Institucionet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion'! SPAK për Report Tv: I kemi përmbushur detyrimet! Jo dhe nga ILD e Gjykata e Lartë

3 Tetor, 11:38| Përditesimi: 3 Tetor, 19:45

  • Share

Institucionet e pavarura të Drejtësisë refuzojnë të jenë pjesë e komisionit antikorrupsion të ngritur nga maxhoranca, që njihet dhe si komisioni "Xhafaj'.

Pas refuzimit të dërguar një ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese, edhe Prokuroria e Posaçme, SPAK dhe Inspektoriati i Lartë I Drejtësisë deklaruan sot se nuk do të jenë pjesë e komisionit të posacëm antikorrupsion.

Pas tyre ishte edhe Gjykata e Lartë, që u bë institucioni i katërt zyrtar që refuzon të jetë pjesë e Komisonit Antikorrupsion. Në letrën drejtuar Fatmir Xhafajt, firmosur nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, argumentohet se "nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme me misionin e gjyqtarit, nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme në përmbushje të misionit të Komisionit të Posaçëm", por se nga ana tjetër "janë gati nëpërmjet 3 këshilltarëve të institucionit të marrin pjesë në rolin e vëzhguesit, e të japin mendime dhe sugjerime pas një analize".

Reagimi i SPAK për Report Tv

Në përgjigje të interesimit tuaj, ju bëjmë me dije se kërkesa e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” (Komisioni), u analizua me shumë kujdes nga ana jonë duke u trajtuar në Mbledhjen e Prokurorëve të Posaçëm të datës 03.09.2024. 

Gjatë kësaj mbledhjeje, Prokurorët e Posaçëm diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithmonë duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. 

Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse. Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të  Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit.  Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, cilësoi se është e gatshme për të  ofruar kontributin e saj  përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision. 

Burimet nga Report Tv bëjnë me dije se edhe ILD ka refuzuar pjesëmarrjen duke i kthyer një përgjigje negative kuvendit.

Edhe Prokuria e Përgjithshme pritet të ketë të njëjtin qëndrim, edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga ky institucion, raporton gazetarja e Report Tv. 

Ndërkohë në forumin rajonal të mirëqeverisjes dhe luftës kundër korrupsionit ku ishte i pranishëm dhe ambasadori Gonzato dhe kryetarja e Kuvendit Spiropali, Dumani vuri theksin tek pavarësia e institucionit dhe tek forcimi i saj. 

Ngritja e Komisionit Antikorrupsion u miratua vetëm më votat e deputetëve socialistë në seancën plenare të 30 majit 2024. Pavarësisht akuzave të opozitës se PS kërkon të kapë drejtësinë, mazhoranca në bllok thotë se puna e këtij komisioni nuk mbivendoset me atë të institucioneve të drejtësisë.

Ora 15:02
Edhe Gjykata e Lartë refuzon të jetë pjesë e Komisionit Antikorrupsion: Nuk përshtatet me funksionin dhe misionin e gjyqtarit

1727960470_gjykataelarte.jpg

Gjykata e Lartë bëhet institucioni i katërt zyrtar që refuzon të jetë pjesë e komisonit antikorrupsion. Në letrën drejtuar Fatmir Xhafajt, firmosur nga kryetari i gjykatës së Lartë Sokol Sadushi argumentohet se nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme në përmbushje të misionit të Komisionit të Posaçëm por se janë gati të japin opinionin.

Report tv dhe Shqiptarja.com siguron pergjigjen e dërguar në datën 9 shtator.  

 

"Duke mbajtur parasysh këtë funksion të Gjykatës së Lartë në raport me pushtetet e tjera, vlerësojmë se kërkesa Juaj për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të gjyqtarëve të kësaj Gjykate si anëtarë të një nëngrupi teknik, në varësi të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë të Komisionit të Posaçëm, që duhet të kryejnë detyrat e caktuara sipas vendimmarrjes së Komisionit, nuk përshtatet me funksionin dhe misionin e gjyqtarit. Si e tillë, nga ana jonë nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme në përmbushje të misionit të Komisionit të Posaçëm.

Sigurisht, Gjykata e Lartë mirëpret mundësinë për të dhënë opinione për projektligjet që lidhen drejtpërdrejtë me funksionin e saj. Me kënaqësi konstatojmë se praktika e viteve të fundit ka treguar se propozimet për disa ndryshime në ligjet procedurale civile, penale dhe administrative, me qëllim rritjen e eficensës së gjykimit dhe parandalimin e krijimit të stokut të ri, të miratuara nga Kuvendi me kontributin edhe të gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë të Gjykatës së Lartë (në mënyrë të pavarur dhe pa qenë pjesë e komisioneve apo nënkomisioneve të ngritura për këtë qëllim pranë Kuvendit), ka ndikuar pozitivisht në drejtim të shpejtësisë dhe cilësisë së gjykimit të rekurseve.

