Politikë

Statuti i partisë, Komisioni Statutor kalon vetëm propozimet e Bashës, rrëzohen draftet e Kadillit dhe Harxhit

14 Korrik 2021, 13:40| Përditesimi: 14 Korrik 2021, 14:02

  • Share

Në një mbledhje më shumë se dy orë, Komisioni i Përhershëm statutor shqyrtoi mes katër propozimesh idetë reformuese të Lulzim Bashës, Fatbardh Kadillit, Edit Harxhit dhe një anëtari të këshillit Kombëtar, teksa vendosi të kalonte për miratim, vetëm propozimet e bëra nga kryetari i PD.

Nga zgjerimi i kryesisë, shtimi i sekretariateve dhe kalimi i kompetencës së vendosjes për marrëveshjet politike te Këshilli Kombëtar, e deri mos-prekja e mandatit të kryetarit të Partisë, u panë nga 9 anëtarët e Komisionit Statutor si të duhurat për demokratizimin e mëtejshëm të PD.

Anëtari i Komisionit të Përhershëm Statutor, Enno Bozdo tha se ky komision vendosi të kalonte propozimet e Bashës që rregullojnë dhe harmonizojnë statutin aktual, por shprehu skepticizmin e tij lidhur me rrëzimin e propozimeve të lëna nga Fatbardh Kadilli në tryezën e komisionit. Ai tha se propozimet politike të anëtarit të kryesisë kanë vlerë.

Nesër në orën 18:00 do të jetë kryesia blu që do të kalojë një për një në diskutim të 11 propozimet e kryedemokratit Basha, ndërsa të shtunën këto propozime do të duhet të marrin edhe dritën jeshile të Kuvendit Kombëtar.

Të përbashkëtat dhe ndasitë e propozimeve të Lulzim Bashës, Fatbardh Kadillit dhe Edith Harxhit

Në tërësinë e tyre, të tre propozimet kishin në thelb demokratizimin e PD dhe hapjen e partisë, por ndryshe nga Basha, Kadilli dhe Harxhi propozojnë sanksionimin në statut të kufizim të mandatit të kryetarit të partisë në 4 vjet në rast të humbjes së zgjedhjeve, propozim ky që nuk preket aspak nga Basha.

"Kryetari i Partisë zgjidhet për një mandat katër vjeçar, i cili mbaron ose rinovohet automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve; Kryetari i Partisë ose bëhet Kryeministër, ose largohet nga drejtimi i partisë pa pasur të drejtë të marrë pjesë në garën e radhës", tha Kadilli.

Ndërsa sipas Harxhit dikusht duhet të mbajë përgjegjësi në rast të humbjes së zgjedhjeve dhe për këtë ajo thotë: "Sot, kur ne kemi tre zgjedhje të humbura dhe jemi jashtë pushtetit qendror dhe vendor për arsye të vendimmarrjes së gabuar politike të Kryetarit dhe disa mbështetësve të tij, do të duhej që ne ta kufizojmë mandatin e Kryetarit të Partisë vetëm në një palë zgjedhje të humbura, sepse përfundimisht dikush duhet të mbajë përgjegjësi për humbjet e njëpasnjëshme të partisë sonë".

Nga ana tjetër, Basha propozon që kreu i PD të zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH dhe modalitetet e procesit të përcaktohen nga Rregullorja e Brendshme e PDSH.

“Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen nga Rregullorja e Brendshme e PDSH”, tha Basha.

Basha e Kadilli bashkohen në një pikë, në hartimin e listave të kandidatëve për deputetë, dhe kandidatët për kryebashkiakë, për të cilën vulën duhet ta japë kryetari i partisë, ndërsa Harxhi kërkon që zgjedhja e kandidatëve për deputetë, anëtarë të këshillave bashkiake, kryetarë bashkish, duhet të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me anëtarin e Partisë Demokratike dhe jo të emërohen nga Kryetari i Partisë.

Ndërkohë, si Basha edhe Harxhi kërkojnë që të sanksionohet në Statut se vendimmarrja për çdo marrëveshje politike, koalicion para apo pas zgjedhor dhe nismë të rëndësishme politike duhet të jetë atribut vetëm i Këshillit Kombëtar të PDSH-së.

Edith Harxhi i bëri propozimet ditën e djeshme, një ditë para se grupi i ngritur në PD të vendosë për ndryshimet statutore.

Propozimet e Lulzim Bashës për ndryshime në statutin e PD

1. Janë përfshirë si vlera që mbrohen, promovohen dhe nxiten nga Partia Demokratike, meritokracia dhe shanset e barabrata ne punësim dhe karriere, duke nxitur nje administratë publike te qendrueshme dhe profesionale; lufta ndaj korrupsionit dhe dhenia fund e fenomenit të pandëshkueshëmrisë; shkeputja e lidhjeve midis politikes dhe krimit te organizuar, permes dekriminalizimit të plotë të jetës politike dhe publike, si dhe nxitja e një sistemi drejtesie të pavarur dhe të paanshëm, që i sherben vetem qytetarëve dhe interesit publik.

