Bota

Konferenca e Sigurisë në Mynih/ Zelensky pas takimit me Vance: Tani, një paqe e vërtetë dhe e garantuar! Do të flas me Putinin vetëm me një plan të përbashkët SHBA-BE

14 Shkurt, 16:18| Përditesimi: 14 Shkurt, 22:33

  • Share

GJERMANI - Konferenca e shumëpritur e Sigurisë në Mynih nisi të premten mes reshjeve të borës dhe pritshmërive nëse ky event i nivelit të lartë do të çojë drejt një arritjeje diplomatike për të gjetur një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë. I pranishëm në këtë samit pritet të jetë dhe kryeministri Edi Rama

Zëvendëspresidenti amerikan, James David Vance dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, zhvilluan një takim bilataral bashkë me delegacionet përkatëse që i shoqëronin. 

Është i pari, por jo i fundit”,- theksoi Zelensky pas takimit, ndërsa shtoi se është e domosdoshme të hartohet një plan për të ndaluar presidentin rus Vladimir Putin.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë “një paqe të qëndrueshme” në Ukrainë konfirmoi nënpresidenti amerikan J.D. Vance pas takimit të tij në Mynih me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Më herët, në një konferencë për gazëtarët zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, shprehu shqetësimin e tij mbi gjendjen e lirisë së fjalës në Evropë. Duke folur për marrëdhëniet transatlantike, Vance theksoi se sfida kryesore për Evropën nuk është kërcënimi nga Rusia apo Kina, por një rrezik i brendshëm: largimi i Bashkimit Evropian nga vlerat e përbashkëta me Shtetet e Bashkuara

Këto deklarata duket se revoltuan zyrtarët e lartë europianë. “Ai flet për shkatërrimin e demokracisë. Dhe, nëse e kam kuptuar saktë, ai po e krahason gjendjen në disa pjesë të Evropës me atë në rajone autoritare… kjo nuk është e pranueshme",- tha ministri gjerman i Mbrojtjes,  Boris Pistorius. 

"Kur u takuam personalisht, patëm një bisedë të mirë. Por në fjalimin e tij, ai duket sikur dëshiron të përplaset me Evropën, ndërsa ne nuk duam të përplasemi me SHBA-të, sepse ka probleme të tjera në botë", - u shpreh përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas

Nënpresidenti Vance nuk iu përgjigj pyetjes nëse Shtetet e Bashkuara kishin arritur një marrëveshje për mineralet me Ukrainën apo mbi afatet e mundshme të arritjes së saj.

Po ashtu në një konferencë për shtyp, presidenti Zelensky u shpreh optimist se me kontributin e Trump, konflikti në Ukrainë do të gjejë një zgjidhje të shpejtë dhe të pranueshme nga të gjitha palët.

Presidenti ukrainas theksoi se nuk është i gatshëm të takohet me presidentin Vladimir Putin pa një strategji të dakordësuar më parë me SHBA-në.

"Jam i gatshëm ta takoj atë vetëm nëse kemi një plan të përbashkët me Trump. Në asnjë format tjetër nuk do ta bëj këtë," tha ai, duke komentuar spekulimet për një takim të mundshëm midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Arabinë Saudite.

Ajo që nuk është e qartë ende është nëse në Mynih ndodhet ndonjë delegacion rus. Në listën zyrtare të mysafirëve nuk ka përfaqësues rusë.

Dhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha më 14 shkurt se asnjë “përfaqësues i organeve dhe entiteteve zyrtare shtetërore ruse” nuk do të marrë pjesë, raportoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk deshi të komentojë nëse Uashingtoni dhe Moska po planifikojnë një takim në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.

“Nuk kemi ende asgjë për të raportuar”, citoi TASS Peskovin të ketë thënë.

Por, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se zyrtarët amerikanë dhe ata rusë do të takohen të premten në Mynih dhe se Ukraina është e ftuar, gjithashtu.

Trumpi tha po ashtu këtë javë se kishte biseduar në telefon me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Kievi ka thënë se nuk pret që në Mynih të zhvillohen bisedime të tilla.

Sidoqoftë, Mynihu është mundësia e parë për shumë liderë evropianë për t’u takuar me zyrtarë të lartë nga administrata e re amerikane, përfshirë sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, të dërguarin amerikan për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg, dhe sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Shefi i stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak, ka thënë në një postim në rrjetet sociale se ai është takuar me Kelloggun dhe kanë diskutuar “për koordinim të përpjekjeve të përbashkëta për të arritur paqe të qëndrueshme”.

Në Samit po merr pjesë edhe Kryeministri Rama. Ai do të jetë një nga panelistët e diskutimit me temë “Përtej konfliktit: Vlerësimi i rrugëve dhe pengesave për paqen e qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, e po ashtu edhe në panelin me temë “Zgjerimi i BE” , së bashku me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski; Presidenten e Parlamentit europian Roberta Metsola; Komisioneren për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin Marta Kos.

