Moment nga seanca dëgjimore te Komisioni i Medias

Politikë

Komisioni i Medias/ Koçi: Reformë ligjore për RTSH-në, procesi i rivlerësimit të kandidatëve për drejtor të bëhet edhe një herë! Zhupa: Të verifikohen informacionet për konfliktin e interesit

3 Shkurt, 17:23| Përditesimi: 3 Shkurt, 22:35

  • Share

Moment nga seanca dëgjimore te Komisioni i Medias

Nuk i shpëtoi tensioneve dhe debateve seanca dëgjimore e ditës së sotme te Komisioni për Median dhe Informimin Publik, ku u diskutua fortë për shkeljen e procedurave të garës përzgjedhëse për drejtorin e ri të RTSH-së.

Prezent ishin të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së, me përjashtim të Mevlan Shanajt që ndodhej në Vietnam. Në diskutime u pranua se ishte kryer shkelja e dokumentit për pastërtinë e figurës, me pretendimin e Këshillit se Statuti nuk e përmban këtë kriter. Por deputetët e Komisionit i kujtuan Bordit të RTSH-së se ligji dhe Kushtetuta duhen zbatuar dhe ata duhet ta dinin se edhe ky kriter hynte te procedura dhe kjo shkelje e nxjerr të pavlefshëm procesin e deritanishëm.

Këshilli u kritikua edhe për mosverifikimin e kritereve një më një për kandidatët, mosdëgjimin e tyre për platformat sipas statutit dhe përjashtimit nga gara në mënyrë të dyshimtë.

U vu re se Këshilli kishte një shumicë “false” siç u quajt nga disa prej të pranishmëve, ku shumica e anëtarëve ishin kundër kryetarit Leka Bungo për disa procedura.

Në fund ishte deputeti socialist, Petro Koçi, që propozoi që të bëhet Reformë Ligjore për RTSH-në aty ku ndihet nevoja pas problematikave të shfaqura në 3 garat e fundit dhe shkeljet e konstatuara ligjore. Gjithashtu propozoi që ky proces të ribëhet edhe një herë për të gjithë kandidatët (10), një për një, ku të verifikohen dhe dëgjohen, pa qenë nevoja që ky Këshill të shkrihet për shkak të shkeljes së konstatuar.

Një tjetër pikë e debatit ishin informacionet zyrtare për konfliktin e interesit të disa anëtarëve, për të cilat u kërkua që të verifikohet nga ana e një Komisioni nëse ishin apo jo të vërteta. Kryetarja e Komisionit, deputetja Ina Zhupa, tha se kjo nuk mund të neglizhohet dhe duheshin verifikuar.

Seanca kaloi në pyetje-përgjigje, ku u vu re mungesa e kryetarit Bungo, për të cilin Zhupa tha se nuk u ndje mirë dhe i uroi që të mos kishte asgjë serioze, duke e vijuar mbledhjen me të pranishmit e tjerë të Këshillit për përgjigje.

Debatet e plota në Komision, pyetje-përgjigje:

Zhupa: Cili kriter i përzgjedhjes dhe procedurë është ndjekur?

Leka Bungo: E ka ligji, e ka statuti, është zbatuar procedura. Nuk plotësonin kriteret dhe u skualifikuan.

Kanë qenë kriteret e kundraligjshme, nuk e plotëson dhe është kundërshtuar, Aurora Polo psh nuk e plotëson dhe është kundërshtuar, flasim për ligjin, kaq e thjeshtë. Ka dhe kandidat tjetër që i plotëson kushtet, kurse kjo i refuzonte kushtet.

Zhupa- Ne s’kemi cilësim për emrat, por për zbatimin e ligjit, nëse ka plotësuar apo jo kriteret. Ne nuk kemi asnjë preferencë për asnjë kandidat, të paktën nga puna ime. Ne pyesim a e dini që ka edhe kritere të tjera në ligj për përzgjedhjen apo dini vetëm ato të ligjit për median?

Bungo- Kjo është shkelja e procedurës që po diskutoni ju. Por të ulet steka në këtë nivel për një person që jep intervistë, për një anonimat, kjo është dhimbshme. Dikur ka pasur emra, personalitete (përmend disa) në krye të RTSH-së dhe të biem në këtë nivel. Por në momentin kur vijmë te intervistat, aty është momenti ku diskutohet për personalitetet, ajo që diskutoni edhe ku këtu. E kanë thënë edhe përfaqësues të huaj, e para që duhet janë vlerat. Por kjo nuk është vënë fare në diskutim, por ky është kryesori.

