Qendra Kombëtare e Kinematografisë përballet me shkelje të rënda proceduriale dhe probleme ligjore, ndërkohë që komuniteti i kineastëve në Shqipëri ngre një sërë akuzash për drejtorin Eol Çashku.
Në vijim të problematikave të ngritura përmes letrës së kineastët i kanë drejtuar ministrit të kulturës Blendi Gonxhja dhe që “Report TV” e siguroi dhe publikoi, një çështje emergjente që kërkon vëmendje është edhe ajo e shkeljeve proceduriale dhe mungesa e transparencës dhe konkurrimit në thirrjet e hapura nga Qendra e Kinematografisë.
Situata në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë dhe menaxhimi jo i duhur nga Eol Çashku, sipas kineastëve ka bërë që të shkelet një prej parimeve kryesore që garanton ligji “Për kinematografinë”: konkurrenca!
Risia që Z. Çashku insistoi të sillte në Rregulloren e QKK-së, me gjithë dyshimet e kineastëve për implementimin, ishte vënia në funksionim e Komisionit Përzgjedhës të Leximit, si një filtër paraprak për cilësinë, i përbërë nga gjashtë anëtarë të propozuar nga shoqatat e kineastëve. Ajo që ndodhi ishte se konkurset e zhvilluara me urgjencë në periudhën 19-24 dhjetor 2024 u zhvilluan pa e kaluar këtë filtër, që do të garantonte përzgjedhjen e projekteve cilësore dhe pa pasur kohën e nevojshme, që projektet të lexoheshin dhe analizoheshin.
Në letrën e parë drejtuar Ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja, ata vërejnë se kundër çdo parimi, Çashku ka financuar të gjithë projektet në garë në kushtet e konfliktit te interesit dhe për kategori projektesh dytësore, duke lënë jashtë kategoritë kryesore. Kështu në periudhën 10 mujore në detyrë, ai ka hapur 3 thirrje për konkurse për gjithsej nëntë kategori projektesh.
“Kanë marrë pjesë në konkurim gjithsej 43 projekte dhe janë miratuar 35 projekte, pra janë miratuar 82% e projekteve konkuruese. Në 7 konkurse janë miratuar të gjithë projektet pjesëmarrëse në garë, madje është zhvilluar mbledhja edhe kur në “garë” ka pasur vetëm 1 projekt në konkurim. Në mbledhjet e KMP-ve të zhvilluara në datat 19-24 dhjetor 2024, kanë aplikuar gjithsej 23 projekte dhe janë financuar 18 prej tyre.”, - thuhet në letrën e kineastëve.
Kineastët vërejnë se “seleksionimi” është bërë vetëm për projektet për filma artistikë të metrazhit të shkurtër, ku konkurrojnë regjisorët e rinj.
Gjithashtu, një shqetësim madhor për ta është vonesa e pajustifikuar në hapjen e konkursit për filmat artistikë vepër e parë dhe e dytë, e cila u hap me nxitim pas letrës së kineastëve. Nën presionin e djegies së buxhetit, nëpërmjet mbledhjeve urgjente, u miratuan projekte dytësore, ndërkohë që konkursi për autorët e rinj, me filmat artistikë vepër e parë dhe e dytë nuk është zhvilluar për afro 4 vite. Këto veprime sjellin penalizim të autorëve të rinj.
“Ky konkurs nuk është zhvilluar për afro 4 vite, duke penguar zhvillimin profesional të një brezi të tërë kineastësh. Aktualisht, mbi 20 regjisorë të rinj dhe të moshës së mesme presin mundësinë për të konkuruar në këtë kategori. Disa projekte të kësaj kategorie janë zhvilluar me financime të organizatave europiane të filmit, si: Creative Europe fondi i zhvillimit, me të cilët kanë nënshkruar kontrata me afate të përcaktuara për fazat e xhirimit dhe realizimit të premierave. Për shkak të mungesës së hapjes së garës në këtë kategori, producentët jo vetëm janë përballur me penalitete financiare, por kjo vë në dyshim edhe seriozitetin e producentëve apo edhe shtetit shqiptar përkrah donatorëve, dhe kompanive bashkëprodhuese.”, - thuhet mes të tjerash në letër.
Kjo kategori sipas tyre është veçanërisht e rëndësishme, pasi përfaqëson një nga shtyllat kryesore të rinovimit të kinematografisë shqiptare; përfshin regjisorë me potencial të lartë krijues dhe inovativ; është thelbësore për vazhdimësinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të kinematografisë vendase dhe kontribuon në diversifikimin e zërave artistikë në kinematografinë shqiptare. Sipas tyre, vonesa në hapjen e këtij konkursi rrezikon të shkaktojë një boshllëk të konsiderueshëm në zhvillimin e kinematografisë shqiptare dhe të dekurajojë një brez të tërë kineastësh të talentuar.
