Politikë

Komisioni i Jashtëm i PE-së miraton raportin për Shqipërinë: Mirëpresim synimin për mbylljen e negociatave deri në 2027, të përshpejtohen reformat

4 Qershor, 11:35| Përditesimi: 4 Qershor, 16:10

  • Share

Në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian u miratua raporti për Shqipërinë me 57 vota pro, 11 kundër dhe 6 abstenime. Raporti i hartuar nga raportuesi Andreas Schieder, do t’i paraqitet për votim një seance të ardhshme plenare të Parlamentit Evropian.

Eurodeputetët përshëndesin synimin për mbylljen e negociatave të Shqipërisë deri në vitin 2027, ndërsa bëjnë thirrje për përshpejtimin e reformave dhe forcimin e institucioneve demokratike. Eurodeputetët theksojnë konsensusin e gjerë politik dhe mbështetjen e fortë publike për anëtarësimin në BE, së bashku me përputhjen e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së.

Në komisionin e jashtëm në PE, raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder i njohu kolegët eurodeputetë me zhvillimet e fundit.

“Shqipëria me të drejtë mund të quhet një ‘kampione’ ndër kandidatët për anëtarësim në BE. Kjo në një masë të madhe falë mbështetjes së gjerë nga populli shqiptar. Por nuk jemi ende në vijën e finishit. Është thelbësore të vazhdohet në këtë rrugë me të njëjtin ritëm dhe përkushtim, duke luftuar korrupsionin dhe duke forcuar sundimin e ligjit. Duhet të vihet theks i qartë mbi zgjerimin e modelit ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e modelit të mirëqenies sociale, si dhe në një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të gjithanshme.”

Nevoja urgjente për thellimin e reformave

Duke mirëpritur synimin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe përparimin e bërë deri më tani, eurodeputetët theksojnë nevojën urgjente për të intensifikuar reformat. Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Rritja e pluralizmit dhe transparencës në media mbetet thelbësore për të ndërtuar besimin e publikut.

Dialog politik dhe kundër ndikimeve të huaja

Raporti nënvizon polarizimin e vazhdueshëm politik të shënuar nga retorika konfrontuese dhe bën thirrje për një dialog më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës politik. Eurodeputetët shprehin shqetësim serioz për ndikimet e huaja të dëmshme, veçanërisht nga burime të lidhura me Kremlinin, që kërcënojnë institucionet demokratike dhe aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ata kërkojnë forcim të qëndrueshmërisë institucionale përballë abuzimeve me financimet politike, manipulimit mediatik dhe kërcënimeve kibernetike.

Mbështetje përmes iniciativave të BE-së

Eurodeputetët përshëndesin krijimin e Fondit të Reformës dhe Rritjes prej 922 milionë eurosh për Ballkanin Perëndimor, që do të mbështesë Agjendën e Reformave të Shqipërisë sapo të përmbushen kushtet. Hapja e zyrës së antenës së Parlamentit Evropian në Tiranë shihet si një hap i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes BE-së, institucioneve vendore dhe partnerëve të shoqërisë civile në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Procesi zgjedhor dhe reformat në drejtësi

Raporti reflekton mbi zgjedhjet parlamentare të majit 2025, të cilat përshkruhen si konkurruese, por të zhvilluara në një mjedis shumë të polarizuar, me shqetësime për përdorimin e burimeve administrative. Eurodeputetët i bëjnë thirrje partive politike shqiptare të angazhohen për reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Përparimi i bërë në reformat në drejtësi dhe hetimet ndaj korrupsionit në nivele të larta mirëpriten, megjithatë ndërhyrjet politike mbeten një sfidë. Eurodeputetët bëjnë thirrje për përpjekje të vazhdueshme për të garantuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur llogaridhënien.

Ora 13:59
Komisioni i Jashtëm i PE-së miratoi raportin, Balla: Shqipëria mund të quhet me krenari një ‘udhëheqëse’ ndër vendet kandidate për anëtarësim në BE

Foto:Andreas Schieder dhe Taulant Balla

Ministri i Shtetit, Taulant Balla, ka reaguar pas miratimit të raportit të fundit për Shqipërinë nga Komiteti për Punët e Jashtme (AFET) i Parlamentit Europian, duke falënderuar raportuesin Andreas Schieder për vlerësimin dhe mbështetjen ndaj rrugëtimit europian të vendit.

“Faleminderit Raportuesit të Parlamentit Europian, Andreas Schieder, për raportin mbi Shqipërinë të sapo miratuar në Komitetin e Politikës së Jashtme (AFETT). Shqipëria mund të quhet me krenari një ‘udhëheqëse’ ndër vendet kandidate për anëtarësim në BE", shkruan Balla në një reagim publik.

Raporti thekson përkushtimin e Shqipërisë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe vlerëson progresin e bërë deri tani, por gjithashtu nënvizon rëndësinë e vijimit me ritëm të reformave, sidomos në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e modelit ekonomik dhe social.

Në deklaratën e tij, raportuesi Andreas Schieder u shpreh:

“Shqipëria mund të quhet me krenari një ‘udhëheqëse’ ndër vendet kandidate për anëtarësim në BE. Kjo, pjesërisht falë mbështetjes së gjerë nga popullsia shqiptare. Por ende nuk jemi në vijën e finishit. Është thelbësore të vazhdohet në këtë rrugë me të njëjtin ritëm dhe përkushtim, duke luftuar korrupsionin dhe forcuar sundimin e ligjit. Duhet të theksohet nevoja për të zgjeruar modelin ekonomik, për të krijuar vende pune dhe për të përmirësuar modelin e mirëqenies sociale, si dhe për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të plotë.”

Raporti do të paraqitet për votim në një seancë të ardhshme plenare të Parlamentit Europian, duke shënuar një tjetër moment kyç për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Ora 12:31
Komisioni i Jashtëm i PE-së miratoi raportin për Shqipërinë, Spiropali: Rikonfirmon avancimin tonë të shpejtë drejt anëtarësimit në BE

1749033362_elisaspiropali.JPG

Foto: Elisa Spiropali

Pas miratimit sot nga Komisioni i Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian të raportin për Shqipërinë, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali është shprehur se ky vendim rikonfirmon avancimin e vendit tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Spiropali thotë nëvizon gjithashtu se objektivi ynë për çeljen e gjithë kapitujve brenda muajit qershor, përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin në BE ka tashmë një mbështetje të gjerë nga Parlamenti Europian, Komisioni Europian dhe po fiton mbështetjen edhe nga vendet anëtare.

“Miratimi nga Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian i Raportit për Shqipërinë rikonfirmon avancimin tonë të shpejtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, si vendi pararojë mes vendeve kandidate, që ecën më vendosmërisht drejt familjes europiane, vlerëson arritjet e reformave demokratizuese dhe integruese, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit e pandëshkueshmërisë.

Objektivi ynë strategjik kombëtar për çeljen e gjithë kapitujve brenda muajit qershor, përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin në BE brenda kësaj dekade ka tashmë një mbështetje të gjerë nga Parlamenti Europian, Komisioni Europian dhe po fiton mbështetjen edhe nga vendet anëtare.

Falenderoj reporterin Andreas Schieder për pasqyrimin me realizëm të arritjeve të Shqipërisë, dhe deputetët që në shumicë absolute e mbështetën” nënvizon Spiropali.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?