Zhupa: Po flasim për nene dhe ligje, për kritere. A e dini se drejtori dhe nëndrejtori i RTSH duhet të kenë një dokument për pastërtinë e figurës gjatë periudhës së komunizmit? Duhet ta kishit përfshirë si kriteret në dokumentacionin për kandidatët dhe si Këshill e keni bërë me mangësi, të gjithë procedurën, sepse nuk e kanë këtë dokument sipas ligjit. E mbani mend zotin Minga për një gjë të tillë që nuk ishte dhe u shty, sepse është dokument i thjesht, por kriter ligjor. Dhe me sa shohim asnjë prej tyre nuk e ka këtu këtë dokument. Pra i gjithë procesi i zgjedhjes së drejtorit të ri që nga momenti i nxjerrjes së kritereve me mangësi, po me mangësi kur gjykohet për plotësimin apo mosplotësimin dhe më pas gjithë procedura nga votimi fshehtë, nominimi etj., proces as në qiell dhe as në tokë. Unë flas në bazë të dokumenteve që kam, nuk po vijoj me të tjerat se janë të rënda dhe me shkelje, pra i gjithë procesi.

Evis Kushi: Unë kam vetëm dy pyetje dhe njëra lihet me faktin a është plotësuar pika e kandidatëve që plotësojnë kriteret a u është dëgjuar platforma sipas procedurës që keni shpallur këtu? Këtu e thotë qartë dhe e shpjeguar, a janë thirrur këta kandidatë për t’i dëgjuar për 15 minuta për platformën, pra ata që i plotësojnë kriteret. A ka ndonjë dhe a i keni dëgjuar? Dhe tjetra a ka ndonjë në papajtueshmëri dhe në konflikt të interesit ndonjë nga ju të Këshillit me këtë proces, sipas nenit të ligjit? Nëse thoni jo, ne ju besojmë ju dhe jo mediat, sepse e dimë që jeni shqetësuar nga publikimet në media.

Tullumani: Unë nuk jam në kushtet e konfliktit të interesit, ILDKPI ka bërë verifikimet dhe e ka deklaruar se nuk jam në këto kushte. E di se e keni me mua, po, po me mua e kishit. Unë dua të kontribuoj në atë institucion, RTSH, unë do e jap kontributin tim. Është gjëja më e shëmtuar n shoqëri kur merresh me familjarët e mi dhe të tjerëve. Me mua merruni sa të doni, me familjen jo. Unë kam qenë kundër zotit Peza, kam qenë kundërshtar i tij. Por unë nuk mund ta pengoj atë në punën e tij. Por interpretimi familjar... me libër shtëpie, është i shëmtuar në shoqërinë tonë. Jam pushuar 3 herë nga puna, kurse unë me aq sa kam pasur në dorë nuk kam hequr kurrë një njeri nga puna, asnjëherë.

Meqë jemi këtu unë kam një propozim, le të dëgjohen të gjitha kandidaturat, të 5 ose të 10 kandidaturat, të verifikohen edhe një herë, se e shoh që po diskutohet këtu. Hajde ta plotësojmë edhe kriterin e dokumentit të figurës.

Zhupa: E kërkon ligji jo unë. Dhe ligji e lejon që po nuk është asnjëri i saktë, e rihapni garën.

Podgorica: Nëse nis procesi i përzgjedhjes dhe i garës ajo nuk kthehet mbrapsht. Ose zgjidhet njëri, ose shpërndahet Këshilli.

Zhupa: Po sqaroj në emër të Komisionit shpreh se materialet që na kanë ardhur në emër të anëtarëve të këshillit ne t’i kalojmë, t’ia kalojmë Komisionit të Monitorimit, në lidhje me konfliktin e interesit, papajtueshmërinë, detyrat dhe funksionin, e kështu jemi më të qetë në këtë drejtim. Në mund ta japim mendimin, por le t’ia lëmë Komisionit. Media CNA i ka sjellë me letër zyrtarisht dhe i ka shpërndarë.

