Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se një klub futbolli i njohur në botë do ketë Akademinë dhe Shkollën e futbollit në Durrës, që do i shërbejë të gjithë talenteve në vend dhe rajon si një trampolinë për në futbollin botëror. Rama, së bashku me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako ka bërë një vazhgim edhe të dy opsioneve për terrenet sportive që do vendosen në dispozicion të klubit me famë botërore, emrin e së cilit Rama nuk e ka bërë me dije. Terrenet sportive do jenë pranë Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës.
"Arsyeja pse jemi këtu është se po finalizojmë dy opsionet për Akademinë e futbollit që do sjellim në Durrës, një klub me famë në botë, emrin që do e themi më vonë. Do jetë një hap i rëndësishëm për Durrësin dhe talentet që do rriten këtu dhe do integrohen në rrjetin e futbollit ndërkombëtar. Plaftorma e re për ata që duan të merren me sport, sjell këtë akademi futbolli dhe shkollë futbolli. Kemi dy opsione për terrenet, zgjedhjen do e bëjnë vetë ata", tha Rama.
Prezente në këtë inspektin, kryetarja e bashkisë Durrës, Emirjana Sako tha se janë evidentuar nëntë terrene sportive edhe për njësitë administrative.
"Këtu jemi te kampusi i Universitetit. Kemi dy opsione, si një mundësi për terrene sportive. Kanë një sipërfaqe 220 mijë metër katror. Janë edhe dy sipërfaqe të tjera më të fragmentuara, paralel me autostradën. Në gjithë bashkinë Durrës janë evidentuar nëntë terrene sportive për të rinjtë. Ishmi, Manza, Rashbulli, Katundi i Ri do kenë plane që në këto zona të ketë terrene sportive", tha Emirjana Sako.
Lajmi kryesor:
Klubi elitar i futbollit europian me Akademi në Durrës, Rama: Shkollë që iu shërben fëmijëve
S.Dh/ReportTv.al