Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Gjermani në kuadër të Samitit për Sigurinë Globale, ka shkuar në zyrat e Tik Tok ku ka pasur një takim me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram.
Në një postim në rrjete sociale kreu i qeverisë shkruan se me Bertram diskutoi për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.
Në këtë takim Rama thotë se është njohur edhe me masat që ka marrë kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe.
"Në zyrat e Tik Tok me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram, ku diskutuam me mirëkuptim të plotë për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online, si edhe u njohëm me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe. Ishte kënaqësi informimi mbi nivelin e lartë të vetëdijes së kolosit social Tik Tok, për rreziqet që i kanosen rrjeteve sociale dhe të investimeve të kompanisë në përballimin dhe shmangien e tyre", shkruan Rama.
Rama ndodhet në Mynih për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të Mynihut (MSC), takimi më i rëndësishëm global i politikanëve dhe ekspertë të politikave të sigurisë që filloi sot me pjesëmarrjen e dhjetëra krerëve të shteteve, qeverive dhe ministrave.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Johannes Hahn, zëvendëspresident i Komisionit Europian, i ngarkuar për Buxhetin dhe Administrimin në Mynih ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë.
Rama bëri të ditur në një postim në rrjetet sociale se me Hahn folën mbi Planin e Ri të Rritjes Ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor.