Ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare regjisori i shquar shqiptar Piro Milkani, një nga kolosët dhe baballarët e Kinematografisë shqiptare, me mbi 20 prodhime që qëndrojnë në majën e artit dhe kulturës.
Homazhet dhe ceremonia për kinematografin e njohur njoftohet se do të zhvillohet nesër në orën 13:30.
Lajmin e trishtë e ka ndarë sot edhe i biri i tij, Eno Milkani, përmes rrjeteve sociale, me anë të një mesazhi prekës:
"Iku babai, shoku dhe kolegu im!"
Piro Milkani ishte një prej figurave më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, me një karrierë të gjatë dhe kontribut të jashtëzakonshëm në artin e regjisurës. Ai do të mbahet mend si një personalitet i dashur dhe i respektuar jo vetëm për talentin, por edhe për dashurinë dhe përkushtimin ndaj artit dhe familjes
Filmografia e një kolosi të kinematografisë shqiptare, nga vitet 60-të dhe deri në amëshim
Filmografia e tij e shquar nis që në moshë të re, ku në Kinostudion shqiptare del filmi aq i dashur për artdashësit “Ngadhënjim mbi vdekjen”, më 1967. I pasura me “Përse bien këto daulle” dhe “Kur zbardhi një ditë”, (3 episode), më 1969 dhe 1971.
Një gjurmë të fortë Milkani do linte me dy prodhimet e radhës kinematografike, “Shtigje Lufte” më 1974 dhe komedia aq e bukur “Çifti i lumtur”, me kastën më të mirë të aktorëve shkodranë. Dhe ngjitja do të vijonte me dy seritë “Zonja nga qyteti” më 1976 dhe “Një shoqe nga fshati” më 1980, që kanë mbetur edhe sot në zemrat e shumë shqiptarëve dhe janë ndër filmat më të ndjekur komedi.
Pa harruar më tej “Besa e kuqe”, “Pranvera nuk erdhi vetëm”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, së bashku me regjisorin italian Luciano Tovoli, për të finalizuar me “Ngjyrat e moshës” në kapërcim të dy epokave historike të vendit (1990), apo "Lamerica" më 1994 dhe “Trishtimi i zonjës Shnajder” më 2008, ku filmografia e tij u pasurua edhe më shumë, pavarësisht tranzicionit të vendit.
Jeta dhe vepra e pasur e regjisorit
Piro Milkani lindi në Korçë më 9 dhjetor 1939. Pas mbarimit të shkollës së mesme në qytetin e tij, ai vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, Çekosllovaki, ku u diplomua si operator filmi. Gjatë viteve të studimeve, ai realizoi filmin e tij të diplomës, Nenavist (Mosmirënjohja), i cili shënoi fillimin e një karriere të suksesshme në kinematografi .
Pas kthimit në Shqipëri, Milkani filloi punën në Kinostudion “Shqipëria e Re” si operator dhe më pas si regjisor. Ai ka realizuar mbi 20 filma artistikë.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kinematografinë shqiptare, Milkani është nderuar me tituj dhe çmime të shumta, përfshirë titullin “Artist i Popullit” (1987) dhe medaljen “Ambasador i Filmit Shqiptar” nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë .
Postimi i të birit të regjisorit Piro Milkani
Regjisori Mevlan Shanaj e ka pritur me një dhimbje të thellë shpirtërore humbjen e regjisorit të mirënjohur Piro Milkani.
I prekur dhe përlotur ai kujtoi humbjen e trishtë të mikut të tij më të mirë të rinisë, që e cilësoi edhe si baba të kinematografisë shqiptare dhe një “humbje kombëtare”.
Aktori dhe regjisori kujtoi episode nga e kaluara me Milkanin dhe deri në ditët e fundit, ku dje kishte qenë edhe komunikimi i fundit.
“Ndihem në trishtim për humbjen e Piro Miknanit, mikut tim. Fola me të dje, kishte probleme shëndetësore së fundmi, ishte sëmurë. Jemi njohur që në rini bashkë, studentë, ishte i ditur, i shtruar, me embëlsi dhe veti të rralla. Qytetar i klasit të parë, i rrallë, që vendi ynë i ka të rrallë. Unë kam qenë në dy filma të tij, “Ballë Përballë” dhe “Pranvera s’erdhi vetëm”, një nga regjisorët më të arrirë. Por kujtohen filmat e tij më të mirë. Ai ishte babai i kinematografisë.