Një tjetër pikë, ku ata vënë theksin është mungesa e përcaktimit të ndarjes së buxhetit për çdo gjini filmi, pasi aktualisht nuk ekziston një ndarje e qartë dhe transparente e buxhetit për çdo gjini filmi, gjë që krijon paqartësi në planifikimin e projekteve nga kineastët, pasi nuk garanton shpërndarje të drejtë të fondeve duke vështirësuar procesin e aplikimeve për financim në përputhje me zhvillimin e balancuar të të gjitha gjinive filmike.
“Kjo problematikë kërkon: i. Përcaktimin e kritereve të qarta për ndarjen e buxhetit sipas gjinive; ii. Publikimin paraprak të buxheteve për çdo kategori filmike; iii. Transparencë në procesin e shpërndarjes së fondeve; iv. Garanci për mbështetjen e të gjitha gjinive filmike sipas nevojave të tregut dhe zhvillimit të kinematografisë.”
Ulja e buxheteve të filmit të metrazhit të gjatë sipas tyre rezulton të jetë bërë pa asnjë logjikë ekonomike dhe asnjë studim. Sipas kineastëve, ndërkohë që çdo qendër filmi në rajon dhe më gjerë i ka stabilizuar buxhetet për çdo gjini te filmit, QKK pa asnjë motivacion bën eksperimente jo realiste me ulje të buxheteve në shifrat e vitit 1997.
“Për ironi, në ditët e fundit të vitit, në maratonën e mbledhjeve të gjiive të tjera, shpërndan gati 150 % më shumë buxhet për produkte me vlerë dytësore në kinematografi. Mungesa e stabititetit të buxheteve për çdo gjini të filmit krijon vështirësi për realizimin e veprave artistike, pasiguri tek producentët dhe komunitetin e kineastëve dhe rrezikon zhvillimin e balancuar të kinematografisë shqiptare.”
Kineastët konstatojnë mungesën e një kalendari vjetor të thirrjeve për projektet filmike, çka sjell pamundësi për planifikim afatgjatë prej tyre, vështirësi në koordinimin me financime të tjera ndërkombëtare; pasiguri në komunitetin e filmit, si dhe pengesa në zhvillimin e projekteve të reja. Ata vërejnë se në QKK nën drejtimin e Çashkut pati ndryshim të parsyeshme të afatit të thirrjeve për aplikime. Thirrja për aplikime u hap në datën 19 nëntor 2024 dhe u mbyll në datën 5 dhjetor 2024, duke iu lënë producentëve dhe autorëve vetëm 2 javë kohë në dispozicion për të përgatitur projektet.
Po kaq problematike është edhe ndryshimi i masës së financimit fillestar të projekteve bashkëprodhime në minorancë (minority co-production) në 80%, nga 20% që ka qenë prej disa vitesh.
“Pavarësisht se një akt juridik nuk mund të ketë fuqi prapravepruese, QKK e implementoi me “sukses të plotë” këtë shkelje. Ligji “Për kinematografinë” bazohet në dy parime thelbësore: i. Mbështetje për autorët shqiptarë për të prodhuar vlera artistike; ii. Përzgjedhja e projekteve bëhet mbi bazën e një procesi konkurimi të hapur dhe transparent. Kjo mbledhje shkeli pikërisht këto dy parime. Meqë nuk e mbartim dot buxhetin, anullojmë vendimet pa baza ligjore, u japim autorëve të huaj buxhet maksimal, dhe nga 6 projekte në konkurim fitojnë që të 6.”
Sipas tyre shqetësim serioz përbën edhe qëndrimi dhe komunikimi institucional ndaj prodhimeve të financuara nga QKK. Pavarësisht sukseseve të kinematografisë, sipas kineastëve, "mungesa e politikave të qarta në këtë sektor e ka ngurtësuar procesin e zhvillimit, ndërkohë që vërehet një tendencë sistematike për të nënvlerësuar cilësinë e filmave të mbështetur nga QKK ndër vite, çka dëmton imazhin e kinematografisë shqiptare, por edhe besimin e publikut te prodhimet vendase dhe mundësitë për promovim ndërkombëtar të filmave."
"Por më të rënda akoma janë shkeljet e akteve ligjore dhe nënligjore me pasoja të parikuperueshme dhe dëm ekonomik.
