‘Orët e fundit të Presidencës Meta’, ishte tema e diskutimit këtë mbrëmje në emisionin ‘Repolitix’ të gazetarit Denis Minga në Report Tv. Analisti Shpëtim Nazarko, deklaroi se Ilir Meta i ka tejkaluar pozicionet që duhet të mbajë një President, dhe në këtë rast ndëshkimi duhet t'i vijë nga Gjykata Kushtetuese. Sipas Nazarkos, Presidenti Ilir Meta do shkarkohet nga ‘Kushtetuesja’ por procedura mund të zgjasë rreth 1 muaj.
“Meta do shkarkohet, por procedura mund të zgjasë, aq sa ka afatin rreth 1 muaj. Por është politikani më i talentuar në Shqipëri, ka marrë postet me radhë. Këto deklaratat e ‘Kushtetueses’ mbase për publikun kanë vlerë, po i shkëpute nga konteksti. Meta e tejkaloi rolin e tij si President.”-tha Nazarko.
Ndërsa ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Gent Malko, është i mendimit se ‘Kushtetuesja’ me vendimin e saj do vendosë një lloj standardi dhe të vendosë kufijtë që sjellje të tilla në të ardhmen të mos ndodhin, siç flitet që Meta ka tejkaluar kompetencat e kreut të shtetit. Malko tha se Gjykata Kushtetuese po ecën me ritme të shpejta.
“Presidenti ka të drejtën e kontestimit. Besoj që Meta është i përgatitur për çfarëdolloj vendimi që do jepet. Po jep afat të shkurtër nga seanca në seancë. Do mbarojë shumë shpejt në bindjen time.” - tha Malko.
Qasjen e Gjykatës Kushtetuese ndaj Presidentit, analisti Fatos Klosi tha se Meta pati problemet e tij që futi veten në këto telashe ndërsa shtoi se Meta ka bërë shkelje të qarta dhe duhet shkarkuar.
"Vendimi që do marrë Kushtetuesja, do kemi një vendim që do kushtëzojë sjelljet e Presidentit. Nëse ai thotë të marrin kosoret, sfurqet, çdo kush tjetër do i lejonte vetes të bëntë njësoj. Këtë quaj më të rëndësishme, që do krijojë një precedent, uroj të jetë precedent që do ndihmojë në konsolidimin e një shteti të së drejtës. Hera e parë që për një shtetar kaq të lartë, jepet mendim për gjërat që ka bërë. Vendimet e saj kanë vlerën e ligjeve. Për mua duhet shkarkuar. Politika s'është ende serioze. E lidhur me interesa personale. Presidenti duhet të ishte një njeri që mban ekuilibrat, që kontribuon për të qetësuar, por ka bërë të kundërtën."-tha Klosi.
Ndërsa ish-deputeti Myslim Murrizi, deklaroi se Meta ka dalë nga figura e Presidentit gjatë fushatës elektorale dhe më përpara.
“Meta ka dalë nga posti i presidentit gjatë fushatës elektorale dhe me përpara. Dy trekëndëshat e Bermundës po t’i bashkosh bëjnë katrorin. Pyetjet janë shpuese. Më habiti argumenti që nuk duhet të merret për bazë vendimi se është i parlamentit që ka ikur. Kjo është gallatë. Deputetët e PD kanë qenë në çadër kur është zgjedhur Meta.” - deklaroi Murrizi.
Gjykata Kushtetuese vendosi sot të shtyjë sërish seancën publike për çështjen me objekt shqyrtimi, vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Shtyrja erdhi pas kërkesës së përfaqësuesit të presidentit për 48 orë kohë, për të përgatitur përgjigjet për pyetjet që i drejtuan gjyqtarët dhe kërkuesit.
Një tjetër çështje që u diskutua në emisionin ‘Repolitix’ ishin zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Për analistin Fatos Klosi, Shkodra do jetë e vetmja garë për të treja palët, Berishën, Bashën dhe Ramën.
“Shkodra mbetet një tregues edhe për Partinë Socialiste, për të treguar nëse është afër apo jo. E vetmja garë është Shkodra për të tre palët. Duhet t’i tregojë bazës se edhe në këtë situatë, nëse nuk fitojnë Shkodrën, ka shumë kuptime.”-tha Klosi.
Analisti Shpëtim Nazarko tha se Bashkia e Shkodrës është më e rëndësishme se pesë bashkitë e tjera.
“Nëse fiton e djathta duke mbledhur dy palët e votave, thonë se anon nga Berisha, do të thotë se këtu ka të djathtë.”-tha Nazarko.
Ndërsa ish-anëtari i Këshillit Kombëtar i PD, Gent Malko tha se Shkdora është i vetmi qytet ku opozita mund të marri vota. Sakaq, Malko theksoi se këto zgjedhje kanë vetëm një kontekst, betejën Berisha-Basha.
“Në mënyrën si janë vendosur, kandidati i Bashës, nuk është i keq. Do marri disa vota. Bardhin e njoh personalisht, s’ka opinion të keq Shkodra për të. Edhe në Shkodër ku duket se ka garë, mund të diskutohet fitorja e PS. Beteja është Basha-Berisha, këto zgjedhje kanë vetëm këtë kontekst.”-tha Malko.
Për ish-deputetin Myslim Murrizi, zgjedhjet e pjesshme janë një betejë mes dy personave, Bashës dhe Berishës ndërsa nuk përjashtoi se është një test edhe për Edi Ramën.
“Shkodrën nuk e shoh vetëm nga qenie antikomuniste. E vetmja Bashki që ka 2 mijë punëtorë në punë nga PD-ja. Zgjedhjet e pjesshme lokale, pushteti hyn në avantazh. Nuk ndryshon raportet politike.”-tha Murrizi.
A përbën koalicion Berisha-Meta një projekt të ri politik apo është një taktikë vetëm për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, sipas Gent Malkos, 'Shtëpia e Lirisë' është një pol i tretë.
"Berisha do tentojë të zgjidhi ligjërisht çështjet e PD-së. Dyshoj që do bëhet me LSI dhe të bashkohet në një parti se do bënte një firo të jashtëzakonshme në pjesën e elektoratit që mendon se e merr. Pol në mënyrë të padiskutueshme. Ka filluar të ravijëzohet shumë më herët. PD misionin e saj e ka mbyllur me kohë. Sot po shohim degradimin nga mbajtja me dhunë prej lidershipit. Po ta kishin lënë të lirë, do kishim parë një ringritje të PD-së."-tha Malko.
Analisti Shpëtim Nazarko është i mendimit se bashkëpunimi Berisha-Meta do ketë shumë të papritura rrugës. Ndërsa analisti Fatos Klosi tha se Meta dhe Berisha po bashkëpunojnë vetëm për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
“Baza e dy partive nuk shkojnë me njëra tjetrën. Të dy në pozitë të vështirë. Po bëjnë një bashkëpunim nga kjo pozitë e vështirë. Berisha e ka me Lulin dhe jo me Ramën. Aq sa do fitojnë së bashku, do thotë kontributi është i imi. Situata po i detyron të bashkohen hapur.”-tha Klosi.