2. Eshtë zgjeruar koncepti i demokracisë së brendshme në parti edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin lokal, duke ngushtuar kompetencën qe kishte Kryetari i Partisë në këtë drejtim. Ne kete menyrë, detyrimi për konsultimin e anetaresise eshte perfshire edhe per kandidatet per pushtetin vendor, të cilët pas konsultimit me anetaresine do te propozohen nga: Kryetari i Partise, caktohen nga Kryesia e PDSH-se dhe lista e plote do të miratohet nga Keshilli. Kombëtar. Ne kete menyre eshte perfshire në vendimmarrje, si organ ratifikues i listes, edhe Keshilli Kombetar.

3. Eshtë rikonceptuar Kryesia e Seksionit, e cila do të përbëhet nga Kryetari, Sekretari dhe Nenkryetari i Seksionit Kryetari i Seksionit zgjidhet nga anëtarët e seksionit sipas parimit "Nje anetar, Nje vote Sekretari i Seksionit emërohet nga Kryetari i Degés. Nenkryetari i Seksionit emerohet nga Kryetari i Grupseksionit.

4. Eshte shtuar si strukture vendore e partisë edhe Këshilli Koordinues i Qarkut, që drejtohet nga Drejtues Politik i Qarkut, që emerohet nga Kryetari i Partisë. Kjo do të jetë një strukture e perhershme me pergjegjesi në organizimin elektoral dhe aksionet e veprimtaritë politike të PDSH ne nivel qarku.

5. Eshtë zgjeruar Kryesia e Degës së Partisë, ku do të përfshihen edhe anëtarët e Këshillit Kombetar të PDSH që kanë vendbanimin në Degë apo janë caktuar të mbulojne Degën; si dhe vetëm për Degët qendër qarku, 7 (shtate) anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Deges

6. Eshtë rikonceptuar mënyra e funksionimit të Këshillit Kombëtar, duke parashikuar që anëtaret e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të organizohen në Departamente te Keshillit Kombëtar, që funksionojnë si strukture këshillimore e Kryesisë dhe kryetarit të PDSH-se, për çeshtje tematike. Departamentet e Këshillit Kombëtar janë përgjegjëse për përgatitjen e platformave, opinioneve, strategjive dhe programeve sektoriale, të cilat sherbejne për formulimin e programit elektoral, programit të qeverisjes dhe veprimtarinë politike të PDSH-së

7. Eshtë zgjeruar Kryesia e Partisë, duke përfshirë si anetare të saj per shkak të funksionit edhe Kryetarin e Keshillit Kombëtar, Kryetarin e Bordit Financiar, Kryetarin e Komisionit Zgjedhor dhe Kryetarin e Komisionit të Apelimit. Integritetit dhe Etikes. Gjithashtu është shtuar rregulli që jo me pak se 30% e anetarë të zgjedhur te Kryesise t'i perkasi gjinise me pak te përfaqësuar.

8. Eshtë rikonceptuar Sekretariati Ekzekutiv i Partise, duke hequr numrin limit të sekretareve funksional ne perberje të tij Ky rregull eshte shtrire edhe per Degët e Partise

9. Eshtë bashkuar ne nje komision të vetëm Komisioni i Apelimit dhe Komisioni i Integritetit dhe Etikes, duke njohur kompetencen per vleresimin e kandidatëve dhe zbatimit te rregullave per dekriminalizimin dhe integritetin vetem Komisionit te Vleresimit të Kandidatéve

10. Eshte riformatuar Komisioni i Përhershëm i Statutit, i cili eshte pergjegjes edhe per interpretimin e dispozitave të Statutit, Komisioni i Perhershëm i Statutit do te perbehet nga 7 anetare titullare dhe dy anetare ndihmes, ge caktohen nga Kryesia e Partise

11. Eshtë harmonizuar dhe thjeshtuar përmbajtja e Statutit aktual, duke rregulluar pasaktesite apo duke hequr parashikimet qe perseriten ne teksin e tij, por pa prekur thelbin e parashikimeve statutore

Propozimet e Fatbardh Kadillit për ndryshime në statutin e PD

1- Vendosja e primareve, parimit “një anëtar një vote”, si mekanizëm i vetëm për zgjedhjen e drejtuesve partiak në çdo nivel, si dhe për zgjedhjen e kandidaturave për parlament dhe bashki, është një nga ndryshimet kryesore që propozohet.

Ky ndryshim e heq peshën e vendimmarrjes nga Vula e Kryetarit dhe e çon tek Vota e Anëtarit.

2- Garantimi i karierës është një ndryshim po aq thelbësor që demokratizon partinë. Çdo anëtari i garantohet e drejta absolute që të garojë për çdo funksion. Nuk do të jetë më Kryetari që seleksionon kush mund të kandidojë dhe kush jo.

3- Ndarja e rolit të Kryetarit të Partisë nga Administrimi i Partisë. Kryetari Udhëheq vetëm një projekt politik. Partia ka vazhdimësi. Njerëzit ikin partia mbetet.

Administrimi i partisë i kalon Këshillit të të Urtëve. Ky këshill është përgjegjës për organizimin, për burimet njerëzore, për zgjedhjet në parti, për financat partiake dhe për demokracinë e brendshme, statutin dhe etikën.