Sipas kineastëve, rikthimi i vendimit për miratimin e projekteve të kategorisë Minority Co-production në Këshillin e Miratimit të Projekteve, me kërkesën e Kryetarit me vendim të datës 20.11.2024 krijoi një precedencë antiligjore dhe absurde, në shkelje flagrante të ligjit “Për kinematografinë”, duke miratuar të 6 projektet në garë.
“Fatura e këtij vendimi është shtuar artificialisht me mbi 20 milionë lekë dhe është lehtësisht i konstatueshëm fakti se kemi të bëjmë me abuzim me fondet e buxhetit të shtetit. (detajet në Shtojcën 1).”
Ata vërejnë se konkurset e zhvilluara në periudhën 19- 24 dhjetor 2024 kanë pasur dokumentacion të dyshimtë, për shkak të ngutit për të mbyllur procedurat, si dhe stafit të pakualifikuar të rekturuar në punë nga Çashku jashtë të gjitha kritereve.
“Z. Çashku ka nënshkruar nga 2 vendime për secilin vendim të KMP-ve të konkurseve të zhvilluara në muajin 19-24 dhjetor. Këto vendime janë bërë publike në ëeb dhe nuk dihet cili prej tyre është i saktë. Kjo sepse, vendimet që aktualisht ndodhen në ëeb, nuk përputhen me vendimet e Këshillit Miratues të Projekteve, duke i bërë vendimet e Kryetarit të publikuara në ëeb) të pavlefshme juridikisht. (detajet në shtojcën nr. 2).”
Sipas tyre lejimi i vendimmarrjes përbën konflikt të hapur interesi. Ata përmendin vendimin nr. 6, datë 23.12.2024 të Këshillit Miratues të Projekteve të filmit dokumentar, të animuar dhe projekteve të ndryshme kinematografike është marrë në kushte të konfliktit të hapur të interesit.
“Kryetari i KMP ka votuar dhe miratuar financimin e projektit për film dokumentar “Braktisja” në kushtet e konfliktit të interesit për të afërmin e tij, në kundërshtim me parashikimet e bëra në nenin 7, pika 2 të VKM 602, datë 21.08.2003, “Statuti i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë”.
Mbledhja e KMP të filmit dokumentar është zhvilluar në ambientet e QKK-së në datën 23.12.2024. Në mënyrë të pajustifikuar për të njëjtën thirrje dhe për të njëjtat projekte që janë shqyrtuar në një datë, janë marrë 2 vendime.
“Vendimi nr. 6, datë 23.12.2024, i cili ka miratuar 3 projekte nga 3 në konkurim o Vendimi nr. 7, datë 24.12.2024, i cili ka miratuar 3 projekte nga 3 në konkurim. Në fakt, vendimet janë marrë në datën 23.12.2024 dhe vendimmarrja mbledhja është ndarë në mënyrë abuzive, për arsye të pashpjegueshme. Për të vërtetuar këtë mund të konsultohen regjistrimet e mbledhjes së datës 23.12.2024.”
Është për t’u vërejtur se zhvillimi i konkurseve në muajin dhjetor 2024 është bërë pa kaluar filtrin paraprak të Komisionit Përzgjedhës të Leximit.
“Risia që z. Çashku solli në Rregulloren e QKK, megjithë dyshimet tona për implementimin, ishte vënia në funksionim e Komisionit Përzgjedhës të Leximit, i cili përbëhet nga gjashtë anëtarë të propozuar nga shoqatat e kineastëve. Konkurset e zhvilluara me urgjencë në periudhën 19-24 dhjetor 2024 u zhvilluan pa e kaluar këtë filtër që garanton përzgjedhjen e projekteve cilësore.”
Kineastët theksojnë se ka pasur shkelje të Rregullores së brendshme të organizimit dhe funksionimit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ndërkohë që Këshillat e Miratimit të Projekteve, kanë punuar nën presionin e z. Çashku për zhvillimin e mbledhjeve dhe miratimin e projekteve brenda vitit 2024.
“Projektet janë shpërndarë tek KMP në datën 19 dhjetor dhe kanë patur vetëm 3 ditë në dispozicion (2 prej të cilave ditë fundjave) për të lexuar dhe studiuar 23 projekte. Ky veprim bie ndesh me përcaktimin e bërë në nënpikën 4, të pikës A.1.4, të Kreut II të Rregullores së brendshme të organizimit dhe funksionimit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë”, nr. 163 Prot., datë 22.05.2024, në të cilën përcaktohet se anëtari i Këshillit të Miratimit të Projekteve disponon materialet e projekteve të paktën 10 ditë para zhvillimit të mbledhjes së Këshillit të Miratimit të Projekteve”.
