Me debate është shoqëruar Komisioni i Sigurisë ditën e sotme për projektligjin e dekorimeve. Deputeti i Partisë Demokratike Ferdinant Xhaferraj është përplasur me deputetët socialistë në Komisionin për Sigurinë Kombëtare lidhur me praninë e kreut të Kadastrës Artan Lame në mbledhjen e sotme. Projektligji parashikon që dekoratat t’i kalojnë si kompetencë kryeministrit. Deputetët e Partisë Demokratike, e cilësojnë këtë shqyrtimin si cenim të presidentit të Republikës.
Xhaferraj u shpreh se korrupsioni në Kadastra sot përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Nga ana tjetër ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin deklaroi se Lame është pjesë e grupit të punës së caktuar nga kryeministri për titujt e nderit.
Ferdinant Xhaferraj: Zoti Lame duhet të lërë zyrën sepse korrupsioni në Kadastra përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Duhet të lënë këtë zyrë. Përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.
Elisa Spiropali: Të respektohet rregullorja, e Sqarova deputetin që kryeministri ka ngritur një grup pune për këtë projektligj për titujt e nderit.
Dhe zoti Lame është një nga ekspertët. Opinionet tuaja ju mund t’I bëni publike por ju lutem respektoni faktin që jeni në komisionin e sigurisë. Nëse doni t’iu vëmë në dispozicion botimet e Lames në këtë fushë mund ta bëjmë edhe këtë.
(..)
Pas këtij diskutimi, Xhaferraj mori sërish fjalën duke lënë sallën me argumentin se për projektligjin e dekoratave nuk ka asnjë përfaqësues nga Presidenca por vetëm nga Kadastra.
Xhaferraj: Ky projektligj nuk ka asgjë emergjente dhe momentalisht na krijon vakum. Ky projektligj duhet të kthehet dhe ne s’kemi përfaqësues nga Presidenca po nga kadastra dhe prandaj do e lë.
Lame: Më vjen keq që nuk janë zoti Xhaferri dhe Noka jo për debat po se desha të sqaroj diçka që do tërhiqeshin. I vetmi njeri që më ka dekoruar ka qenë Nishani, në vitin 2012, unë jam krenar. Po a dija që do bëhej kështu mbledhja do e kisha vënë në qafë.
Kalimin e kësaj kompetence te kryeministri ka nxitur edhe reagimin e deputetit demokrat, Ervin Salianji i cili tha se ky kalim shërben për politizim dhe se dekoratat do të përdoren për të blerë vota.
Kujtojmë se shqyrtimi i këtij projektligji erdhi si rrjedhojë e ‘shpërndarjes’ pa kriter të dekoratave nga ish kreu i shtetit, Ilir Meta. Krahasuar me paraardhësit në krye të shtetit, Presidenca e Ilir Metës do të mbahet mend edhe për dhënien e një numri shumë të lartë të dekoratave, 276 vetëm brenda 2022, me të fundit dje, atë për Dritëro Agollin.
Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka ngritur disa pyetje në lidhje me projektligjin e qeverisë për të vendosur dekoratat në duart e qeverisë duke i marrë këtë kompetencë Presidentit të Republikës.
“Mendoni ju apo ekspertët që kanë marrë pjesë në hartimin e këtij projektligji që duke i dhënë të drejtën kryeministrit për të dhënë dekorata e politizoni edhe këtë akt. Duke marrë rastin e fundit që ai sot merr edhe politizon edhe medaljet e sportistëve që dalin kampionë.
Pse duhet t’i merrni Presidentit të Republikës një akt në emër të Republikës. Edhe dekoratat doni të politizoni?! Edhe me dekorata doni të merrni vota? I jepni të drejtë edhe ministrave të Brendshëm dhe të Mbrojtjes për të dhënë dekorata.
Në dokumentin që keni sjellë përcaktoni edhe numrin e dekoratave. Si e përcaktoni ju kush janë njerëzit që spikasin apo kanë merita të veçanta. Si përcaktohet, si e keni vendosur numrin për këtë çështje. A keni ju konsultuar edhe me jurist apo presidentin e republikës për t’u shprehur për këtë çështje?
A është cenim i kompetencave që sot e ka Presidenti i Republikës? A keni pasur ju kontakt, pse sot nuk kemi përfaqësues nga presidenti i republikës kur cenohet në mënyrë të drejtpërdrejt një nga kompetencat e tij?”, u shpreh ai.