KORÇË- Dy makina janë bllokuar dje në zonën e Mashkullorës në fshatin Vithkuq për shkak të dëborës së madhe. Siç raporton gazetari i Report Tv Armand Braho makinat që u bllokuan në tentativë për të kaluar në drejtim të Korçës janë zhbllokuar tashmë.
Reshjet intensive në majën e mashkullores prej dy ditësh kanë rritur trashësinë e dëborës në mbi 60 cm duke bërë që banorët të hasin problematika sa i përket qarkullimit.
Sipas informacioneve nga banorët njëri prej mjeteve (xhip) rrëshkiti në dëborë ndërsa tjetri nuk mundi të depërtojë duke bërë që të dyja makinat të mbeteshin në mes të dëborës.
Të dyja mjetet kanë qënë të mbushura me pasagjerë (familjarë) por që kanë arritur të shpëtojnë pa u lënduar dhe janë kthyer mbrapsht në fshatin Panarit. Ditën e sotme në terren kanë shkuar dy fadroma që kanë bërë të mundur zhbllokimin e mjeteve dhe rrugën.
Lajmi kryesor:
Dardha, Voskopoja e Thethi ‘vishen’ me petkun e bardhë! Rrugët në Korçë dhe Shkodër të kalueshme pa zinxhirë! 500 familje pa drita në fshatrat e Korçës
B.K//ReportTv.al