Po ashtu nën presionin e djegjes së buxhetit në fund të vitit, me shpejtësi u nënshkruan kontrata dhe u shpërndanë buxhetet, megjithëse me regullore, producenti mund të nënshkruajë dy kontrata, por nuk mund të financohet për realizimin e dy projekteve në të njëjtën kohë. E githë kjo vendimmarrje e nxituar në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret e miratuara nuk premton as për rritjen e cilësisë së prodhimeve që janë financuar as për menaxhim të mirë të buxhetit.
“Në mbledhjet e zhvilluara në periudhën 19-23 dhjetor 2024, ku u miratuan 18 projekte janë nënshkruar të gjitha kontratat duke shkelur nënpikën 1 të Kapitullit IV të Kreut V të Rregullores në 2 raste, në të cilën parashikohet që producenti mund të nënshkruajë dy kontrata, por nuk mund të financohet për realizimin e dy projekteve në të njëjtën kohë. Nga ky rregull përjashtohen vetëm projektet e kategorisë “Projekte të ndryshme kinematografike” dhe projektet e kategorisë “Koproduksione në Pakicë”.
Kineastët i kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme Ministrit, pasi sipas tyre “Disfunksionaliteti i institucionit, menaxhimi problematik i burimeve njerëzore dhe financiare, mungesa e transparencës në proceset vendimmarrëse dhe shkeljet e vazhdueshme të akteve ligjore e nënligjore, po rrezikojnë seriozisht jo vetëm mbarëvajtjen e punës së QKK-së, por edhe të ardhmen e kinematografisë shqiptare.”
Kriza në Qendrën Kinematografike duket të jetë thelluar tashmë, një vit pas emërimit të drejtorit të ri dhe me gjithë përplasjet, deri më tani, kineastët po ndjekin në mënyrë strikte një rrugë institucionale për zgjidhjen e problemeve të tyre, ndaj injorimi edhe më tutje i kërkesave të tyre legjitime nga ana e Ministrisë, sipas tyre, do ta përkeqësonte në mënyrë të panevojshme situatën e krijuar.
Ata kërkojnë takim urgjent të ministrit me një përfaqësi të komunitetit të kineastëve, mes të tjerash, për të rivendosur funksionalitetin e plotë të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, si institucioni kyç për zhvillimin e kinematografisë shqiptare.
Pas përgjigjes dërguar nga Eol Çashku në adresë të sekretares së përgjithshme të Ministrisë, ku vërente se gjjithçka në QKK funksionon më së miri, pesë nga shoqatat e kineastëve të regjistruara në QKK i janë drejtuar me një letër të dytë ministrit Goxhe dhe sekretares së përgjithshme të MEKI-t, ku i kërkojnë të verifikojë të gjithë pretendimet e ngritura.
“Referuar komunikimit për letrën e datës 16.01.2025, të nënshkruar nga kryetarët e pesë shoqatave të kineastëve dhe të nisur me postë në adresën e MEKI, si dhe përgiigjes së marrë nga Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, sjellim në vëmendjen tuaj se ky komunikim përbën shqetësim, që kërkon vëmendje institucionale dhe adresim të menjëhershëm. Pavarësisht se Z. Eol Çashku në përgjigien e tij, problematikat e ngritura i klasifikon si “sulm i kordinuar”, ne jemi të mendimit se Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i disponon të gjitha mekanizmat ligjorë dhe institucionalë për të verifikuar pretendimet e ngritura në shkresë.”, - vërejnë kineastët në këtë komunikim të dytë.
"Duke qenë se kineastët i kanë rezauruar të gjitha rrugët e mundshme për mirëkuptim me QKK-në dhe i janë adresuar ministrit", - sipas tyre, mbetet detyrim ligjor i ministrit, i cili i garantoi "për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori tepër të rëndësishëm për industrinë e ekonominë kreative”, të ndërhyjë institucionalisht dhe të adresojë shqetësimet e tyre, pasi ata vetë janë më të interesuar se kushdo në mbarëvajtjen e punëve në këtë sektor.
Me shpresën për një zgjidhje optimale, ata shprehen se janë “Në pritje të përgjigjes zyrtare të MEKI” dhe i qëndrojnë kërkesave për verifikim të shqetësimeve dhe pezullimin e të gjitha kufizimeve në rregulloren e QKK-së, që diskriminojnë krijuesit dhe producentët e rinj.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)