Propozime për ndryshime Statutore

1- Kryetari i Partisë

Kryetari i Partisë zgjidhet për një mandat katër vjeçar, i cili mbaron ose rinovohet automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve;

Kryetari i Partisë ose bëhet Kryeministër, ose largohet nga drejtimi i partisë pa pasur të drejtë të marrë pjesë në garën e radhës.

2- Drejtimi i Partisë

2.1- Drejtimi Politik i Partisë

Kryetari është drejtuesi Politik i Partisë;

Kryetari krijon Kabinetin Qeveritar / në opozitë Kabinetin në hije;

Kryetari emëron drejtuesit / përfaqësuesit e Partisë në Komisionet Parlamentare;

Kryetari emëron drejtuesit e Grupit Parlamentar;

Kryetari emëron kabinetin e këshilltarëve të tij, si dhe ngre zyra politike që ndihmojnë atë në kryerjen e funksioneve të drejtimit të partisë;

2.2- Kryesia e Partisë

Kryesia e Partisë përbëhet nga: Kabineti Qeveritar hije, nga Kryesia e Grupit Parlamentar dhe nga Drejtuesit / Përfaqësuesit në Komisionet e përhershme parlamentare; (e gjithë kryesia është e zgjedhur automatikisht nga Kryetari dhe secili kryen funksionet që i janë caktuar).

Kryetari mund të shkarkojë për shkak të performancës politike anëtarët e Kryesisë (njëherësh nga funksioni individual);

Çdo Ministër Hije (Zëdhënës) ngre departamentet e nevojshme për të mbuluar fushën që ka në kompetencë dhe emëron ekipet politike qendrore dhe lokale të fushës së tij të kompetencës / veprimit politik;

Drejtuesit e Grupit Parlamentar dhe Drejtuesit e Komisioneve të Përhershme parlamentare krijojnë ekipet e nevojshme të këshilltarëve për të ndihmuar dhe asistuar me ekspertizë deputetët;

2.3- Drejtimi Administrativ i Partisë

Drejtimi Administrativ i Partisë bëhet nga Këshilli i të Urtëve.

Këshilli i të Urtëve përbëhet nga tre anëtarë që zgjidhen nga Këshilli Kombëtar

Anëtarët e Këshillit të të Urtëve nuk duhet të kenë jetë aktive politike dhe nuk mund të kandidojnë për asnjë funksion tjetër në parti dhe as të zgjidhen si përfaqësues të partisë në asnjë funksion tjetër publik.

Anëtarët e Këshillit të të Urtëve duhet të zgjidhen si rregull nga senioriteti i partisë që është tërhequr nga aktivizmi politik.

Anëtarët e Këshillit të të Urtëve kanë mandat 6 vjeçar me mundësi rizgjedhje;

Ata janë garant të administrimit të partisë dhe të respektimit të të drejtave statutore të anëtarësisë

Këshilli i të Urtëve është përgjegjës:

- për regjistrimin dhe administrimin e regjistrit të anëtarësisë;

- për regjistrimin e strukturave partiake në përputhje me statutin;

- për respektimin e të drejtës për tu zgjedhur të çdo anëtari që plotëson kriteret ligjore dhe standardet etike të shpallura;

- për organizimin e primareve për zgjedhjet e çdo drejtuesi të çdo forumi partiak (Kryetar Seksioni, Kryetar Grupseksioni, Kryetar Forumi, Kryetar Dege, Kryetar/kandidat për deputet në ZAZ, Kandidat për Kryetar Bashkie)

Këshilli i të Urtëve emëron dhe mbikëqyr funksionimin e trupës administrative të partisë.

Këshilli i të Urtëve emëron:

- Administratorin e Përgjithshëm, me funksionet e Sekretarit të Përgjithshëm;

- Sekretariatin për Etikën;

- Sekretariatin për Zgjedhjet në Parti;

- Sekretarin për Organizim dhe Burime Njerëzore;

- Sekretariatin për Çështjet e Statutit;

- Sekretariatin për Administrimin e financave të partisë;

Funksionarët kanë mandat 6 vjeçar me të drejtë rizgjedhje. Këta funksionarë janë të përjashtuar nga gara për funksione të tjera partiake dhe nga kandidimet për përfaqësim të partisë në çdo nivel;

3- Organizimi i strukturës së partisë

3.1- Drejtuesit / Kandidatët

Drejtuesit e seksioneve, grupseksioneve dhe forumeve zgjidhen me parimin “një anëtar-një vote”, ose me vetëdeklarim të konfirmuar të mbështetjes nga anëtarët në përbërje të seksionit, grupseksionit, forumit.

Kryetari/kandidati për deputet i ZAZ, Kryetari i Degës, Kandidati për Kryetar Bashkie zgjidhen me primare nga vota e gjithë anëtarësisë. Modalitetet e primareve rregullohen në statut; ato i mundësojnë garuesve kushte të njëjta dhe anëtarësisë mundësi të barabartë njohje.

