Fatbardh Kadilli ka reaguar pasi komisioni statutore i Partisë Demkratike rrëzoi propozimet e tij për ndryshimet statutore në PD. Kadilli thotë se Komisioni kaloi kompetencat dhe se ai ka për detyrë që të japë një mendim dhe jo që të rrëzojë propozimet. Kadilli thotë më tej se me qëndrimin e sotëm nga komisioni synohet të mbyllet debati i domosdoshëm për një Parti më të madhe se kryetari, për një Parti më të madhe se vetvetja, për një parti që frymëzon.
'Ndryshimet Statutore. Debati për ringritjen e PD nuk mbyllet me vendime antistatutore të Komisionit Statutor.
Sot Komisioni ka vendosur se cilat nga ndryshimet që janë propozuar duhet t’i përcillen Kuvendit Kombëtar. Ky është tagër i Kryesisë dhe jo i Komisionit.
Komisioni për Ndryshimet Statutore në PD sot ka vepruar në kapërcim të kompetencave dhe të misionit të vet. Statuti parashikon qartë që të drejtën për të propozuar ndryshime statutore e ka vetëm Kryesia dhe 1/4 e Këshillit Kombëtar. Komisioni jep mendim.
Propozimet e mija që burojnë nga Manifesti Politik për ringritjen e PD ia paraqita për dhënie opinioni Komisionit, bazuar në autorizimin e mbledhjes së fundit të Kryesisë. Komisioni nuk u mjaftua me dhënien e mendimit dhe opinionit të vet, por vendosi të rrëzojë propozimet.
Ky vendim i shumicës së anëtarëve të Komisionit sot dëshmon qartë vijimësinë e mos reflektimit për domosdoshmërinë që ka sot PD për të ndryshuar thellësisht, për t’iu përgjigjur sfidave të mëdha që ka përballë opozita.
Me qëndrimin e sotëm nga komisioni synohet të mbyllet debati i domosdoshëm për një Parti më të madhe se kryetari, për një Parti më të madhe se vetvetja, për një parti që frymëzon.
Kryesia ka neser shancin që me guxim dhe përgjegjshmëri politike të marrë vendimet që presin demokratët. Kuvendi Kombëtar duhet të shërbejë për çeljen e proceseve politike dhe jo për mbylljen e tyre.'- tha Kadilli.
Lajmi kryesor:
Statuti i partisë, Komisioni Statutor kalon vetëm propozimet e Bashës, rrëzohen draftet e Kadillit dhe Harxhit
M.Q./ReportTv.al