Kolagjeni pakësohet pas moshës 20-vjeçare, Altin Joka: Ja ushqimet që rrisin natyrshëm kolagjenin në trupin tonë

24 Nëntor 2023, 14:00| Përditesimi: 24 Nëntor 2023, 15:33

  • Share

Në emisionin e mëngjesit ‘Rreze Dielli’ në Report TV me moderatore Androniki Kolka, flasim për kolagjenin në trupin tonë. Flitet shumë për kolagjenin, por jo të gjithë e dinë se çfarë është dhe çfarë roli luan në organizëm? Cilët janë faktorët që ndikojnë në pakësimin e prodhimit të kolagjenit në trup dhe cilat janë ato ushqime që ndihmojnë në rritjen e kolagjenit.

“Kolagjeni perceptohet si një suplement, si diçka që na shërben vetëm për lëkurën apo problemet e flokëve, por kjo nuk është e vërtetë. Kolagjeni është një proteinë, dhe është proteina më e bollshme që ne kemi në trupin tonë, rreth 30 % e të gjitha proteinave totale në trupin tonë janë kolagjen, dhe pikërisht ai është blloku ndërtues kryesor jo vëtëm i lëkurës tonë por dhe i muskujve, i kockave, i tendinave dhe i ligamenteve në të gjithë trupin. Gjithashtu ai gjendet dhe në organet tona, në enët e gjakut dhe në zorrë” e nis kështu bisedën nutricionisti Altin Joka duke theksuar se 75 % e peshës së lëkurës tonë është kolagjen.

Proteina e kolagjenit është e ndërtuar nga blloqe aminoacidesh dhe blloqet kryesore formojnë kolagjenin në një zinxhir të trefishtë apo katërfishtë njësoj siç lidhen fijet e litarit. Aminoacidi bazë është prolina, e cila është 15 % e gjithë kolagjenit që ne kemi, ajo mban enët e gjakut të shëndetshme, përmirëson problemet tek kyçet dhe po ashtu problemet kardiovaskulare. Një tjetër aminoacid shumë i rëndësishëm që është 30 % i kolagjenit që në kemi është glicina, që ka efekte në shëndetin kardiovaskular por dhe në formimin e kreatinës e cila mban të shëndetshme pjesën tonë të ADN- së dhe gjithashtu rrit dhe prodhimin e energjisë në trupin tonë. Një tjetër aminoacid në ndërtimin e kolagjenit është glutamina, e cila ndikon në efektin e pagjumësisë, në shëndetin e dobët të tretjes dhe në sistemin e dobësuar imunitar. Ka dhe një sërë aminoacide të tjerë që formojnë zinxhirin e prodhimit të kolagjenit, por është e rëndësishme që të dimë se ky zinxhir spiral plotësohet dhe nga një sërë vitaminash e mineralash që trupi në mungesë të tyre e ka të pamundur të prodhojë kolagjenin. Këto vitamina janë C dhe E, zinku si mineral, bakri dhe mangani.

Thuhet se pas moshës 20 vjeçare kolagjeni pakësohet, a është e vërtetë kjo dhe cilat janë arsyet?

"Mungesa dhe pakësimi i kologjenit shkakton dobësim të kockave, problem me strijat në lëkurë, me rrudhat, vështirësi në kyçe, rënie të flokëve, dobësim dhe çarje të thonjve, kemi probleme me qarkullimin e gjakut, probleme me zorrët apo me traktin gastro intestinal. Është e vërtetë që kolagjeni pas moshës 20-vjeçare bie, edhe pse dikur kjo rënie fillonte në një moshë më të vonshme, kjo për faktin e stilit të jetës së sotme, ushqimit jo të shëndetshëm (ushqime të përpunuara, sheqerna, pijet me gaz, të ëmbëlsuara, etj) dhe faktorë të tjerë si gjumi, stresi, mos pirja mjaftueshëm ujë, toksinave, pesticideve, shtimit të nivelit të kortizolit, teknologjisë, etj. Tek femrat është pak më e theksuar për arsye të problemeve hormonale dhe menopauzës. Nëse ne mbajmë një stil jetese të shëndetshëm aq më vonë do të fillojë rënia e kolagjenit dhe në sasi më të ulët" thekson Joka.

Kolagjeni në trupin tonë ndihmon në shëndetin e flokëve dhe të lëkurës, të jetë më e butë dhe elastike, gjithashtu bën dhe rinovimin e qelizave tona, redukton dhimbjet dhe problemet degjenerative që ne mund të kemi tek kockat dhe tek nyjet, tek osteoporoza e artriti, është një proteinë shumë jetike për ligamentet dhe tendinat, gjithashtu ndikon në problemet me gjumin dhe me tretjen. Aminoacidet e kolagjenit mbajnë në kontroll muret e zorrëve, ndihmojnë në mëlçi, në mbajtjen e masës muskulare, në energji, në shëndetin e zemrës dhe parandalimin e arterio sklerozës.

Po cilat janë ato ushqime që na ndihmojnë në rritjen e kolagjenit në trupin tonë?

"Kolagjeni përmban 28 aminoacide, 6 prej të cilave janë më kryesoret dhe tipi 1 dhe tipi 3 janë afërsisht 90% e kolagjenit që kemi në trup. Tipi 1 dhe 2 mund të merret nga mishi, nga lëkura e mishit, nga pjesët e tendinave, nga lëngu i kockave. Tipi 1 mund të merret nga peshku. Xhelatinat bimore, aloe vera, spirulinat dhe algat e detit janë një burim i jashtëzakonshëm, gjithashtu peshku sidomos merluci dhe peshqit e tjerë të bardhë kanë një nivel të lartë aminoacidesh, selen, fosfor dhe vitaminë B6. Veza, në veçanti e bardha është një ushqim i jashtëzakonshëm për kolagjenin dhe për rritjen e proteinave me një cilësi të lartë. Ushqime të tjera që duhet të konsumojmë janë ato që përmbajnë nivele të larta të vitaminës C si agrumet, luleshtrydhet, lëngu i shegës, boronicat, specat, patatet e kuqe, lakra e Brukselit. Produkte ushqimore që kanë nivelin e prolinës si kërpudhat, lakrat, asparagu, kikirikët. Zinku është tjetër element i rëndësishëm që gjendet tek produktet e detit, farat e kungullit, arrat, brokoli, qiqrat, perimet me gjethe jeshile, drithrat dhe bakri, element bazë në formimin e kolagjenit në fara të ndryshme, kërpudha, djathi tofu, çokollata e zezë. Hudhra gjithashtu është një tjetër ushqim i mirë për sintezën e kolagjenit” rekomandon nutricionisti Altin Joka.

Në ditët e sotme, jeta moderne me stres të shtuar, smog e teknologji të zhvilluar kërkon që kujdesi shëndetësor të jetë më i shtuar dhe hapi i parë sigurisht nis me një stil jetese të shëndetshme.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?