Keko: Nuk kam konflikt interesi. Thjesht kam qenë anëtar bordi i Albafilm kam firmosur si anëtar një herë në muaj kur është dashur dhe kaq, asnjë problem nuk ka këtu (në lidhje me bashkëpunimin me kandidaten Polo). Ju po akuzoni, po merrni për bazë ato çfarë shkruajnë mediat.

(Pas debateve të forta, pa mikrofon, mes anëtarëve, kryetarja Zhupa shtyu me 5 minuta mbledhjen)

Lindita Nikolla: Cipa është tipologjia e kritereve të përzgjedhjes së kandidatëve për drejtor RTSH, të 10 kandidatëve dhe më pas 2 prej tyre. Referuar fjalëve të kryetarit se është krijuar një shumicë false, kjo është shuë e rëndë për këtë institucion.

Anëtari i këshillit: U kalua direkt tek emrat që kishin plotësuar dokumentacionet dhe jo me kriteret nëse i plotësonin apo jo një më një. Me propozim të kryetarit kaloi direkt te kjo pikë.

Podgorica: Nuk mund të ketë shumicë falso, në demokraci nuk ka shumicë falso.

Florenc Spaho (deputet): A duhet të jetë në detyrë drejtori i komanduar i RTSH kur kandidon, apo duhet të dorëhiqet dhe më pas të marri pjesë në garë? Se janë futur edhe në vende pune deri në pak ditë më parë, e ka futur drejtori apo nëndrejtori? Cila është përgjigja nga ana ligjore, kur edhe vetë u shprehet si anëtar Këshilli të RTSH se nuk i dini të gjitha kriteret. A duhet t’i marri kompetencat e këtij procesi në dorë dikush tjetër, sepse RTSH është aset kombëtar.

Anëtar i Këshillit: Dinamika e situatës e solli që ditën e enjte të merrej vendimi që procesi të pezullohej, jo si një reflektim apo ndërhyrje e Kuvendit, por si derivat i disa ideve dhe propozimeve të hedhura nga disa anëtarë të Këshillit Drejtues, por edhe për shkak të ligjit, ndaj kërkohet edhe ndihma juaj asistenca ligjore që të na ndihmojë më tej në këtë proces.

Minga: Ne nuk e kemi asetin e kohës së nevojshme. Se u tha me të drejtë më parë nga zonja (Zhupa) për atë ‘kodosh’ dokument të biografisë, që ne s’e kemi te ky proces (vërtetimi i pastërtisë së figurës). Unë e kalova në kurriz vetë, nuk është e parashikuar në ligj.

Zhupa: Jo, e ka ligji. E ka në mënyrë specifike, drejtori i RTSH-së...

Minga: Po kush duhet ta bëjë këtë?

Zhupa: Po ju pra... është specifike, në mënyrë nominale, s’keni vetëm statutin, keni edhe ligje të tjera, po ju zbatoni vetëm statutin. Ju nuk mund të mjaftoheni vetëm të statuti, funksiononi në mënyrë të Kushtetutës së vendit.

Minga: Po ky është defekti këtu. Në kemi statutin, prandaj kërkohet rregullim ligjor. Nuk e ka për ne në mënyrë eksplicite.

Zhupa: Jo, ju nuk zbatoni vetëm Statutin, nuk jeni oaz më vete, duhet të zbatoni Kushtetutën, ka ligj. Nuk është vetëm statuti, keni ligjet e pastaj statuti. Parashikohet madje edhe për zv/drejtorin e RTSH. Nuk është statuti mbi ligin dhe as Kushtetutën. I keni për detyrim. Zoti MInga e di, se e ka vuajtur këtë padrejtësi për elementët e këtij ligji. Dhe ju keni ceduar që nga momenti parë i dokumentit në fjalë, deri te kriteret, fshehtësia e votimit, procedura nominale, përjashtimi pa i dëgjuar kandidatët. Dhe pastaj ju të propozonit edhe ndryshim të ligjit nëse ka diçka që shtohet. Nuk ishte një shkelje e vetme, por shkelje pas shkeljeje.

Podgorica: Jo vetëm ky këshill ka përzgjedhur këtë procedurë, por edhe Këshillat e tjerë të mëparshëm e kanë bërë këtë procedurë, këtë kanë ndjekur edhe më parë. A është bërë gabim? Atëherë kjo është punë tjetër, që duhet rregulluar, por kjo praktikë është ndjekur.

