VLORË- Sotir Tafili, 50-vjeç është vënë në hetim pasi kishte 'zaptuar' plazhin e Zvërnecit në Vlorë, duke vendosur shezlongë pa leje nga autoritet përkatësë. Report Tv mëson se Tafili kishte zënë hapësirën publike duke vendosur 140 shezlongë dhe 80 çadra pa leje, për pasojë është proceduar penalisht. Procedimi i tij vjen në kuandër të fazës së dytë të operacionit "Bregdeti ynë", me qëllim lirimin e hapësirës së plazheve nga 'uzurpuesit'.
"Gjatë ditës së djeshme, në vijim të fazës së dytë të operacionit "Bregdeti ynë", nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u procedua penalisht shtetasi: S. T., 50 vjeç, banues në Vlorë. Gjatë kontrollit të ushtruar në plazhin e Zvërnecit, Vlorë, u konstatua se ky shtetas kishte zënë hapësirën publike duke vendosur 140 shezlongë dhe 80 çadra pa lejen e organeve kompetente. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njofton Policia.
Stacionet e plazhit janë kthyer në një shqetësim serioz, çka ka çuar edhe në konflikte me viktima, siç ishte rasti në Velipojë ku humbën jetën 4 persona. Ndonëse sezoni turistik ka nisur tashmë, ende nuk ka përfunduar procesi i dhënies së lejeve për bizneset. Madje, ministri i Turizmit, Blendi Klosi nga Kavaja, ngriti shqetësimin ku tha se vija e saj bregdetare ka më shumë aplikime për stacione plazhi se sa parcela.