Deputeti socialist Petro Koçi ishte i ashpër me Sali Berishën, duke e cilësuar si Dick Marty shqiptar, që foli keq për Shqipërinë në Bruksel. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Koçi tha me ironin se nuk ka zëdhënës më të mirë sesa Berisha për Beogradin dhe Kremlinin, ndërsa shtoi se është e pafalshme që një person të shesë vendin për interesa personale.
Një koment kishte edhe për deputetët demokratë që nuk do të jenë në shtator në Kuvend, teksa tha se kanë bërë opozitë dhe jo si të tjerët që kanë djegur karrige dhe kanë sulmuar me grushte.
“Dick Marty nuk ka vdekur. Dick Marty që dikur akuzonte UÇK për transplant organesh, ishte ringjallur dje në Bruksel. Kësaj radhe jo për të akuzuar UÇK por vetë Shqipërinë Dick Marty shqiptar akuzonte Shqipërinë si vend kartelesh bandash, ku aeroportet dhe portet janë vënë në dispozicion të trafikut ndërkombëtar të drogës, gjë e tmerrshme dhe e duartrokitshme në Kremlin, Beograd apo diku tjetër. Zëdhënës më të mirë antishqiptar sesa Dick Marty shqiptar s’mund të gjenin armiqtë e Shqipërisë. Dukuri e pafalshme që për hir të disa interesave personale të shesësh vendit tënd në kancelaritë evropiane, në ato zyra ku sot është duke u gatuar integrimi evropian i Shqipërisë. Tërësisht e pafalshme.
Shqipëria është një vend i cili sapo ka përfunduar një proces zgjedhor, për të cilin askush deri tani nga organizatat ndër, përfshirë raportin paraprak të OSBE apo deklaratën e djeshme të komisionit të jashtëm të PE nuk ka marrë asnjë pikëpyetje sa i përket legjitimitetit të tyre. A ka probleme zgjedhjet në Shqipëri? Patjetër që kanë dhe do të ishte në seriozitet që kur të përfundojë raporti i OSBE/ODIHR ta shqyrtojmë me vëmendje dhe përgjegjshmëri për të korrigjuar çdo problem me natyrë teknike që kanë pasur zgjedhjet. Më çudit fakti që kjo opozitë, e kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve, bën sikur i dhimbset procesi. Por çfarë faji ka PS që ka marrë thuajse të njëjtat vota si në 2021 ku 200 mijë kryengritës votues të PD refuzuan të shkonin në qendrat e votimit apo një pjesë prej tyre votuan parti dhe subjekte të ndryshme nga ajo që sot mban tagrin PD me drejtues Berishën. Ky është problem i PD, jo i PS. Por ndryshe nga ju, PS edhe kur fiton zgjedhjet, i hyn në analize të thellë dhe serioze çdo rezultati në çdo qendër votimi, ju s’e keni bërë kurrë këtë gjë. Asnjëherë PD s’ka bërë analizë zgjedhore, përveçse ka ndërtuar një retorikë dhe alibi. PD mori rezultatin që donte. Berishës i duhej grup privat personal e parlamentar dhe atë mori. Zgjodhi në listat e hapura njerëz anonimë që s’kishin asnjë impakt në elektorat.
Zgjodhi taktikë për të humbur jo fituar zgjedhjet. Berisha s’qeveris dot fushatën, jo më vendin. Nuk fiton dot zgjedhjet, nëse mbjell dëshpërim dhe jo shpresë, nuk i fiton dot zgjedhjet. E vetmja forcë që jepte garanci për të ardhmen evropiane ishte edhe është PS. Nëse nuk jeni në gjendje të hiqni qafe Berishën nga drejtimi juaj, s’keni për të fituar zgjedhje. S’e ka kush frikë Berishën, i vetmi detashment që i nënshtrohet janë strukturat drejtuese dhe grupi parlamentar i PD. Më vjen keq që disa prej kolegëve të kësaj partie, në grupin aktual, nuk do të jenë në parlamentin e ardhshëm. Kanë bërë opozitë me fakte dhe janë përpjekur të jenë parimorë në luftën politike. S’kanë djegur karrige apo marrë benzinë për ta futur në sallë, nuk kanë qëlluar me grushte dhe shkelma oficerët e gardës. Janë sjellë si seriozë dhe të qytetëruar. Një opozitë barbare s’mund të fitojë zgjedhjet. Ajo që i ka vënë kapak këtij 4 vjeçari është fjala e djeshme e Berishës në PPE. Mori termat e përdorur nga Maduro për t’i përdorur kundër vendit të vet në atë sallë ku shkohet me lente se çfarë ndodh në Shqipëri. Përgjigjen për Dick Marty shqiptar e dhe po dje komisioni i jashtëm të BE ku e quajti Shqipërinë avangarde të reformave.”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet ‘mollë sherri’ në Kuvend, PD: I vodhët me bandat! PS: Pengje të Berishës, u turrët të bënit pis Shqipërinë! Noka bllokon foltoren, përjashtohet
Xh.D/ReportTv.al