Zhupa: Po, por në tre procedura situata është thelluar me problematikë dhe nuk është zgjidhur. Ju keni vazhduar me praktikën tuaj dhe situata ka ardhur deri këtu.

Petro Koçi: Me sa duket ka nevojë për një reformë ligjore përsa i përket RTSH-së. Në të gjithë vizionin, administrimin, marrëdhëniet, funksionin e RTSH, ku përfshin edhe Këshillin Drejtues dhe Drejtorinë e Përgjithshme Kjo kërkon proces diskutimi të gjerë, që përfshin Komisionin tonë, Këshillin aktual dhe gjithë aktorët, përfshi edhe komisionet e mëparshme të RTSH, si dhe drejtuesit.

Ka në fakt një shumicë në Këshill që është kundër kryetarit, në t gjitha diskutimet është vënë re se mes kryetarit dhe anëtarëve ka një shumicë, që nuk është false por reale, e dukshme, që përputhet në pjesën më të madhe. Kjo është një nga elementët që na bën ne të nxisim një analizë dhe mendoj se duhet ta zgjidhim këtë situatën.

Bie fjala për nenin përzgjedhës, ndofta ka ndodhur edhe herët e tjera, janë shkelur të drejtat e njeriut dhe garës së barabartë. Por bëhet një verifikim i gjithë dokumenteve që sjellin kandidatët me sy. Unë mndoj që të bëhet një votim paraprak i fshehtë për kandidatët, nëse ky bëhet me votim të hapur mund të jetë e sikletshme. Por nuk duhet të jetë përcaktuese. Të përsëritet procesi përzgjedhës jo të përsëritet gara. Të përsëritet procesi i përzgjedhjes së kandidatëve. Ky këshill do e bëjë zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm. Ka nevojë për riparje, por të bëhet në rrugë ligjore, administrative. Nuk duhen marrë parasysh qëndrime që na vijnë ndoshta edhe për shkak të xhelozisë etj., nuk mendoj se duhet t’i marrim parasysh. Por nëse ka informacion se dikush ka marrë para në këtë proces, atëherë le të verifikohet, por jo të çoroditemi nga të dhëna që shpesh janë false apo s’lidhen me të vërtetën. Ne kërkojmë që ky Këshill Drejtues ta përsërisë procedurën përzgjedhëse, të drejtën për garë të barabartë. Konflikti i interesit të verifikohet nga Kuvendi dhe pastaj të merren masat përkatëse.

Podgorica: Jam dakord, pra të kalojnë edhe një herë të gjithë kandidatët, edhe ata që janë përjashtuar se kanë sjellë një dokument me vonesë.

Zhupa: Në atë që tha edhe zoti Koçi, dua të sqaroj se na kanë ardhur dokumente në rrugë zyrtare, edhe nga mediat, na pëlqejnë apo jo, ne nuk mund t’i neglizhojmë, por duhet të verifikohen, Dhe meqë kanë ardhur në rrugë zyrtare, në duhet t’ia kalojmë komisionit të verifikimit, jo ta lëmë dyshimin aty, pra duhet ta sqarojmë këtë nëse është e vërtetë apo jo.

Nebiaj: Aty ku ka shkelje ligjore dhe ku nuk është zbatuar statutin, mendoj se procedura duhet bërë nga e para. Nëse ka informacione zyrtare për konfliktin e interesit, që cenojnë dhe vënë në pikëpyetje integritetin e anëtarëve të Bordit, është përgjegjësi e madhe dhe urgjencë për verifikim, sepse ky Bord bën edhe përzgjedhjen e kandidatëve për drejtor.

Shanaj kërkon të jetë prezent online

Anëtari i Këshillit, Albert Minga: Ne jemi të gjithë njerëz të ndershëm, të përgjegjshëm, të moralshëm, që zbatojnë ligjin. Se u bë kjo si puna e një filmi ‘giallo’ (policor)... Më mori nga Vietnami atje ku është goxha vonë dhe më tha dëshiroja të isha edhe unë pjesë në Komision. Donte të ishte në diskutime online, fillimisht iu tha po, pastaj i thanë jo nuk do të marrësh pjesë...