Së treti, duke mbajtur parasysh sa më sipër, si dhe duke vlerësuar nismën e Kuvendit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, të ndërgjegjshëm se shteti i së drejtës është çështje që kërkon ndihmesën e të gjithë institucioneve publike, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, jemi të gatshëm të ofrojmë kontributin tonë në këtë proces. Modalitetet e këtij angazhimi duhet të jenë të tilla që të pajtohen me pavarësinë dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor, si themeli i shtetit të së drejtës. Si e tillë konsiderohet dhënia e mendimeve dhe sugjerimeve lidhur me gjetjet që do të arrijë Komisioni i Posaçëm Parlamentar sa i takon nevojës për ndërhyrje institucionale dhe ligjore në sistemin e drejtësisë.

Ky kontribut mund të jetë efektiv, duke i vënë në dispozicion Gjykatës së Lartë analizën e përgatitur nga ekspertët pranë Komisionit të Posaçëm, si dhe propozimet konkrete për ndërhyrje ligjore.

Vetëm pas kësaj faze mund të përgatitet nga grupi i gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë pranë Gjykatës së Lartë një material i konsoliduar me sugjerime dhe propozime, të cilat mund të jenë me interes për Komisionin, me qëllim kthimin e tyre në akte ligjore.

Megjithatë, për të qenë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm që ndikon në forcimin e shtetit të së drejtës dhe ndihmon në nxjerrjen e një produkti sa më cilësor nga ana e Komisionit të Posaçëm  Gjykata e Lartë, e përgjegjshme për misionin që i është caktuar, ka ngritur një grup pune të përbërë nga gjyqtarë dhe këshilltarë ligjorë, të cilët do të përgatisin materialin përkatës mbi problematikat e veprimtarisë së këtij institucioni dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi, shoqëruar me propozime konkrete lidhur me masat ligjore dhe institucionale që duhen ndërmarrë.

Nga ana tjetër, për të qenë sa më të informuar mbi veprimtarinë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar me qëllim marrjen dhe përcjelljen në kohë sa më të shpejtë të informacionit mbi problematikat që lidhen me mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe të Gjykatës së Lartë në veçanti, tre punonjës nga stafi i lartë teknik i këtij institucioni, konkretisht znj. Arta Vorpsi, Drejtore e Kabinetit të Kryetarit, z. Miran Kopani dhe znj. Bjorka Duka, këshilltarë ligjorë mund të marrin pjesë me cilësinë e vëzhguesit pranë Komisionit të Posaçëm.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)Përgjigjja e Gjykatës së Lartë

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Teo: 04/10/2024 14:22

    Shqiperia ka vetem Spak. Kto te tjeret nuk ekzistojne ose punojne si perpara ne mos me keq

    Përgjigju
  • Iris: 04/10/2024 01:49

    U mbeti /dopjo-gjashta/ ne dore! Duhet te kishit degjuar popullin,inst.e pavarura dhe nderkombetaret kur morret inisiativen te krijonit kete komision.

    Përgjigju
  • kolegu: 03/10/2024 18:30

    xhafen e braktisen shoket dhe koleget te cilet i emeroi ne majen e sistemit te drejtesise shqiptare, por sot i dhane pergjigje me leter- jo se deshen ta brakisnin. ka vend shprehja e popullit: Kercen prift nga belaja

    Përgjigju
  • redi: 03/10/2024 17:14

    Organet e pamvarura nuk mund te jene phestar te komisioneve te kuvendit. Nga ana kushtetyese eshte e papranueshme. Komisioni eshte ndertuar dhe te veproj vetem me deputet. Mire do ishte te marri e pjese dhe opozita

    Përgjigju
  • Ligji: 03/10/2024 16:38

    Nuk ka problem fare! Xhafa therret ne komision Armand Lilon qe nuk la truall publik pa zaptuar per te ndertuar monstra, therret dhendrin e tij Baboçi qe i ka dhene lejet Lilos, therret Gerond Xhafen qe dihet dhe e ploteson komisionin e tij te piset.

    Përgjigju
  • Partia: 03/10/2024 16:16

    Nuk ma me te pavarur se Xhafaj, familje shembullore.

    Përgjigju
  • Pa emer: 03/10/2024 14:09

    Kjo tregon seriozitetin e ketije komisioni

    Përgjigju
    • Mara emigrante ne Itali: 03/10/2024 19:41

      Komisioni te eci prepara me qellimin e mire qe edhe ata te cilet kane pushtet ta bejne mend mire ne vendimet e tyre , qente lehin karvani ecen prepara.

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?