Ali Khamenei

Bota

Khamenei ndërpret të gjitha kontaktet, mosmarrëveshje në krye të regjimit mbi përgjigjen ndaj SHBA

23 Qershor, 08:08| Përditesimi: 23 Qershor, 08:10

  • Share

Me një zë të qetë dhe qetësues, përpara një turme besimtarësh, Ali Khamenei deklaron: “Jeta ime nuk ka asnjë kuptim. Edhe nëse më vrasin, mos e konsideroni si humbje, përderisa qëndroni të palëkundur ndaj parimeve të Imam Huseinit. Ne po e fitojmë këtë luftë, përderisa nuk përkulemi para pushtetit dhe lakmisë”. Është një video shumë e shpërndarë nga pak mbështetës të regjimit që e postojnë për t’u treguar atyre që nuk besojnë, se lideri me mjekër, 86 vjeç, është një burrë trim, i gatshëm për gjithçka për vendin e tij. Opozitarët përgjigjen me qindra komente, herë ironike, herë të zemëruara. “Është aq heroik, sa as njerëzit e tij nuk dinë ku ndodhet”, shkruan një vajzë. “Fshehur nën tokë si krimbat, ndërsa populli bombardohet dhe nuk ka strehë ku të shpëtojë nga vdekja”, përgjigjet një burrë.

Bunkeri

Janë katër ditë që janë humbur gjurmët e liderit suprem. Dihet që ndodhet në një bunker sekret dhe që me të është edhe familja e tij. Po ashtu dihet që nuk po përdor asnjë pajisje për të komunikuar me botën e jashtme, për të mos u gjurmuar nga armiku. New York Times raporton se kleriku do të kishte ndaluar çdo komunikim elektronik dhe do të fliste me komandantët e tij përmes një “bashkëpunëtori të besuar”, nga frika se mos vritet në stilin e Hassan Nasrallah. Fronti i dytë i luftës, i përfaqësuar nga infiltrimet e Mossadit, inteligjencës izraelite, ka krijuar paranojë mes njerëzve të Republikës Islamike. Mediat shtetërore lëshojnë alarme për popullsinë: kujdes nga gjurmimi i celularëve. Shpjegojnë se ushtria izraelite mund të ketë shfrytëzuar ndjekjen e telefonave për të lokalizuar objektivat — personat — që duhet të eliminohen, siç janë shkencëtarët bërthamorë. Ky do të ishte edhe shkaku pse Irani është i izoluar prej ditësh dhe pa internet. Autoritetet thonë se e kanë shkëputur lidhjen “për të mbrojtur iranianët”. Një deklaratë e vënë në dyshim nga shumë qytetarë, pasi dyshimi dhe mosbesimi i ajatollahëve, si gjithmonë, u kthehet kundër vetë popullit: “Pikat e kontrollit janë trefishuar, ashtu si edhe arrestimet. Sapo kanë varur një tjetër djalë me akuzën se ishte spiun i Izraelit”, shkruan një student nga Teherani.

Heshtja

Është raportuar tashmë se as presidenti i ashtuquajtur moderat Masoud Pezeshkian, e as ministri i Jashtëm Abbas Araghchi nuk kanë mundur të lidhen me Ajatollahun. Kjo heshtje do të ishte arsyeja pse të premten u anulua takimi sekret me zyrtarët amerikanë në Stamboll. Me mendjen e sotme, ndoshta ishte mundësia e fundit që Donald Trump mund t’i jepte diplomacisë, para se të shtypte butonin “luftë”. Dy burime të brendshme zbulojnë për një gazetë iraniane se edhe figura të tjera të rëndësishme, si ish-presidenti Hassan Rouhani, ish-kreu i parlamentit Ali Larijani dhe ish-kreu i gjyqësorit Sadegh Larijani, janë përpjekur gjithashtu më kot të kontaktojnë Khamenein. Corriere nuk mund t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur këto deklarata, por nëse nuk janë spekulime apo propagandë, do të përforconin një heshtje që rrezikon të destabilizojë situatën. Edhe pse, si kundërpeshë ndaj krizës, ditët e fundit ajatollahu mësohet të ketë përmendur tre emra si pasuesit e tij të mundshëm.

Përgjigjja ndaj SHBA-së

“Nëse sot, vërtet, askush nuk ka kontakt me liderin, kjo është një problem për regjimin”, i thotë Corriere-s Saeid Golkar, ekspert iranian dhe këshilltar i United Against Nuclear Iran. “Ka vendime të rëndësishme që duhen marrë. Mund të ndërhyjë Këshilli Suprem për Sigurinë Kombëtare, por zakonisht është Khamenei ai që jep udhëzimet. Udhëheqja po përçahet mbi zgjedhjen e mënyrës së reagimit ndaj SHBA-së. Të ashpërit duan një akt të fortë, tradicionalistët dhe reformistët mendojnë se është më mirë të pritet ose të zgjidhet një veprim simbolik”, ashtu siç ndodhi pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani, kur u goditën dy baza amerikane në Irak, por pa shkaktuar viktima. Gjithashtu në shtypin iranian shkruhet se në këtë moment pasigurie, ka nga ata që po përpiqen të fitojnë terren. Përmendet emri i Ali Larijanit, i cili mësohet se po luan kartën e “shpëtimtarit të Iranit”, i gatshëm për të marrë drejtimin, në rast se Khamenei eliminohet./Corriere della Sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria mbështet SHBA-në pas sulmit ndaj Iranit, si e vlerësoni?