(Në këtë moment ndërhyn kryetarja Zhupa që shprehet se “kjo nuk ishte e vërtetë”).

Ina Zhupa: Ne kemi vendosur parimin e barazisë dhe kjo dëgjesë nuk ishte online, sepse do ishit lënë edhe ju të flisnit nga shtëpia. Kjo dëgjesë është me prezencë. Dhe nuk i është thënë po zotit Shanaj, por se do të pyesim, sepse Sekretaria nuk e ka tagrin të vendosë.

(Albert Minga vijoi më tej me përpjekjen për të lexuar një mesazh në telefon të dërguar nga Mevlan Shanaj si një letër-qëndrim për dëgjesën, por kryetarja e Zhupa e ndërpreu dhe refuzoi, duke thënë se nuk mund të lejohej mesazhi pa prezencën e personit sepse Komisioni duhet të bënte pyetje dhe ai nuk ishte prezent).

Albert Minga: E pashë të gjithë dokumentacionin e mbledhjes që bëmë atë ditë dhe po jua rilexoj sipas mradhës. Kryetari i Këshillit dhe anëtarët janë mbledhur dhe vendosën në unanimitet ngritjen e Komisionit Ad-Hoc për shqyrtimin dhe vlerësimin e kandidaturave për drejtor të RTSH dhe nuk ka pasur asnjë kundërshtim. Më tej Këshilli vendosi për mospërfshirjen e disa kandidatëve për shkak të mungesës së dokumentacionit për 5 nga kandidaturat. Ky vendim është firmosur nga të gjithë anëtarët e Këshillit në unanimitet, pa përjashtim. E theksoj, për mungesë dokumentacioni në konkurrim dhe janë shumë të rëndësishme. Komisioni përzgjodhi dhe Këshilli vendosi për emrat që plotësonin kriteret, e firmosur.

Nuk jam budalla që të krijoj konflikte me pushtetin, Kuvendin, miqtë dhe mikeshat, sepse nuk jam as i çmendur. Procedura u zbatua duke parë dokumentet me zarf të mbyllur. U firmos faza e parë nga të 11 anëtarët e Këshillit drejtues. Dhe ata të 5 nuk kishin dokumentacionin e plotë dhe u vendos që të mos kalohej. Ka gjë këtu, ishte në unanimitet?

Zhupa: Po të kishit plotësuar procedurat, nuk do ishin sot këtu. Ne nuk kemi gjë me emrat apo se kush zgjidhet, por me zbatimin e procedurave. Duam dokument se si i keni verifikuar dokumentacionet e kandidatëve, cila ka qenë procedura e Këshillit. Ka shkelje. Ne duam të dimë pse u konsiderua votim i fshehtë ai i Mevlan Shanajt nga Vietnami i bërë online te sekretaria?

Evis Kushi: Ky është Komision parlamentar dhe është procedurë parlamentare dhe jo marrje nën akuzë.

Orjola Nebiaj: Na ka ndodhur kjo situatë edhe më parë, për rastin e përzgjedhjes së zotit Alfred Peza, ku diskutimi këtu kurrë nuk shkoi deri në fund dhe nuk u shterua dhe ju morët vendimin tuaj. Unë paragjykoj se këtë procedurë ne e kemi pasur edhe në rastet e kaluara, pra ajo është shkelur, pra Komisioni nuk ka ceduar vetëm këtë herë, por edhe në raste të tjera. Unë mendoj se kjo ndodh vetëm kur prishet një interes apo disa interesa për njërin apo për tjetrin dhe sa herë ndodh kjo, mblidhemi e diskutojmë këtu, por unë mendoj se është shkelur. Dhe pastaj bëhet moral me të virgjër dhe të pavirgjër, citoj këtu atë që tha një nga anëtarët parafolës.

Ina Zhupa: Mazhoranca edhe në diskutime të tjera, ne kemi bërë dëgjesa, kapërcente sytë dhe lejonte të ndodhte. Jemi mbledhur e diskutuar edhe për procdurën e Enkel Jotit dhe të Alfred Pezës dhe Këshilli ka vendosur.


Lajmi kryesor:

Gara për drejtorin e RTSH/Komisioni i Medias 4 orë me Këshillin Drejtues: Rivlerësoni kandidaturat! Hetim anëtarëve për konflikt interesi


A.Q/S.G/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?