Ora 20:12
Rusia përgatit ekipin negociator për përfundimin e luftës në Ukrainë

1739560538_moskaok.jpg

Rusia po përgatit një ekip të nivelit të lartë për të negociuar me Shtetet e Bashkuara dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Lajmin e raporton CNN, duke cituar burime të mirëinformuara.

Ende nuk dihen negociatorët e zgjedhur nga Kremlini, por sipas CNN, ata do të jenë përfaqësues nga politika, inteligjenca dhe bota ekonomike.

Mes tyre është edhe zyrtari rus dhe këshilltari i ngushtë i Vladimir Putinit, Kirill Dmitriev, i cili ka luajtur një rol kyç pas skenave në një marrëveshje të fundit që çoi në lirimin e mësuesit amerikan Marc Fogel, i arrestuar në Rusi.

Ora 18:54
Mynih/ Pas takimit me Zelenskyn, zv.presidenti amerikan: Dëshirojmë një paqe të qëndrueshme

1739555763_1844363113ad612b5db6f460789c.jpg

Shtetet e Bashkuara duan "një paqe të qëndrueshme" në Ukrainë. Këtë e siguroi nënpresidenti amerikan JD Vance pas takimit të tij në Mynih me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ora 18:30
Akuzoi Europën për censurim të lirisë së shprehjes, Kallas i kundërpërgjigjet zv.presidentit amerikan: Dëshiron përplasje me BE ndërkohë që bota ka probleme të tjera

1739554386_182737867262f2832894d4a12ac8.jpg

Kaja Kallas në Konferencën e Sigurisë në Mynih, 14 shkurt 2025

"Kur u takuam personalisht, patëm një bisedë të mirë. Por në fjalimin e tij, ai duket sikur dëshiron të përplaset me Evropën, ndërsa ne nuk duam të përplasemi me SHBA-të, sepse ka probleme të tjera në botë."

Kështu u shpreh përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, gjatë fjalës së saj në Konferencën e Sigurisë në Mynih, duke iu referuar fjalimit të nënpresidentit amerikan J.D. Vance.

Ora 18:18
Mynih/ Përfundon takimi bilateral mes Zelenskyt dhe zv.presidentit Vance! Presidenti ukrainas: Është i pari, por jo i fundit! Duam garanci sigurie përpara çdo negociate

1739553893_a33ab78b88ae49c6ab8af790f571.jpg

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe nënpresidenti amerikan JD Vance thanë se takimi i tyre në Mynih ishte i frytshëm.

“Është i pari, por jo i fundit”, theksoi Zelensky.

Pas takimit me Vance, Zelensky deklaroi se është e domosdoshme të hartohet një plan për të ndaluar presidentin rus Vladimir Putin.

Gjithashtu, ai kërkoi "garanci sigurie" përpara çdo negociate për t'i dhënë fund luftës midis Ukrainës dhe Rusisë.

Ora 18:04
Zëvendëspresidenti amerikan akuzoi BE për censurë, ministri gjerman reagon i revoltuar: E papranueshme! Vendosi në pikëpyetje demokracinë në Europë

1739552691_0a994d8aed2847308ea3b65ab861.jpg

Boris Pistorius

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, "kundërshton fuqishëm" deklaratat e nënpresidentit të SHBA-së, JD Vance, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, cili akuzoi në mënyrë të përgjithshme qeveritë evropiane se po injorojnë shqetësimet e votuesve mbi emigracionin dhe se po kufizojnë lirinë e shprehjes.

“Demokracia u vu në pikëpyetje nga nënpresidenti i SHBA-së për të gjithë Evropën më herët,” tha Pistorius nga skena kryesore e konferencës.

“Ai flet për shkatërrimin e demokracisë. Dhe, nëse e kam kuptuar saktë, ai po e krahason gjendjen në disa pjesë të Evropës me atë në rajone autoritare… kjo nuk është e pranueshme.”

Ora 17:51
Konferenca e Sigurisë në Mynih/ Presidenti Zelensky: Gati për negociata të vërteta me Rusinë

1739287744_volodymyrzelensky.jpg

Volodymyr Zelensky është shprehur i gatshëm për negociata të vërteta, gjatë një konference për shtyp në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku gjithashtu ka parashikuar bisedime shumë të vështira me Rusinë. Megjithatë, Kiev është i gatshëm të diskutojë për gjithçka, nga forcat paqeruajtëse deri te marrëdhëniet me NATO-n, dhe është i hapur për çdo zgjidhje për të ndaluar Putinin. Vija e kuqe mbetet njohja e aneksimit të territoreve nga Rusia, e cila nuk do të pranohet kurrë.