Anëtarësia që ftohet të votojë regjistrohet brenda një afati të arsyeshëm. Lista konfirmohet nga Këshilli i të Urtëve / Sekretariati për Organizimin dhe Burimet Njerëzore në një periudhë kohe që parashikohet në statut;

Askujt nuk i pengohet e drejta e kandidimit. Çdo kandidat regjistrohet nga KU / Sekretariati për Zgjedhje në Parti;

Për çdo ZAZ zgjidhet një kandidat nga vota e anëtarësisë që ndodhet në juridiksionin territorial të ZAZ-së;

Për çdo bashki zgjidhet një kandidat nga anëtarësia e strukturës që ndodhet në juridiksionin territorial të bashkisë;

Kandidaturat e tjera për deputetë që nevojiten për të plotësuar numrin e vendeve në parlament të një Qarku zgjidhen nga anëtarësia e degëve të gjithë Qarkut;

Kandidaturat në nivel Qarku propozohen nga Kryetari i Partisë;

Renditja e kandidaturave për deputet është tagër ekskluziv i Kryetarit të Partisë;

3.2- Organizimi i seksioneve dhe organeve të tjera të partisë

Seksionet ngrihen në nivel territorial me një numër minimal prej 5 anëtarësh

Çdo anëtar partie që siguron mbështetjen e të paktën 5 personave mund të ngrejë seksionin e tij. Seksionet regjistrohen në administratën e partisë (Sekretariat për Organizimin dhe Burimet Njerëzore). Seksionet dhe grupseksionet kanë vetëm Kryetar.

Kushdo brenda ose jashtë organizimit të seksionit ose grupseksionit mund të krijojë organizime strukturore / forume me natyrë përkatësie (profesioni, aktiviteti ekonomik, krahine, gjinie, moshe, gjuhe, kauze, interesi, si dhe çdo elementi tjetër përbashkues); rregulli është i njëjtë, minimum 5 anëtarë.

3.3- Kuvendi Kombëtar

Kuvendi Kombëtar përbëhet nga tërësia e kryetarëve të seksioneve, grupseksioneve, forumeve të regjistruara, nga Kryetarët e degëve, si dhe nga kandidatët për Deputet, për Bashki dhe kabineti qeveritar hije.

3.4- Këshilli Kombëtar

Këshilli Kombëtar përbëhet nga:

- Kryetarët e Degëve;

- Deputetët e zgjedhur dhe kandidatët për deputet të çdo ZAZ;

- Kryetarët e Bashkive dhe Kandidatët për Kryetar të çdo bashkie;

- Anëtarët e Kabineti Qeveritar / ose në Hije;

- Këshilli i të Urtëve dhe Sekretariati i emëruar prej tyre;

- Drejtuesit e Organizatave partnere;

Këshilli Kombëtar mblidhet të paktën një herë në tre muaj dhe vendos për çështje të rëndësishme politike të partisë.

4- Financimi i Partisë

Financimi publik i përfituar nga partia ndahet në këtë mënyrë:

- ½ (gjysma) e masës i shpërndahet degëve proporcionalisht me numrin e votave sipas rezultatit elektoral të arritur në zgjedhjet e fundit;

- ¼ (një çerek) për funksionimin e administratës së partisë;

- ¼ (një çerek) për funksionimin e ekipit të kryetarit të partisë;

Degët nxiten të rrisin të ardhurat nga kuotat e anëtarësisë.

Propozimet e Edith Harxhit për ndryshime në statutin e PD

1. Sot, kur ne kemi tre zgjedhje të humbura dhe jemi jashtë pushtetit qëndror dhe vendor për arsye të vendimarrjes së gabuar politike të Kryetarit dhe disa mbështetësve të tij, do të duhej që ne ta kufizojmë mandatin e Kryetarit të Partisë vetëm në një palë zgjedhje të humbura, sepse përfundimisht dikush duhet të mbajë përgjegjësi për humbjet e njëpasnjëshme të partisë sonë. Si është e mundur që prej vitit 2013, janë larguar nga strukturat drejtuese të partisë me qindra kryetarë degësh, qindra anëtarë të Këshillit Kombëtar, dhjetra anëtarë të Kryesisë së PDSH-së dhe disa Sekretarë të Përgjithshëm, e ndërkohë që Kryetari i Partisë nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për dështimet e PDSH-së dhe për premtimet e pambajtura?

2. Ne duhet ti kthejmë Partinë anëtarëve të saj, pasi sot kjo parti ka vetëm një vendimarrje dhe kjo është e Kryetarit dhe në pak raste e Kryesisë së zgjedhur prej tij. Për këtë arsye ne duhet të sanksionojmë në Statut se vendimarrja për çdo marrëveshje politike, koalicion para apo pas zgjedhor dhe nismë të rëndësishme politike duhet të jetë atribut vetëm i Këshillit Kombëtar të PDSH-së, si përfaqësues i drejtpërdrejtë i vullnetit të anëtarësisë së Partisë Demokratike. Megjithëse kjo pikë u arrit të vendosej në Statutin e vitit 2017, përsëri nuk u zbatua asnjëherë, pasi disa marrëveshje të rëndësishme politike dhe koalicione para dhe pas zgjedhore u vendosën pa miratimin e Këshillit Kombëtar të PDSH-së dhe madje edhe të Kryesisë së Partisë.

3. Zgjedhja e kandidatëve për deputetë, anëtarë të këshillave bashkiake, kryetarë bashkish, duhet të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me anëtarin e Partisë Demokratike dhe jo të emërohen nga Kryetari i Partisë. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, ishin të panumërta rastet kur u shkel në mënyrë flagrante statuti i partisë, madje edhe premtimet e bëra më parë nga vetë Kryetari i Partisë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Lista e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave, megjithëse me një proçes të anatemuar pasi ishtë proçes denigrues dhe përjashtues dhe jo vlerësues, nuk u morr parasysh. Madje në shumë raste edhe vota e demokratëve për vlerësimin e kandidaturave u shpërfill dhe u tjetërsua nga vendimarrja e Kryetarit të Partisë. Zëri i demokratëve të thjeshtë, punëtorëve të partisë prej vitesh duhet të dëgjohet dhe ai duhet të jetë i vetmi pushtet në Partinë tonë, pasi anëtarësia e Partisë, dega, grup seksioni dhe seksioni janë ata që njohin më mirë problemet reale të Partisë dhe të qeverisjes sot dhe pikërisht duhet të jenë ata që duhet të vendosin për kandidaturat që vlerësohen nga anëtarësia dhe shoqëria. Kryetarët e degëve dhe strukturat lokale të partisë nuk mund të neglizhohen në asnjë mënyrë në procesin e vendimarrjes dhe nuk mund të sfidohen nga besnikë të kryetarit të partisë, që emërohen në periudha parazgjedhore si koordinatorë politik në qarqe.

4. Këshilli Kombëtar duhet të jetë forumi më i lartë vendimarrës i partisë sonë. Ai duhet të jetë përfaqësues, i kufizuar në numër, dhe i përbërë nga 120 anëtarë në përgjithësi, nga të cilët 90 prej tyre të zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë nga Kuvendi Kombëtar, me propozim të degëve të PDSH-së dhe jo të Kryetarit. Çdo degë e PDSH-së duhet të ketë peshën e saj reale, në vartësi të arritjeve zgjedhore, në Këshill Kombëtar dhe në Kryesinë e Partisë dhe të përfaqësohet në këto dy forume me personalitete të përzgjedhura nga degët, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të dëgjohet zëri i vërtetë i anëtarëve të saj. Aktualisht Kryesia e Partisë dhe Këshilli Kombëtar nuk përfaqësojnë në mënyrë të vërtetë degët e saj. Çdo propozim për të bërë anëtarë të përhershëm të Këshillit Kombëtar deputetët e zgjedhur të listës së Kryetarit, dhe kolegjin e kryetarëve, e zhbën zërin e vërtetë të anëtarësisë dhe vazhdon ta mbajë Partinë në forum të Kryetarit të saj.

5. Këshilli Kombëtar duhet të ketë në përbërjen e tij edhe anëtarë të diasporës shqiptare në botë të cilët mund ti propozohen Kuvendit Kombëtar me një numër të kufizuar nga degët e PDSH-së në Diasporë. Kjo siguron hapjen e partisë dhe konsultimin me personalitete të diasporës shqiptare të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ndihmojnë në shpalosjen e programit të PDSH-së dhe politikave të saj në botë.

6. Forumet drejtuese të Këshillit Kombëtar, duhet të kenë mandat katër vjeçar dhe të jenë të pavarura nga Kryesia e Partisë dhe Kryetari i Partisë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë atë që quhet kontroll dhe balancim të pushtetit dhe do të sigurojmë vendimarrje të pavarur dhe kolegjiale. Këshilli Kombëtar nuk mund të jetë organ këshillmor i Kryetarit dhe Kryesisë së Partisë, por autoriteti më i lartë vendimarrës në PDSH. Pavarësia e organeve drejtuese të Këshillit Kombëtar dhe thirrja e mbledhjeve të Këshillit duhet të jetë e drejtë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar.

7. Partia jonë duhet të kalojë në një proçes të menjëhershëm të verifikimit të anëtarësisë së saj pasi ne ndryshojmë listat e anëtarësisë në zgjedhjet për Kryetar Partie, apo zgjedhje të tjera të brendëshme në parti, duke shkelur parimin bazë të demokracisë, të Kushtetutës së vendit dhe Statutit të Partisë sonë, “e drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur”. Vetëm në procesin e fundit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike janë hequr nga listat e anëtarësisë së PDSH-së me mijra demokratë dhe anëtarë të hershëm, më shumë se 28 mijë anëtarë të anëtarësisë së saj reale që prej vitit 1990, kur edhe është themeluar partia. Anëtarë të hershëm dhe të tashëm të Partisë Demokratike, themelues e qëndrestarë, janë hequr nga listat e anëtarësisë jo pa qëllim dhe kjo ka deformuar partinë tonë në strukturë, përmbajtje, thelb dhe formë.

