Politikë

‘Klienteliste dhe të personalizuara’, deputeti Braçe zbulon 2 arsyet përse nuk votoi komisionet e reja parlamentare (VIDEO)

17 Shtator, 13:56| Përditesimi: 17 Shtator, 14:16

  • Share

Deputeti socialist Erion Braçe nuk votoi 11 komisionet e reja parlamentare në seancën e të martës në Parlament.

Ai thotë se arsyet janë dy që nuk pranoi t’i votonte.

Në një reagim në Instagram, Braçe ka treguar se arsyeja e parë lidhet me mungesën e ngritjes së komisionit të dezinformimit. Legjislatura e kaluar pati miratuar në Parlament strategjinë për dezinformimin dhe ndërhyrjet e jashtme, dokumenti i të cilës specifikonte edhe ngritjen e një komisioni parlamentar.

“Lidhet me atë punë që u bë në vitin e fundit të legjislaturës së shkuar këtu në Kuvend për çështjet e dezinformimit, keqinformimit, ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në shoqëri dhe në ekonomi. Kjo këtu është strategjia, dokumenti më i mirë që Kuvendi mund të ketë miratuar gjatë legjislaturës së shkuar. Një strategji e hartuar jo vetëm me ekspertë vendas, por edhe me asistencën e plotë të Komisionit Europian, të Bashkimit Europian, të OSBE edhe të shumë faktorëve të tjerë të rëndësishëm që e kanë prioritet çështjet e dezinformimit, keqinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja keqdashëse. Për një periudhë kohe e kishim dhe ne, u mor me vrull të madh, u thirra unë, duhet ta bësh ti këtë gjë se ti di ta bësh. Pastaj as ndihmoi kush, as foli kush, as e lexoi kush dhe as e vlerësoi kush punën që u bë dhe dokumentin që u miratua. Por në udhërrëfyesin që shoqëron dokumentin, thuhet qartë dhe është votuar në Kuvend që do të ketë një komision parlamentar pikërisht për këtë çështje. Tani që gjithë puna e bërë, dokumenti po vlejnë si shembull edhe për vende rreth e qark nesh, tani zhduket propozimi, zhduket komisioni”.

Arsyeja e dytë, për deputetin Braçe, lidhet me komisionet e reja, për të cilat thotë se nuk është dakord dhe duken të jenë klienteliste.

“Arsyeja e dytë, patjetër që isha kundër asaj liste komisionesh që m’u duk thuajse e personalizuar dhe klienteliste në kushtet kur parimisht një komision i vlerësuar si i domosdoshëm zhduket nga ajo listë. Unë nuk kisha absolutisht asnjë pretendim personal. Nuk i kërkova kujt, për më tepër atij që vendos për të tilla gjëra që të isha unë kryetari i këtij komisioni apo i ndonjë komisioni tjetër. Unë mendoj që çështja e dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në shoqëri, ekonomi e zgjedhje, është një çështje që nuk ka ndryshuar. Kjo ishte arsyeja”.

Komisionet e reja parlamentare, 11 të tilla, u votuan në Parlament një ditë më parë me 79 vota pro. 7 prej tyre do t'i drejtojë mazhoranca, kurse 4 të tjerat opozita.

KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PS DHE EMRAT E KRYETARËVE:
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat - Do të drejtohet nga Milva Ekonomi
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike - Do të drejtohet nga Ulsi Manja
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes - Do të drejtohet nga Bledi Çuçi
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm - Do të drejtohet Anila Denaj
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural - Do të drejtohet Blendi Klosi 
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme - Do të drejtohet nga Igli Hasani
Komisioni për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale - Do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj
KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PD:
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe sportet - Do të drejtohet nga Luçiano Boci, Evis Kushi (PS) Nënkryetare
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale- Do të drejtohet nga Ina Zhupa, Eduard Shalsi (PS) Nënkryetar
Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik - Do të drejtohet nga Jorida Tabaku, Iris Luarasi  (PS)  Nënkryetare
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën - Do të drejtohet nga Bardh Spahia, Erjon Malaj (PS)  Nënkryetar

V.GJ /I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?