Forcat e policisë

Nis Konferenca e Sigurisë në Mynih, i pranishëm edhe Rama! Në fokus konfliktet në Gaza dhe Ukrainë! Kurti e Vuçiç takime të ndara me Borrell

16 Shkurt, 10:48| Përditesimi: 16 Shkurt, 22:10

  • Share

MYNIH- Kryeministri Edi Rama merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, që do të mbahet për tre ditë radhazi, 16-18 shkurt.  

Pas vizitës në Tiranë, një ditë më parë mbërriti edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u nis drejt Gjermanisë për t’iu bashkuar punimeve të Konferencës së Sigurisë e cila mblidhet si çdo vit, por duket se këtë herë do të jetë ndër më të rëndësishmet në historinë 60-vjeçare.

E quajtur “Davosi i Mbrojtjes”, Konferenca e Sigurisë së Mynihut do të mbledhë rreth 60 krerë shtetesh dhe mbi 85 zyrtarë qeveritarë në qytetin bavarez për të diskutuar çështjet aktuale dhe të ardhshme të sigurisë globale.

Në fokus të diskutimeve do të jenë lufta në Rripin e Gazës dhe shqetësimin për zgjerimin e konflikteve në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë dhe zgjerimi dhe forcimi i NATO-s. Në takim do jetë i pranishëm edhe vetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Presidenti i Izraelit Isaac Herzog dhe kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh do të flasin gjithashtu në konferencë. Ministri i Punëve të Jashtme kineze Ëang Yi, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe nënpresidentja e SHBA Kamala Harris do të jenë ndër figurat e tjera kryesore politike të pranishëm.

Siguria është rritur në të gjithë qytetin, me 5,000 policë dhe automjete përforcuese të dukshme në shumicën e rrugëve kryesore. Takimi i liderëve pritet të shoqërohet me protesta, ku qindra protestues pritet të mblidhen jashtë vendit ku zhvillohet konferenca, Hotel Bayerischer Hof, për të protestuar për atë që ata quajën shkelje të të drejtave të njeriut nga Irani.

Ora 21:05
Kurti takon në Mynih Kryeministrin e Armenisë, të shtetit që s’e njeh ende Kosovën

1708114349_kurti.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar në Mynih kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan. Kurti ndër tjera siç njofton zyra e shtypi “ka theksuar se Kosova i ka të përbrendësuara vlerat e Këshillit të Evropës dhe se krahas kësaj organizate, synon anëtarësimin edhe në NATO”.

“Në këtë drejtim, mes tjerash, Kryeministri Kurti veçoi sektorin e energjisë.Interesim dhe gatishmëri të dyanshme kishte edhe për bashkëpunim në fushën e kulturës, filmit, turizmit dhe edukimit”, thuhet në komunikatë.

Armenia nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.

 

Ora 19:23
Rama takohet me Xhaferrin në Mynih: Bashkëbisedim vëllazëror mbi sfidat e përbashkëta dhe 2 samitet që do mbahen në Tiranë

1708108084_ediramatalatxhaferi.PNG

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Gjermani ku ndodhet në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih është takuar edhe me Talat Xhaferi i cili më 28 janar u zgjodh si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Rama tha se ka diskutuar me Xhaferrin lidhur me sfidat e përbashkëta dhe për programin e 2 samiteve që do të mbahen në Tiranë në fund të muajit shkurt.

“Mynih - Me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, mikun tim Talat Xhaferri, pas një bashkëbisedimi vëllazëror mbi sfidat e përbashkëta dhe programit të dy samiteve të fundshkurtit në Tiranë, për Ukrainën si edhe për Planin e Ri Ekonomik Europian të Rritjes”- shkruan Rama.

Ora 11:04
Kurti e Vuçiç në Mynih për Konferencën e Sigurisë, takime të ndara me Borrell

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti, ndërkaq Serbinë presidenti Aleksandër Vuçiç. Kjo është hera e dytë që të dy përballen pas vendimit të Kosovës për heqjen e pagesave me dinar serb. 

Ky vendim ka hyrë në fuqi më 1 shkurt në mes të kritikave ndërkombëtare dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në një postim të ndarë rrjetin social X, shkruan se do jetë edhe ajo e pranishme dhe se do të zhvillojë se do të zhvillojë diskutime në Mynih “për disa nga sfidat më urgjente të sigurisë së sotme, duke përfshirë kërcënimet në rritje të sigurisë ndaj Kosovës dhe rajonit”.

“Në Mynih për të shkëmbyer pikëpamje mbi disa nga sfidat më urgjente të sigurisë së sotme, duke përfshirë kërcënimet në rritje të sigurisë ndaj Kosovës dhe rajonit. Në takimet e nivelit të lartë, do të theksoj domosdoshmërinë për veprim për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shkruan Gërvalla.

Nga ana tjetër, Kurti e Vuçiç do të zhvillojnë takime të ndara me Shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell Por, një takim i përbashkët i liderëve me ndërmjetësin evropian të dialogut, nuk është në agjendë.

"Nuk është në planifikimet e mia, nuk është në agjendën time, por nëse do të ishte i mundur, ne do të ishim të lumtur. Në të kundërtën, unë duhet të tentoj ta arrij këtë [takimin Kurti-Vuçiq] diku tjetër”, tha Borrell në Munih.

Ora 10:52
Zelensky në Berlin, do nënshkruajë marrëveshje dypalëshe sigurie me kancelarin Scholz! Merr pjesë edhe në Konferencën e Sigurisë


Presidenti i Ukrainës ka mbërritur në Berlin për të takuar kancelarin Olaf Scholz dhe presidentin federal të Gjermanisë, Frank-Ëalter Steinmeier bën të ditur Spiegel. Me kancelarin Scholz, presidenti ukrainas do të nënshkruajë një pakt dypalësh sigurie midis Gjermanisë dhe Ukrainës.

Qëllimi është angazhimi dhe mbështetja afatgjatë. Deri në minutën e fundit nuk ka pasur detaje për vizitën, për arsye sigurie. Më pas do të udhëtojë në Paris për nënshkrimin e një pakti të sigurisë me homologun e tij francez, Emmamuel Macron, ka konfirmuar zyra e Zelenskyt dhe ajo e Macroni. Nesër ai pritet të jetë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku do të mbajë edhe një fjalë para liderëve botërorë. 

"Po filloj dy ditë të rëndësishme. Takime me partnerë në Gjermani dhe Francë, marrëveshje të reja dhe Konferenca e Sigurisë në Mynih. Ne po bëjmë çdo përpjekje për t'i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të siguruar një paqe të qëndrueshme", shkruan Zelensky. 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?