8. Mosbërja publike e listave të Partisë Demokratike është një shkelje tjetër e parimeve themelore të së djathtës dhe demokracisë në parti. Kjo duhet të sanksionohet me një nen të posaçëm në Statutin e partisë dhe jo të fshihemi pas Ligjit për të Dhënat Personale, pasi ne nuk jemi parti të dhënash por parti individësh të lirë, të cilët kanë vendosur me dëshirën e tyre të lirë të jenë pjesë e kësaj organizate politike dhe kjo divizë është e sanksionuar që në statutin e parë të PDSH-së në vitin 1991.

9. Komisioni i Apelimit në Partinë Demokratike duhet të jetë një organ më vete dhe plotësisht funksional. Me anë të këtij komisioni duhet ti garantohet e drejta çdo anëtari të PDSH-së që të apelojë vendimet në rast shkeljesh. Ky Komision duhet të jetë funksional gjatë çdo mandati të Kuvendit Kombëtar dhe të propozohet nga Këshilli Kombëtari PDSH-së.

10. Partia Demokratike duhet të ketë një Rregullore të Brendëshme për funksionalizimin e Statutit të saj dhe kjo rregullore duhet të miratohet në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar, pas konstituimit të tij. Përvoja e deritanishme ka treguar se PDSH-ja, në kundërshtim me Statutin e saj, është drejtuar pa rregullore të brendëshme dhe me rregullore ad-hoc të përgatitura nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, apo Kryesia e Partisë, sa here që Kryetari apo Kryesia është vendosur para përgjegjësisë së mos kryerjes së funksioneve të tyre.

 

Ora 19:35
Komisioni statutor i rrëzoi propozimet, Harxhi: Jeni bashkëfajtorë sa Lulzim Basha për shkatërrimin e PD-së! Duhet rithemelim i partisë, jo arnim i statutit

Edith Harxhi ka reaguar pas vendimit të komisionit statutor që të mos pranojë asnjë nga propozimet e saj për ndryshimin e statutit të PD.

Teksa ngre një së rë pyetjesh për mënyrën sesi u hodhën poshte propozimet për ndryshimin e statutit, Harxhi gjen fajtor veç Bashës edhe ato që votuan për të rrëzuar propozimet e tyre.

'Unë ende nuk di asgjë zyrtare mbi vendimet e mbledhjes tuaj sot, ajo c’ka di është vetëm nga media. Por nëse kjo është e vërtetë ju them se jeni po aq bashkëfajtorë sa Lulzim Basha për shkatërrimin e PD-së. Mund të kishit zgjedhur të mos bëheshin ndryshime statutore sepse PD-ja nuk çalon nga Statuti dhe rregullat por nga mos zbatimi i tyre, shmangia e përgjegjësive dhe nga shmangia e parimeve bazë mbi të cilat është krijuar.'- thotë Harxhi.

Harxhi thotë se vetëm me rithemelimin e partisë, jo me arna të statutit mund të rimëkëmbet opozita. Harxhi shton më tej se partia duhet t'i kthehet anëtarësisë së saj dhe anëtarësia duhet të vendosë për rregullat, për listat e hapura, për kandidatët që duan dhe i promovojnë vetë, për konkurrencën dhe meritokracinë, e njërëzit që duhet ti drejtojnë. Ish-kanidatja për kryetare e PD thotë me tej se Partia Demokratike tashmë duhet rithemeluar, riformatuar, riprogramuar në thelb, në formë dhe përmbajtje, sepse ka humbur besimin e qytetarëve shqiptarë, ka humbur, mbi të gjitha, busullën!

Postimi i plotë

Të dashur miq, Ky mesazh i drejtohet miqve të mi në Komisionin e Përhershëm Statutor të Partisë Demokratike në pamundësi për të biseduar me ta në forumet e partisë.

Në këto ditë të nxehta dhe plot ngjarje në vendin tonë, lajme të besueshme dhe të pabesueshme, kur SPAK po fillon të lëviz në horizont dhe kur tenderat vazhdojnë të ndahen për qoka majtas e djathtas, ju jeni mbledhur sot për të diskutuar ndryshimet statutore në Partinë Demokratike. Pyetja e pare që më vjen ndër mend është: A i keni lexuar mediat që mbrëmë e deri më sot? A ka ndonjë lajm që ju shqetëson shumë dhe ju ka vënë para përgjegjësisë edhe ju?

Unë sapo jam njohur me lajmin se ju të dashur bashkëudhëtarë të kauzës sonë që mendoja do të ishte e përbashkët por nuk duket e tillë, keni marrë vendim të miratoni propozimet për ndryshime statutore të propozuara nga kryetari në detyrë i PD-së Lulzim Basha dhe keni hedhur poshtë propozimet e tjera. A jeni të sigurt se çfarë keni miratuar? Unë endenuk di asgjë zyrtare mbi vendimet e mbledhjes tuaj sot, ajo c’ka di është vetëm nga media. Por nëse kjo është e vërtetë ju them se jeni po aq bashkëfajtorë sa Lulzim Basha për shkatërrimin e PD-së. Mund të kishit zgjedhur të mos bëheshin ndryshime statutore sepse PD-ja nuk çalon nga Statuti dhe rregullat por nga mos zbatimi i tyre, shmangia e përgjegjësive dhe nga shmangia e parimeve bazë mbi të cilat është krijuar.

