Foto:Andreas Schieder dhe Taulant Balla
Ministri i Shtetit, Taulant Balla, ka reaguar pas miratimit të raportit të fundit për Shqipërinë nga Komiteti për Punët e Jashtme (AFET) i Parlamentit Europian, duke falënderuar raportuesin Andreas Schieder për vlerësimin dhe mbështetjen ndaj rrugëtimit europian të vendit.
“Faleminderit Raportuesit të Parlamentit Europian, Andreas Schieder, për raportin mbi Shqipërinë të sapo miratuar në Komitetin e Politikës së Jashtme (AFETT). Shqipëria mund të quhet me krenari një ‘udhëheqëse’ ndër vendet kandidate për anëtarësim në BE", shkruan Balla në një reagim publik.
Raporti thekson përkushtimin e Shqipërisë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe vlerëson progresin e bërë deri tani, por gjithashtu nënvizon rëndësinë e vijimit me ritëm të reformave, sidomos në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e modelit ekonomik dhe social.
Në deklaratën e tij, raportuesi Andreas Schieder u shpreh:
“Shqipëria mund të quhet me krenari një ‘udhëheqëse’ ndër vendet kandidate për anëtarësim në BE. Kjo, pjesërisht falë mbështetjes së gjerë nga popullsia shqiptare. Por ende nuk jemi në vijën e finishit. Është thelbësore të vazhdohet në këtë rrugë me të njëjtin ritëm dhe përkushtim, duke luftuar korrupsionin dhe forcuar sundimin e ligjit. Duhet të theksohet nevoja për të zgjeruar modelin ekonomik, për të krijuar vende pune dhe për të përmirësuar modelin e mirëqenies sociale, si dhe për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të plotë.”
Raporti do të paraqitet për votim në një seancë të ardhshme plenare të Parlamentit Europian, duke shënuar një tjetër moment kyç për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Lajmi kryesor:
Komisioni i Jashtëm i PE-së miraton raportin për Shqipërinë: Mirëpresim synimin për mbylljen e negociatave deri në 2027, të përshpejtohen reformat
Xh.K/ReportTv.al