviç gjatë ditës së sotme janë larguar.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ditën e sotme ka vizituar veriun e Kosovës, por nuk është prononcuar për media. Ndërsa gjatë ditës së djeshme janë larguar edhe telat gjembor.

M.T//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ops: 09/06/2023 13:53

    Do merzitet rama tani

    Përgjigju
  • Vsbsk: 09/06/2023 13:40

    Grupe terroriste e keni fjale, se kriminale eshte larg te vertetes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?