A e ka lexuar ndonjë prej jush statutin e parë të Partisë Demokratike ku sanksionohet që prej asaj kohe se Këshilli Kombëtar është organi më i lartë i PD-së dhe si i tillë nuk mund të jetë organ këshillues? A ka lexuar ndonjë prej jush Statutin e CDU-së Gjermane dhe konservatorëve Anglezë me të cilin ju mburreni kur shkoni në trajnimet apo takimet e tyre dhe Kryetari në detyrë i përdor sa herë i interesojnë atij të bëjë ndryshime për të fshehur humbjet e tij? Këshilli Kombëtar në të gjitha statutet e Partive të qëndrës së djathtë është organi kryesor ligjvënës me të cilin Kancelarja Merkel nuk mund të mashtrojë askënd dhe as ta shkelë sepse është kushtetuta e një partie. Po ju shkruaj për qendrën e djathtë, se me këto ndryshime që keni miratuar, e keni bërë PD-në përfundimisht liberale; vetëm lexoni premabulën e propozimeve të Z. Basha.

Po si mund të pranoni ju një Kryetar në detyrë humbës, pas katër humbjeve seriale, kur e ka lënë opozitën dhe vendin pa opozitë dhe jashtë të gjitha pushteteve qëndrore dhe vendore, sepse mendonte se kështu mund të negocionte më lirshëm me Kryeministrin në detyrë për hallet dhe fitimet e tij? Përgjegjësia politike nuk mund të ketë parashikim statutor pasi varet nga morali në politikë, por në mungesë të këtij të fundit nuk mund të shkatërrohet gjithë organizata politike.

A takoheni ju me demokratë të thjeshtë nga jugu në veri, të uleni me ta me orë dhe ti dëgjoni, jo në periudha zgjedhjesh kur jeni në lista të sigurta dhe ti pyesni për hallet që kanë dhe ti lexoni në sy dëshpërimin pas 8 vitesh në opozitë? Po me shqiptarët e tjerë që edhe pse jo demokratë në bindje që prisnin ndryshimin, dhe atë e prisnin natyrshëm nga opozita? Mos më thoni se i vodhi Edi Rama? Mos u bëni këtë lloj propagande shqiptarëve e tu flisni për “masakrën elektorale” që edhe Trump po të ishte në krye nuk e ndalonte dot….

E vërtetë, Edi Rama ka tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve por kjo ndodhi gjatë kohës që Kryetari ynë në detyrë flinte mbi dafina dhe shpresonte se pushteti do ti vinte në seli të partisë… dhe ju të gjithë mezi prisnit të ishit në listën e rradhës…Po ku ishte opozita? Ku ishin garancitë që dha Kryetari në detyrë për sigurinë e votës së shqiptarëve? Përsëri do përdorni të njëjtën retorikë si shumë vite më parë dhe do qaheni e do qahemi e do jargaviteni se na ivodhi Edi Rama… Faji është i Lulzim Bashës dhe dikush duhet të dalë të thotë “Mbreti është lakuriq”! I detyrohemi shqiptarëve në këto ditë të vështira të vërtetën, por mbi të gjitha i detyrohemi demokratëve që janë të dërmuar nga protestat me para borxh, pa punë e pa shpresë tu themi të vërtetën.

Problemi nuk është absolutisht tek propozimet e mia, sepse ju të gjithë e keni parë kur i kam dalë përballë Lulzim Bashës në Këshill Kombëtar para katër vitesh pikërisht për këto propozime, për të shpëtuar PD-në, këtë varkë që të gjithë po e kuptojnë se po mbytet, përveç jush. T’ju them të drejtën nuk do të kisha dërguar propozime po të mos ishte për brengën time që duhet të provoj deri në fund për të shpëtuar diçka nga PD-ja… jam e sigurt se do thoni nëse jam unë ajo që do shpëtojë PD-në??? Jo, Jo, gaboheni; janë qindra dhe mijëra demokratë, aktivistë, simpatizantë që duan ta bëjnë këtë por s’po munden dot. Janë ata 28 e mijë e më shumë që u përjashtuan nga listat e zgjedhjeve për Kryetar Partie, kur ju i kërkonit degëve në varësinë tuaj që të votohej për Lulzim Bashën. Janë qindra dhe mijëra shqiptarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, madje edhe ata që ju i shqetësoni me telefonata në New York e Washington, Londër, Bruksel e Berlin sa here që shihni se peshorja ndërkombëtare anon majtas. Janë ata që shihnin tek ju shpresën për të rrëzuar Edi Ramën dhe rregjimin e tij korruptiv, por nuk munden se nuk ju besojnë më…

Vetëm rimëkëmbja e opozitës dhe kthimi i besueshmërisë tek ajo e kthen besimin! E kjo tashmë bëhet vetëm me rithemelim të Partisë sonë dhe jo me arna të Statutit që ju jeni të parët që e shkelni. Partia duhet ti kthehet anëtarësisë së saj dhe anëtarësia duhet të vendosë për rregullat, për listat e hapura, për kandidatët që duan dhe i promovojnë vetë, për konkurrencën dhe meritokracinë, e njërëzit që duhet ti drejtojnë.

