Ish-senatori amerikan, Bob Dole

Mbështetës i çështjes shqiptare, ndahet nga jeta ish-senatori amerikan, Bob Dole! Kim: Mbrojtës i egër i lirisë! Meta: Gjithmonë mirënjohës! Basha: Bekim i pazëvendësueshëm për kombin

5 Dhjetor 2021, 18:58| Përditesimi: 5 Dhjetor 2021, 22:16

  • Share

Ish-senatori amerikan dhe ish-kandidati për President, Bob Dole është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 98-vjeçare. Vdekja e tij u njoftua nga Fondacioni Elizabeth Dole, ndërsa në muaj shkurt ai kishte njoftuar se ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri.

Dole u angazhua herët në politikën amerikane për Kosovën dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit të pavarur. Për këtë kontribut, një bust i tij qëndron në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka shprehur ngushëllimet pas ndarjes nga jeta të ish-senatorit, ku thekson se ai do të mbahet mend në mbarë botën, përshirë dhe Shqipërinë, si mbrojtës i egër i lirisë. Duke e konsideruar mik të shqiptarëve, Presidenti Ilir Meta shkruan se vendi ynë do t'i jetë gjithnjë mirënjohës ish-senatorit për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe Kosovës. Për ndarjen nga jeta të Dole ka reaguar edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili e konsideron atë një bekim të pazëvendësueshëm për kombin.

Reagime ka patur edhe nga politikanët më të lartë në Kosovë, ku Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se ata do t'i jenë gjithnjë mirënjohës që i ka qëndruar pranë popullit të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti e konsideroi atë një hero amerikan dhe një përkrahës të padiskutueshëm të lirisë së Kosovës.

Gjatë karrierës së tij 36-vjeçare në Capitol Hill, ish senatori republikan, Bob Dole u bë një nga ligjvënësit dhe udhëheqësit më me ndikim në Senat. Ai u përpoq tre herë të bëhej president. E fundit ishte në vitin 1996, kur ai ishte kandidat republikan dhe humbi në garë me ish presidentin Bill Clinton. Ai kërkoi nominimin presidencial të partisë së tij në vitin 1980 dhe në vitin 1988, ndërsa ishte kandidat për zëvendëspresident në vitin 1976 bashkë me ish presidentin Gerald Ford.

Ora 22:13
Ndarja nga jeta e ish-senatorit amerikan Bob Dole, Vjosa Osmani: Mirënjohës që na qëndroi pranë! Kurti: Përkrahës i lirisë së Kosovës

Pas ndarjes nga jeta të ish-senatorit të amerikan, Bob Dole, reagime ka patur edhe nga politikanët më të lartë në Kosovë, ku Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se ata do t'i jenë gjithnjë mirënjohës që i ka qëndruar pranë popullit të Kosovës.

“Një hero lufte, një politikan i respektuar dhe një mbështetës i lirisë në të gjithë botën. Por në veçanti, jemi mirënjohës që ai gjithmonë ka qëndruar pranë popullit të Kosovës në luftën tonë për pavarësi. U prefsh ne paqe mik i dashur”, shkroi ajo.

Kryeministri Albin Kurti e konsideroi atë një hero amerikan dhe një përkrahës të padiskutueshëm të lirisë së Kosovës.

 “U shprehim ngushëllime të përzemërta familjes Dole dhe kombit amerikan, teksa vajtojmë dhe nderojmë një hero amerikan dhe një përkrahës të padiskutueshëm të lirisë së Kosovës. U preftë në paqe”, shkroi ai.

Ora 21:23
Ndarja nga jeta e Dole, Basha Kam ende të freskët bisedën e fundit javë përpara zgjedhjeve, këshillat, urimet dhe dëshirat e tij për Shqipërinë e Kosovën.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar me një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-senatorit amerikan, Bob Dole. Me një postim në Twitter, Basha thotë se Dole ishte një nga zërat më të fortë dhe përcaktues në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Po ashtu ai kujton edhe bisedën e fundit me të, ku thotë se ndau urimet dhe dëshirat e tij për Shqipërinë e Kosovë.

"Me trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Bob Dole, mik i madh i shqiptarëve, që na ka qëndruar pranë në çastet më vendimtare dhe hapat më të rëndësishëm të kombit tonë. Senatori Bob Dole ishte një nga zërat më të fortë dhe përcaktues në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Nga çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës, tek sprovat e rrugës Euro-Atlantike të Shqipërisë dhe Kosovës, mbështetja e tij ishte një bekim i pazëvendësueshëm për kombin tonë. Kam akoma të freskët bisedën e fundit me Senatorin Dole, javë përpara zgjedhjeve, këshillat, urimet dhe dëshirat e tij për Shqipërinë dhe Kosovën. Mirënjohje të përjetshme për këtë kolos të demokracisë amerikane! Lutjet dhe mendimet e mija shkojnë për familjen e Senatorit Dole, bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij dhe kombin mik amerikan! U prehtë në paqe", shkruan Basha.

Ora 20:35
Ndarja nga jeta e ish-senatorit amerikan Bob Dole, Meta: Mik i madh i shqiptarëve, gjithnjë mirënjohës për rolin në mbështetje të shqiptarëve

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-senatorit Amerikan, Bob Dole. Me një postim në Facebook, teksa i shpreh ngushëllimet familjes së ish-senatorit, Meta thotë se Shqipëria do t'i jetë përherë mirënjohës Dole për mbështetjen e hapur ndaj vendit tonë dhe Kosovës.

"Thellësisht i pikëlluar për humbjen e mikut të madh të shqiptarëve, Senator dhe kandidat për President të SHBA, Bob Dole. Senatori Dole ishte një prej personaliteteve më të spikatur të politikës amerikane dhe u bë një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim në mbrojtje të shqiptarëve dhe kauzave të tyre. Do t'i jemi përherë mirënjohës këtij burri të madh të popullit amerikan, për rolin dhe kontributin e vyer në avancimin e proceseve demokratizuese dhe euro-atlantike të Shqipërisë, si dhe për mbështetjen e hapur dhe të pakufizuar të luftës për liri dhe pavarësi, deri në krijimin e shtetit të Kosovës. Jam pranë familjes së Tij dhe popullit amerikan dhe u bashkohem lutjeve të tyre, që shpirti i Senatorit Dole të prehet në paqen e merituar! Do të na mungojë shumë të gjithëve!", shkruan Meta.

Ora 20:02
Ndarja nga jeta e ish-senatorit amerikan Bob Dole, Yuri Kim: Luftëtar i egër për kauzën e lirisë! Do të mbahet mend në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë

1636397663_websiteKim1.jpg

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-senatorit amerikan dhe ish-kandidatit për President të Amerikës, Bob Dole. Me një postim në Twitter, Kim shkeruan se Dilan ishte një luftëtar i egër për kauzën e lirisë dhe se ai do të mbahet mend jo vetëm në Amerikë, por në mbarë botën, përfshirë edhe Shqipërinë.

"Bob Dole ishte një patriot i vërtetë amerikan. Duke kapërcyer plagët e rënda të marra gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u bë një luftëtar i egër për kauzën e lirisë. Jeta e tij në shërbimin publik do të mbahet mend jo vetëm në Amerikë, por në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë. U preftë në paqe", shkruan ambasadorja Kim.

Komento

Komente

  • F-35: 06/12/2021 09:07

    Iku nje burre shteti dhe mik i madh i shqiptareve! U prehte me paqe!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?