Ora 17:49
Konferenca e Sigurisë në Mynih/ Fillon takimi mes zëvendëspresidentit amerikan dhe presidentit ukrainas

1739551869_021025fd07ea4a1cbb4c7b8bfba704e2.jpg

Takimi mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe zëvendëspresidentit të SHBA-së, JD Vance, ka filluar pak më parë në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i presidentit të Ukrainës, Serhiy Nikiforov, siç raporton Rbc Ukraina.

Ora 17:09
Konferenca e Sigurisë në Mynih/ Zelensky: Do të takohem me Putinin vetëm pas një plani të përbashkët me Trump! Presidenti amerikan më ka dhënë numrin e tij personal

1739549715_00036XQ3GE.jpg

Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, paralajmëroi se Rusia mund të sulmojë NATO-n vitin e ardhshëm, nëse nuk vendosen garanci të forta sigurie.

"Rusët mund të avancojnë në Ukrainë ose të sulmojnë Poloninë dhe vendet baltike. Mendoj se ky është plani i Putinit. Sipas informacioneve të inteligjencës që kam, ai po përgatit një luftë kundër vendeve të NATO-s vitin e ardhshëm," deklaroi Zelensky, duke shtuar se shpreson ta ndalojë këtë skenar.

Zelensky theksoi se nuk do të pranojë që historia ta kujtojë si liderin që lejoi pushtimin e vendit të tij nga Rusia.

"Duhet të ushtrojmë presion mbi Putinin dhe për këtë arsye shpresoj të vizitoj Uashingtonin së shpejti për të krijuar një plan të përbashkët me Donald Trump përpara se ai të takohet me Putinin," u shpreh presidenti ukrainas.

Zelensky tha se, nëse Ukraina nuk bëhet pjesë e NATO-s, do të jetë e detyruar të dyfishojë numrin e forcave të saj ushtarake për të siguruar mbrojtjen e vendit.

"Nëse nuk mund të hyjmë në NATO, atëherë duhet ta sjellim NATO-n në Ukrainë," shtoi ai.

Duke folur për marrëdhëniet me SHBA, Zelensky theksoi se asnjë president amerikan, përfshirë Joe Biden, nuk ka mbështetur plotësisht anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Ai shtoi se kjo qasje nuk është ekskluzivisht e Donald Trump, por shprehu shpresën se situata mund të ndryshojë.

Presidenti ukrainas deklaroi se nuk është i gatshëm të takohet me Putinin pa një strategji të dakordësuar më parë me SHBA-në.

"Jam i gatshëm ta takoj atë vetëm nëse kemi një plan të përbashkët me Trump. Në asnjë format tjetër nuk do ta bëj këtë," tha ai, duke komentuar spekulimet për një takim të mundshëm midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Arabinë Saudite.

Zelensky zbuloi se kishte zhvilluar një bisedë të mirë me Donald Trump, i cili i kishte dhënë numrin e tij personal.

"Më tha që mund ta telefonoj kur të dua. Shpresoj që ai të na ndihmojë, sepse është presidenti i SHBA-së dhe ka mbështetjen e popullit amerikan. Nëse ai zgjedh të jetë në anën tonë dhe jo neutral, mund ta detyrojë Putinin të ndalojë luftën," përfundoi ai.

Ora 16:52
JD Vance në Konferencën e Sigurisë në Mynih: Liria e fjalës në Evropë është në rënie! S'mund t’u imponosh njerëzve se çfarë të mendojnë

1739548444_150206588a3183d0e2d98486f9ef.jpg

James David Vance në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, shprehu shqetësimin e tij mbi gjendjen e lirisë së fjalës në Evropë.

"Në Britaninë e Madhe dhe në të gjithë Evropën, liria e fjalës është në rënie. Nuk mund t’u imponosh njerëzve se çfarë të mendojnë, të ndiejnë apo të besojnë. Fatkeqësisht, kur shoh Evropën sot, nuk është gjithmonë e qartë çfarë ka ndodhur me disa prej fituesve të Luftës së Ftohtë", deklaroi ai.

Vance gjithashtu nënvizoi se me kthimin e Donald Trump në pushtet, SHBA ka një qasje të re në politikën ndërkombëtare.

"Me Donald Trump ka një sheriff të ri në Uashington", u shpreh ai.

Duke folur për marrëdhëniet transatlantike, Vance theksoi se sfida kryesore për Evropën nuk është kërcënimi nga Rusia apo Kina, por një rrezik i brendshëm: largimi i Bashkimit Evropian nga vlerat e përbashkëta me Shtetet e Bashkuara.

Sa i përket luftës në Ukrainë, nënkryetari amerikan deklaroi se SHBA shpreson për një "marrëveshje të arsyeshme" midis Ukrainës dhe Rusisë, duke sugjeruar një qasje më pragmatike në diplomaci.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?