Partia Demokratike tashmë duhet rithemeluar, riformatuar, riprogramuar në thelb, në formë dhe përmbajtje, sepse ka humbur besimin e qytetarëve shqiptarë, ka humbur, mbi të gjitha, busullën! E kjo bëhet nga një korpus të ri drejtues. Unë këtu do të jem dhe do të punoj fort deri në fund që kjo të arrihet. Tashmë faji nuk është më i Lulzim Bashës, por i juaji, që qorrazi nuk ju lexojnë më sytë dhe nuk ju dëgjojnë më veshët. Ju jeni po aq bashkëfajtor sa ai!

Sinqerisht dua të di a i keni lexuar mediat këto 24 orë? A e kuptoni çfarë po ndodh? A e kuptoni që edhe ju ju ka shitur për disa apo shumë grosh? Është shitur kauza që në 2013 dhe ju po bëheni pjesë e shitjes.

Miqtë njeriu i zgjedh vetë sepse janë sipas pëlqimit vetjak dhe nuk ja u zgjedh partia e për këtë ju konsideroj ende të tillë sepse është zgjedhja ime, por më dukeni sot, as më shumë e as më pak, si anëtarë të byrosë politike….

E përsëri ajo do bëhet, PD do ringrihet se duan shqiptarët e unë do jem përsëri këtu me dëshirën për ta reformuar e rithemeluar…Edith

Ora 16:00
Komisioni Statutor i rrëzoi propozimet, Kadilli: Kapërceu kompetencat, synohet të mbyllet debati për një parti më të madhe se kryetari

Fatbardh Kadilli ka reaguar pasi komisioni statutore i Partisë Demkratike rrëzoi propozimet e tij për ndryshimet statutore në PD. Kadilli thotë se Komisioni kaloi kompetencat dhe se ai ka për detyrë që të japë një mendim dhe jo që të rrëzojë propozimet. Kadilli thotë më tej se me qëndrimin e sotëm nga komisioni synohet të mbyllet debati i domosdoshëm për një Parti më të madhe se kryetari, për një Parti më të madhe se vetvetja, për një parti që frymëzon.

'Ndryshimet Statutore. Debati për ringritjen e PD nuk mbyllet me vendime antistatutore të Komisionit Statutor.

Sot Komisioni ka vendosur se cilat nga ndryshimet që janë propozuar duhet t’i përcillen Kuvendit Kombëtar. Ky është tagër i Kryesisë dhe jo i Komisionit.

Komisioni për Ndryshimet Statutore në PD sot ka vepruar në kapërcim të kompetencave dhe të misionit të vet. Statuti parashikon qartë që të drejtën për të propozuar ndryshime statutore e ka vetëm Kryesia dhe 1/4 e Këshillit Kombëtar. Komisioni jep mendim.

Propozimet e mija që burojnë nga Manifesti Politik për ringritjen e PD ia paraqita për dhënie opinioni Komisionit, bazuar në autorizimin e mbledhjes së fundit të Kryesisë. Komisioni nuk u mjaftua me dhënien e mendimit dhe opinionit të vet, por vendosi të rrëzojë propozimet.

Ky vendim i shumicës së anëtarëve të Komisionit sot dëshmon qartë vijimësinë e mos reflektimit për domosdoshmërinë që ka sot PD për të ndryshuar thellësisht, për t’iu përgjigjur sfidave të mëdha që ka përballë opozita.

Me qëndrimin e sotëm nga komisioni synohet të mbyllet debati i domosdoshëm për një Parti më të madhe se kryetari, për një Parti më të madhe se vetvetja, për një parti që frymëzon.

Kryesia ka neser shancin që me guxim dhe përgjegjshmëri politike të marrë vendimet që presin demokratët. Kuvendi Kombëtar duhet të shërbejë për çeljen e proceseve politike dhe jo për mbylljen e tyre.'- tha Kadilli.

Ora 14:25
Komisioni Statutor kalon vetëm propozimet e Bashës, Bozdo: Të gjitha propozimet politike duhet të kalonin

Anëtari i Komisionit të Përhershëm Statutor, Enno Bozdo tha se ky komision vendosi të kalonte propozimet e Bashës që rregullojnë dhe harmonizojnë statutin aktual. Bozdo tha se propozimet e Kadillit ishin për rikonceptim të PD, por që ai mendon se duhet të kishin kaluar që partia të ishte në përmirësim të vazhdueshëm.

“Në dijeni time propozimet e Bashës kaluan të gjitha. Propozimet ndahen në dy grupe ato që rregullojnë statutin aktual dhe që janë të vlefshme për një harmonizim më të të mirë ku janë krijuar problemet dhe propozime e Fatbardh Kadillit që e rikonceptojnë PD, të gjitha këto propozime janë  politike dhe të gjitha duhet t’i kalonin kryesisë. Unë mendoj se të gjitha propozimet politike kanë vlerë dhe nuk mund të hiqet nga tavolina”, tha Bozdo.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • goni: 14/07/2021 16:13

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?