Termi ‘gjini gjithëpërfshirëse’ në projektligjin për Barazinë ligjore që pritet të marrë miratimin në Kuvend, ka mbledhur në një takim Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë të cilët ngritën shqetësimet e tyre.
5 komunitetet fetare në vend, ai Mysliman i Shqipërisë, Kisha Katolike, ajo Ortodokse, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore u bënë bashkë për të analizuar disa nene e përkufizime të draftit që sipas tyre bien ndesh me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare.
Në fokus të kundërshtimeve është terminiologji për përkufizimin e gjinisë apo dhe përdorimi i nocioneve si “identitet gjinor” dhe “shprehje gjinore”, të cilat, sipas komuniteteve fetare, krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësirë për keqinterpretim.
Në deklaratën e tyre të përbashkët, përfaqësuesit fetarë theksuan rëndësinë e familjes tradicionale, të ndërtuar mbi dy gjinitë biologjike: burrë dhe grua. Ata kërkuan që projektligji të qartësojë përkufizimin e termit “gjini”, duke e lidhur me gjininë e përcaktuar në lindje, burrë-grua apo vajzë-djalë, në mënyrë që të respektohen parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit.
Komunitetet fetare nënvizuan se mënyra e hartimit të draftit nuk mund të fshihet as pas nevojës për përafrimin e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian. Ata argumentojnë se njohja tradicionale e dy gjinive nuk e pengon këtë proces, pasi shumica e vendeve anëtare të BE-së vijojnë të përdorin përkufizimin binar burrë-grua. Klerikët u bëjnë thirrje institucioneve që të marrin në konsideratë shqetësimet e ngritura pëpara se projektligji të miratohet.
"Krerët dhe drejtuesit e të gjitha komuniteteve fetare shprehën shqetësimin e tyre për disa nene dhe përkufizime të projektligjit, të cilat bien në kundërshtim me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare. Në veçanti, përkufizimi i termit “gjini”, si koncept gjithëpërfshirës, përdorimi i nocioneve, “identitet gjinor”, “shprehje gjinore”, si dhe të gjitha neneve të tjera të lidhura me to, krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësira për keqinterpretim.
Ne, si komunitete fetare, theksojmë rëndësinë e familjes tradicionale të bazuar mbi dy gjinitë biologjike: burrë dhe grua. Për këtë arsye, kërkojmë saktësimin e përkufizimit të termit “Gjini” në projektligj, duke e lidhur qartë me gjininë e përcaktuar në lindje – burrë, grua, vajzë, djalë – në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit", thuhet në deklaratë.
Kundër projektligjit është rreshtuar edhe opozita. Grupi parlamentar i PD dorëzoi ne Kryesinë e Kuvendit një shtesë në ligjin aktual, e cila sipas demokratëve, ka për qëllim të përcaktojë qartë e pa lëkundje që në Shqipëri njihen vetëm dy gjini, burrë edhe grua, të përcaktuara që në lindje.
Komente

Prape dolen keta? Dhe justifikimi /na qenka ne kundershtim me parimet teologjike e traditen e familjes shqiptare/! E po ketu flasim per te drejtat e njeriut,te drejten e shprehjes,te drejten e lumturise,te drejten e zgjedhjes,jo per teologji e tradita.Dhe duke i dale kunder a nuk eshte kjo nje shprehje e /mos barazie e diskriminimi/,pikerisht frazat qe perdorni ju per te justifikuar daljen kunder.Ju jeni te lire te jepni opinionin tuaj,por nuk mund te pengoni progresin ne emer te /teologjise e tradites/.
PërgjigjuPse na qenka kaq e rendesishme kjo pjese? As 0.0001 perqind e popullsise nuk hyn te keto gjinite e tjera. Cpune na prish ne si shoqeri kjo gje? Qe kur komunitetet fetare na paskan peshe keto kohe? Apo e mbyti varferia vendin dhe po blini me leke ato hallexhinjte qe skane as arsimim as te ardhme? Ikni merruni me fjalen e zotit dhe shperndani miresine e tij, harmonine, tolerancen dhe dashurine per cdo qenie te gjalle pavaresisht gjinise. Njerezit sot jane gati te japin jeten per qenin e macen keto akoma merren me traditat familjare.
Përgjigju