Volodymyr Zelensky
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, paralajmëroi se Rusia mund të sulmojë NATO-n vitin e ardhshëm, nëse nuk vendosen garanci të forta sigurie.
"Rusët mund të avancojnë në Ukrainë ose të sulmojnë Poloninë dhe vendet baltike. Mendoj se ky është plani i Putinit. Sipas informacioneve të inteligjencës që kam, ai po përgatit një luftë kundër vendeve të NATO-s vitin e ardhshëm," deklaroi Zelensky, duke shtuar se shpreson ta ndalojë këtë skenar.
Zelensky theksoi se nuk do të pranojë që historia ta kujtojë si liderin që lejoi pushtimin e vendit të tij nga Rusia.
"Duhet të ushtrojmë presion mbi Putinin dhe për këtë arsye shpresoj të vizitoj Uashingtonin së shpejti për të krijuar një plan të përbashkët me Donald Trump përpara se ai të takohet me Putinin," u shpreh presidenti ukrainas.
Zelensky tha se, nëse Ukraina nuk bëhet pjesë e NATO-s, do të jetë e detyruar të dyfishojë numrin e forcave të saj ushtarake për të siguruar mbrojtjen e vendit.
"Nëse nuk mund të hyjmë në NATO, atëherë duhet ta sjellim NATO-n në Ukrainë," shtoi ai.
Duke folur për marrëdhëniet me SHBA, Zelensky theksoi se asnjë president amerikan, përfshirë Joe Biden, nuk ka mbështetur plotësisht anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Ai shtoi se kjo qasje nuk është ekskluzivisht e Donald Trump, por shprehu shpresën se situata mund të ndryshojë.
Presidenti ukrainas deklaroi se nuk është i gatshëm të takohet me Putinin pa një strategji të dakordësuar më parë me SHBA-në.
"Jam i gatshëm ta takoj atë vetëm nëse kemi një plan të përbashkët me Trump. Në asnjë format tjetër nuk do ta bëj këtë," tha ai, duke komentuar spekulimet për një takim të mundshëm midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Arabinë Saudite.
Zelensky zbuloi se kishte zhvilluar një bisedë të mirë me Donald Trump, i cili i kishte dhënë numrin e tij personal.
"Më tha që mund ta telefonoj kur të dua. Shpresoj që ai të na ndihmojë, sepse është presidenti i SHBA-së dhe ka mbështetjen e popullit amerikan. Nëse ai zgjedh të jetë në anën tonë dhe jo neutral, mund ta detyrojë Putinin të ndalojë luftën," përfundoi ai.
Lajmi kryesor:
Konferenca e Sigurisë në Mynih/ Zelensky pas takimit me Vance: Tani, një paqe e vërtetë dhe e garantuar! Do të flas me Putinin vetëm me një plan të përbashkët SHBA-BE
K.M/ReportTv.al