Shqipëri 0-0 Serbi në Tiranë më 7 qershor, penalltia e humbur nga Rey Manaj

Sport

Kombëtarja shkon në Serbi me probleme në sulm, Shqipëria 'ka harruar' të shënojë (Statistikat)

9 Tetor, 13:23| Përditesimi: 9 Tetor, 13:41

  • Share

Të shtunën më 11 tetor në orën 20:45, kombëtarja shqiptare e futbollit luan kundër Serbisë në Leskovac, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës. Përballja është si një finale, pasi vendos shumë për vendin e dytë në grup, që do të thotë play-off për në Botëror. Me tanët që kanë një ndeshje më shumë të luajtur se serbët, kuqezinjve do u bënte punë vetëm tri pikëshi.

Mirëpo, për të fituar duhen golat dhe kjo është pika që kuqezinjtë vuajnë. Nëse marrim ndeshjet e fundit, miqësore apo zyrtare, Shqipëria ka shënuar vetëm tre gola, dy prej tyre nga penalltia dhe një autogol.

Më 7 qershor në Tiranë vinte Serbia dhe paçka lojës së mirë të tanëve apo penalltisë të humbur nga Manaj, dueli u nda në barazim 0-0. Tre ditë më vonë Shqipëria barazoi 1-1 në Letoni, një duel që "dhemb" për mënyrën e lojës. Në këtë duel mungoi goli i futbollistëve tanë, por gjithçka u vendos nga autogoli i Antonijs Cernomordijs. Po i njëjti gjeti edhe golin që 'vulosi' shifrat në 1-1.

Më 4 shtator, në Gjibraltar skuadra e Sylvinhos fitoi 0-1 me golin e Jasir Asanit nga pika e bardhë e penalltisë. Po me penalltin e kthyer në gol nga Asllani, Shqipëria siguroi tri pikë me fitoren 1-0 kundër Letonisë në Tiranë.

Edhe pse me Brojën, Dakun, Uzunin apo Manajn në sulm, kuqezinjtë kanë hasur në vështirësi serioze për të dalë te goli. Mbase ka ardhur koha që diçka e tillë të korrigjohet në Leskovac dhe Shqipëria për herë të parë ta mposhtë Serbinë në fushë.

shtatë takimet mes tyre, Serbia ka pesë fitore, ndërsa dy përballje janë mbyllur në barazim.

Katër ndeshjet e fundit të Kombëtares:

7 qershor 2025 / Shqipëri 0-0 Serbi

10 qershor 2025 / Letoni 1-1 Shqipëri (Antonijs Cernomordijs, autogol)

Miqësore, 4 shtator / Gjibraltar 0-1 Shqipëri (Jasir Asani 69' (p))

9 shtator 2025 / Shqipëri 1-0 Letoni (Kristjan Asllani 25' (p))

Prag-ndeshja me Serbinë

Ndeshja në Serbi është vlerësuar si e një rrezikshmërie të madhe nga FIFA, duke dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët dhe klimës së tensionuar politike, Federata Serbe e Futbollit nuk nxorri në shitje asnjë biletë.

6500 tifozët serbë në Leskovac do jenë me ftesa dhe të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit.

Pas pesë sfidave të luajtura në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?