I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret takim produktiv në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të shtunën, më 18 mars.
Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka shkruar se me Escobar ka diskutuar për marrëdhënien Kosovë-Serbi. Më tej, Konjufca shtoi se Kosova nuk ka për ta humbur asnjëherë fokusin nga njohja e plotë
‘Sot e mirëprita në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili shoqërohej nga Alyson Grunden, Zëvendës Shefe e Misionit të SHBA-së në Kosovë, Paul Pfeuffer, Këshilltar për Çështje Ballkanike në Departamentin e Shtetit dhe Greg Viola, zyrtar politik në Ambasadën Amerikane.
Diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë, procesin e dialogut dhe hapat e mëtejmë, me fokus të veçantë propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
Ritheksova se asnjëherë nuk do ta humbim fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
E falënderova emisarin Escobar për angazhimin dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në procesin e dialogut dhe shpreha gatishmërinë për fuqizimin e mëtutjeshëm të partneritetit të ndërsjellë, si dhe avancimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.’- shkroi Konjufca.
Lajmi kryesor:
Escobar vizitë në Kosovë, takim me Osmanin: Presim rezultate pozitive në Ohër! Vuçiç: Serbia nuk firmos
G.MO/ReportTv.al