E ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, ishte Enxhi Hasani, pedagoge dhe specialiste e shëndetit publik, e cila foli për nevojën jetike që duhet të ketë popullata për kontrollet dhe sigurinë ushqimore të produkteve, të cilat kanë një ndikim jo vetëm shëndetësor, por edhe ekonomik.
Ndikimet në shëndet janë si në terma afatshkurtër, ashtu edhe në afatgjatë. Në kategorinë e parë futet siguria ushqimore dhe kontaminimi që u bëhet ushqimeve me qëllim përfitimi nga tregtarët apo shitësit. Këtu përfshihen edhe helmimet ushqimore.
Në terma afatgjatë, mund të shfaqen sëmundje të ndryshme kronike që vijnë si pasojë e mungesës së kujdesit shëndetësor.
Specialistja tha se vetë qytetarët duhet të bëhen “blerës të zgjuar”, pasi rreziku nga siguria ushqimore është i lartë, sidomos nga përdorimi i alfatoksinave.
Duhen lexuar me vëmendje paketimet e ushqimeve për të kontrolluar origjinën e produktit dhe të zgjidhen produkte të besueshme.
Sipas specialistes, janë strukturat përkatëse që duhet të garantojnë cilësinë dhe sigurinë e produktit. Në fund, ajo theksoi se duhet të edukohet konsumatori për të pasur sa më pak rrezik ushqimor.
I ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me autore Doreada Mio, ishte edhe specialisti i shëndetit publik, Leidon Shapo, i cili foli fillimisht për tranzicionin demografik dhe impaktin që sjell, si edhe për një studim mbi moshën biologjike dhe funksionale të zemrës, pa harruar edhe piramidën ushqimore.
“Tema e parë është një nga diskutimet më të zakonshme të shëndetit publik sot”, tha specialisti në studio, duke shtuar se nuk është gjë tjetër veçse një zhvendosje nga nivelet e ulëta të lindjeve në nivelet e larta të vdekjeve, që ndikojnë ndjeshëm në rezultatet shëndetësore. Janë shumë gjëra që duhen bërë, si në nivel sistemi ashtu edhe në nivel politikash, me masa afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata”, tha ai.
Sipas mjekut, cilësia e jetës është shumë e rëndësishme për të rritur jetëgjatësinë. Më pas, mjeku foli për zemrën – si po plaket ajo dhe kujdesin që duhet treguar, sidomos te personat që vuajnë nga obeziteti apo diabeti.
Pra, stili i jetës ka shumë rëndësi. Në fund, mjeku foli për piramidën ushqimore si një protokoll për të ruajtur balancat e elementëve, që i duhen trupit tonë për një ushqyerje të shëndetshme.
Në themel të piramidës qëndrojnë ushqimet bazë: perimet, frutat, zarzavatet dhe produktet integrale.Në përmbyllje, ai rekomandoi që dieta mesdhetare ka rezultuar të jetë më e suksesshmja.
Komente
