Klajdi, i riu që ëndërronte Irlandën por vdiq në kamionin e “Biba X”

17 Maj 2022, 17:05| Përditesimi: 17 Maj 2022, 20:38

  • Share

Klajdi, djali i vetëm i familjes Kaja u përcoll për në banesën e fundit duke lënë dhimbje tek familjarët dhe miqtë. I riu nga fshati Halilaj i Lushnjës po punonte për ndërtimin e Bypass-it të Vlorës, kur kamioni me të cilin udhëtonte si pasagjer u aksidentua mesditën e së hënës. Përmes lajmërimit të vdekjes zbulojmë se Klajdit iu pre jeta në mes në moshën 31-vjeçare, ndryshe sa thuhej, 28 vjeç, në njoftimin e Policisë së Vlorës.

Kjo është banesa në të cilën jetonte 31-vjeçari, bashkë me dy prindërit, të cilët janë të thyer nga vdekja e birit të vetëm të familjes. Që kur morën vesh lajmin e kobshëm, një infermiere u qëndron te koka gjithë kohës. Shtëpia është e mbushur me njerëz, familjarë e të afërm, të cilët vijnë të ngushëllojnë prindërit. Vdekja tragjike e Klajdit ka tronditur edhe të motrën, Gertën, e cila nuk e kishte imagjinuar asnjëherë një fat të tillë për të vëllain. 31-vjeçari prej rreth një viti punonte në kompaninë “BIBA-X”, me të cilën fillimisht kishte punuar në Theth, më pas në Gjirokastër dhe së fundmi për Bypass-in e Vlorës.

I ati i Klajdit, Esati, mezi e kishte rritur, për vite të tëra në emigrim në Greqi kishte arritur të ndërtonte një shtëpi të mirë, për një jetë të mirë. Në Greqi qëndroi për disa vite edhe vetë Klajdi, por u kthye. Dy prindërit në vitet e fundit merreshin me bujqësi, ndërsa Klajdi ishte sistemuar në kompaninë “BIBA-X”. Familjarët i thanë Report Tv, jashtë kamerës, se nuk e dinin rrogën e Klajdit, por ishte disi i kënaqur edhe pse prej kohësh kishte shfaqur dëshirën të largohej drejtë Evropës, në Irlandë, dëshirë që nuk iu plotësua asnjëherë.

Klajdi njihej nga miqtë si djalë i qeshur, i respektueshëm dhe që e donte shumë jetën. Një mik i tij rrëfen se ai dashuronte shpejtësinë dhe nganjëherë e tejkalonte atë me makinën e tij, por gjithsesi ishte shofer shumë i zoti. Me Benzin e tij ai shkonte në punë, çfarë i shpenzonte jo pak, sidomos në këtë periudhë të vështirë të rritjes së çmimit të karburantit. Kur kthehej në shtëpi pas pune kishte dëshirë të luante bilardo, në një lokal në fshatin Bubullimë. Por Klajdi kishte qejf edhe politikën, prej disa kohësh ishte zgjedhur kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në njësinë Bubullimë.

Bashkë me Klajdit humbi jetën në aksidentin tragjik edhe Armand Beu, drejtuesi 32-vjeçar i kamionit. Si Klajdi, edhe Armandi ishte djalë i vetëm, por baba i dy fëmijëve të mitur, një djali dhe një vajze.


Lajmi kryesor:

Enigmat e aksidentit tragjik, asnjë i arrestuar në Vlorë! Viktimat Armand Beu dhe Klajdi Kaja punëtorë të "Biba x"! Kamioni ishte tejmbushur me inerte


K.T./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?