Kompania ‘Bello”, karteli i drogës që drejtonte Dritan Rexhepi! Brenda dy vitesh trafikoi kokainë me vlerë 141 milionë euro

10 Nëntor 2023, 21:32| Përditesimi: 10 Nëntor 2023, 21:49

  • Share

1699604638_dritanrexhepi.jpg

Foto: Arrestimi i Dritan Rexhepit në Stamboll, 8 nentor 2023

Dritan Rexhepi kishte krijuar një kartel shqiptar të narkotrafikut, të quajtur kompania ‘Bello” përmes të cilës blinte sasi të mëdha kokainë në Amerikën e Jugut për t'i shpërndarë më pas në Europë

Sipas Europolit, kompania 'Bello' e cila drejtohej nga Dritan Rexhepi, konsiderohej një nga organizatat më aktive të trafikimit të kokainës nga Amerika e Jugut në Europë. Prokurorët italianë kishin zbuluar se Rexhepi kishte një marrëdhënie të privilegjuar me kartelet kolumbiane të prodhimit të kokainës nëpërmjet trafikantit ekuadorian, Cezar Emilio Montenegro Castillo –  i njohur gjithashtu si ‘Don Monti’, i cili  është kreu i trafikantëve ekuadorianë të lidhur me kartelin kolumbian “Norte dell Valle” dhe kartelin meksikan të drogës së Sinaloas. 

Vetëm në 2016 dhe në 2017 prokurorët italianë vlerësonin se Rexhepi kishte trafikuar kokainë me një vlerë totale të ardhurash për dy vite prej 141 milionë eurosh. Konkretisht në 2016 kishte trafikuar të paktën 2368 kilogramë kokainë dhe 3654 kilogramë në vitin 2017, me një çmim mesatar shitjeje me shumicë prej 23,500 eurosh shkruhej në një shkrim investigativ të publikuar nga BIRN në 2021.

Duke iu referuar hetimeve të prokurorisë së Firences, e ashtuquajtura “Kompania Bello” ishte një kartel i përbërë nga organizata kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e drogës, i themeluar të paktën që nga viti 2014 në një vend të papërcaktuar dhe që operonte në Ekuador, Holandë, Belgjikë, Shqipëri dhe Itali

Anëtarët e kësaj organizate kishin detyra të qarta dhe rekrutonin kryesisht shqiptarë ndërsa drejtohej nga Dritan Rexhepi nga burgu në Ekuador ku ndodhej prej vitit 2014. 

Rexhepi ishte arrestua në qershor 2014,  në Quito të Ekuadorit si pjesë e një operacioni të policisë vendore, ku u sekuestruan 278 kilogramë kokainë. A u dënua me 13 vite burg por u lirua me kusht në nëntor 2021 për “sjellje të mirë” dhe për shkak se “nuk do të kishte rrezik arratisje”. Prej atëherë nuk dihej vendndodhja e tij deri më 8 nëntor 2023 kur dhe u arrestua në një vilë luksoze në Stamboll. 


Lajmi kryesor:

VIDEO/ Pengmarrja dhe vrasja e Jan Prengës, arrestohet në Stamboll 'bosi' i trafikut të kokainës Dritan Rexhepi! Shqipëria kërkon ekstradimin


S.G/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?