Prej 15 vitesh qëndronte i shkëputur, sepse shëndeti nuk i ka ecur mirë, por ishte shumë i kthjellët. Botoi edhe një libër në Spanjë. Burrë i pjekur, social dhe me kontribute të mëdha. Kishte mënyrën e tij sugjestionuese. Bënim edhe humor bashkë herë pas here. Por humbja e tij është një humbje kombëtare duke pasur parasysh figurën e tij dhe veprën”, u shpreh regjisori i njohur mes pezmatimit dhe dhimbjes së thellë.
Sot, në moshën 86-vjeçare, u nda nga jeta një nga emrat më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare, regjisori dhe operatori i mirënjohur Piro Milkani
Jeta dhe rruga artistike e Piro Milkanit
Piro Milkani lindi më 9 dhjetor 1939 në qytetin e Korçës, një vatër e kulturës shqiptare. Që në moshë të re u tërhoq nga magjia e kinematografisë dhe vendosi të ndjekë studimet për operator filmi në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, ku edhe realizoi filmin e diplomës “Nenavist” (Mosmirënjohja).
Kthimi në Shqipëri shënoi fillimin e një karriere të jashtëzakonshme në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Si operator dhe më pas regjisor, ai la gjurmë të thella në historinë e filmit shqiptar me mbi 20 filma artistikë, dokumentarë dhe filma të shkurtër. Stilistikisht, Milkani u dallua për realizmin e tij të kujdesshëm, për portretizimin njerëzor dhe për reflektimin kritik e të thellë të realitetit shqiptar.
Nga ana tjetër duhet veçuar se Milkani ka qenë bashkëregjisor i filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Luciano Tovolit, i bazuar në romanin me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë, i cili u prodhua nga kinemaja italiane në vitin 1983. Protagonist i filmit ishte aktori i njohur Marcello Mastroianni.
Gjatë karrierës së tij, Milkani fitoi shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare dhe u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, si dhe medaljen “Ambasador i Filmit Shqiptar”.
Një jetë e dedikuar artit dhe edukimit
Përveç krijimit të filmave, Piro Milkani ishte edhe pedagog i dashur, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të regjisorëve dhe operatorëve shqiptarë. Ai ishte gjithmonë i përkushtuar ndaj artit dhe kulturës, duke kontribuar edhe në organizimin e festivaleve dhe promovimin e kinematografisë shqiptare në botë.
Dy filma kryesorë që mbeten në kujtesë
Nga filmografia e pasur e Piro Milkanit, dy filma që spikasin dhe mbeten të dashur nga publiku dhe kritikët janë:
“Trishtimi i zonjës Shnajder” (2006) – një dramë psikologjike që trajton pasojat e tranzicionit shoqëror në Shqipëri. Filmi ndjek historinë e zonjës Shnajder, e cila përballet me vetminë, zhgënjimin dhe sfidat personale në një shoqëri që po ndryshon me shpejtësi. Me një regji të kujdesshme dhe një interpretim të thellë psikologjik, filmi reflekton mbi pasigurinë dhe krizën e identitetit në një periudhë tranzicioni dhe lidhet me vitet e tij të studimit në Çekosllovaki.
“Zonja nga qyteti” – një komedi satirike që përshkruan me humor dhe ironi kontrastet sociale midis jetës urbane dhe provinciale në Shqipërinë e periudhës së fundit të komunizmit dhe fillimit të tranzicionit. Përmes një serie situatash komike, filmi sjell një portret të gjallë të mentaliteteve, paragjykimeve dhe sfidave që lidhen me ndryshimet shoqërore.
Trashëgimia që do të mbetet gjallë
Piro Milkani është emri që lidhet me zhvillimin dhe pjekurinë e kinematografisë shqiptare në periudha të ndryshme historike. Ai i dha filmit shqiptar dimensione njerëzore, psikologjike dhe shoqërore, duke krijuar një arkiv të çmuar filmash që flasin për realitetin dhe shpirtin e shqiptarëve.
Filmografia e Milkanit
Komente

AI U PREFTË NË PAQE.FAMILES NGUSHËLLIMET MË TË NDJERA.KINEMATOGRAFIA HUMBI NJË NGA DJEMTË QË LARTËSUAN NË MAJAT MË TË LARTA DUKE E NGRITUR NGA HIÇI.PIRUA NUK U SHKËPUT NGA TABANI KOMBËTAR. PIRUA ISHTE E DO TË MBETET NJË DJALË I POPULLIT QË NUK U TREGUA BUKËSHKAL,KRITIKOI POR NUK U TREGUA NIHILIST NDAJ KRIJIMTARIS JO VETËM TË TIJË POR DHE TË SHOKËVE ME TË CILËT PUNOJ DHE U LARGUAN NGA JETA PËRPARA PIROS.
Përgjigju