Kontrata e lobimit 6 mln dollarë e PD-së me kompaninë amerikane “Continental” me pagesë gjoja nga “shqiptarë patriotë” është edhe produkt i pasojës kur partia përfundon në duart e një njeriu si Flamur Noka.
Ky ishte konkluzioni i komentit që bëri Edvin Kulluri, themelues i “Djathtas 1912” dhe kandidat në qarkun e Vlorës për koalicionin “Djathtas për Zhvillim” në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
I ftuar në emisionin "Studio Live” të moderatorit Arbër Hitaj, në Report Tv, ai tha:
“Pushteti i tepërt prodhon korrupsion. Nuk i besoj përallat me patriotë dhe qytetarë shqiptarë, po të kishte patriotë do na i jepnin neve 6 mln dollarë. Çështja është e qartë, Shqipëria ka informalitet të lartë dhe mungesë ligjshmërie e institucionesh. Shifra është shumë e lartë. Kujtoj edhe batutën e mikut tim Zekthi në lidhje me kontratën e lobimit në debatin me Belind Këlliçin. I tha se: “Për tërmetin shqiptarët e Amerikës mblodhën 700 mijë dollarë, kurse për PD-në dhe Berishën u mblodhën 6 mln dollarë!”
Dhe më tej iu përgjigj akuzave që ishin bërë nga drejtuesit e PD-së ndaj përfaqësuesve politikë të “Djathtas” kohët e fundit, si “të shitur”.
“E kupton se ku ka arritur, ku gjenden këto para për partinë? Kështu është kur partia përfundon në dorën e Flamur Nokës! Meqë Noka ka thënë se ne të Djathtas jemi të shitur. Jo për gjë, se po të ishim ne të shitur do i kishim gjetur dhe paguar ne ato 6 mln dollarë dhe jo PD. Të mos shkoj më tej”, vijoi Kulluri komentin e tij.
Në lidhje me koalicionet paszgjedhore nëse do të fitonin mandate deputetësh më 11 maj, ai sqaroi se do bashkoheshin për qeverisje vetëm me parti të djathta, madje edhe me PD-në, por me kushtin e vetëm që të mos ishte Sali Berisha kryeministër apo në drejtim.
“Votat tona i bashkojmë vetëm me të djathtën, përfshi edhe PD-në, por me këtë të fundit vetëm me një kusht: Sali Berisha jo në krye të saj dhe as kryeministër. As ai dhe as Rama në qeveri. E kemi bërë të qartë dhe kemi këtë mision”, u shpreh Kulluri për Report Tv.
Rreth problematikave të fushatës elektorale apo nëse ka kërcënime e presione për blerje votash ndaj qytetarëve, ai tha se në Vlorë, ku dhe kandidon, nuk ekzistonte kjo problematikë.
Kulluri përshëndeti përfshirjen e SPAK me Task-Forcën për monitorimin e zgjedhjeve, pasi ashtu sikurse ligji i dekriminalizimit, ishte e nevojshme.
“Në Vlorë nuk ka kërcënime për votën, orientimin e saj, sepse në Vlorë nuk ke mundësi, ta japin përgjigjen shumë shpejt. Deri tnai nuk ka pasur problematika. Elbasani ka shfaqur problematika kriminaliteti në zgjedhje. Vetëm një meritë ka Lulzim Basha, ligjin e dekriminalizimit dhe që është e vërtetë. Dhe hyrja e SPAK në zgjedhje me kontrollin ndaj blerjes së votës është pozitiv, SPAK ka prerëlidhjet e Ramës me krimin për zgjedhjet. Ka 65 mijë militantë të PS që i janë shtuar administratës aktualisht vetëm për zgjedhje dhe marrin rrogën qyl për katër vite. Po t’u jepet penzioneve kjo para rriten me të paktën 70 mijë lekë”, nënvizoi kandidati i ‘Djathtas për Zhvillim’.
Edvin Kulluri deklaroi në “Studio Live” se fushata për koalicionin “Djathtas për Zhvillim” po ecte sipas pritshmërive, duke pasur mbështetje të lartë të qytetarëve dhe shpalosi objektivat për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.
“Objektivi ynë në Vlorë është 1 mandat. Objektiv tjetër kemi nga 1 mandat në Fier, Elbasan dhe deri në 2 mandate në Tiranë. Kemi objektiv dhe të sigurt të paktën 3 mandate dhe deri në 6 apo 7 në total në shkallë vendi. Votimi për Djathtas për Zhvillim dhe përkrahja është e madhe dhe e dukshme. Do ketë pjesëmarrje të lartë. Nuk ka nevojë për shpenzime të mëdha në fushatë. Nëse opozita frymëzon, nuk ka grup kriminal që e ndalon popullin opozitar. Kujtoj vitin 205 kur PS kishte grupet e forta kriminale dhe PD fitoi. PS dhe Rama e kanë bërë baltë”, tha ai për Report Tv.
Në lidhje me raportet që kanë me Partinë Demokratike, ai theksoi se nga ai formacion politik ishin ndarë për shkak tëmungesës së lirisë, demokracisë dhe shprehjes së mendimit dhe mbi të gjitha për shkak të prezencës së Sali Berishës.
“PD është parti kamikaze, një parti që vret veten. PD sulmon partitë e reja dhe kjo i shkon në favor PS-së. I bëj thirrje përfaqësuesve të PD-së që t’i bëjë thirrje elektoratit, që nëse qytetartë nuk duan të votojnë PD, të na votojnë neve dhe të fitojë opozita, por pa Berishën në krye të PD-së. Nëse duan Berishën më shumë se vendin dhe opozitën, le të vazhdojnë me Ramën në krye”, tha kandidati i “Djathtas për Zhvillim”.
Kulluri kujtoi edhe “masakrën” që kishin bërë PD dhe PS me çështjen e pronave, teksa apeloi për të votuar koalicionin që përfaqëson dhe atë si kandidat në Vlorë.
“Pse çëshjtjet e pronave kanë mbetur pa prekur, as kompensim dhe as kthim, ansjë vendim gjyqi nga PD dhe PS në qeverisje. PD la pas 33 mijë dosje pronash pa zgjidhur. Lista jonë është numri 9, Djathtas për Zhvillim dhe vetë kandidoj në qarkun e Vlorës, si djal i asaj zone nga dhe kam origjinën, kryesisht me Dukatin”, përfundoi themeluesi i ‘Djathtas 1912’.
Komente
